E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensionet në Jemen, mbyllen ambasadat e Japonisë dhe Francës

Autori i Lajmit: RedaksiaSana - Pas Britanisë, Gjermanisë e SHBA-së edhe Japonia e Franca u kanë vënë drynin dyerve të ambasadave në Jemen. Tokio e ka marrë vendimin për të mbyllur selinë diplomatike në Sana pas njoftimeve për tensionim të situatës në vendin arab për shkak të përplasjeve të policisë e ushtrisë me guerilasit e Al Kaedës. Edhe Parisi bën me dije se ambasada është mbyllur për arsye sigurie. Ndërkohë, Italia ka vendosur ta mbajë përkohësisht të hapur ambasadën edhe pse nuk përjashtohet që shumë shpejt të ndjekë shembullin e selive të tjera diplomatike. Autoritetet në Jemen kanë shtuar masat e sigurisë përreth aeroportit dhe ambasadave të huaja në Sana, kanë njoftuar dje zyrtarët, për shkak të frikës nga sulmet e mundshme të degës së Al Kaedës në Jemen, e cila lidhet me sulmin e dështuar kundër një aeroplani amerikan. Ambasadat e SHBA-së dhe të Britanisë në Jemen mbetën të mbyllura edhe gjatë ditës së djeshme, pasi mbyllën dyert e tyre një ditë më parë, për shkaqe të sigurisë, theksuan zyrtarët. Një zyrtar jemenas, i cili deshi të mbetet anonim, theksoi se masat e sigurisë janë shtuar përreth misioneve të SHBA-së dhe të Britanisë, por edhe përreth misioneve tjera të huaja. Ambasada e SHBA-së të dielën theksoi se ka marrë vendim për të mbyllë misionin, si reagim ndaj kërcënimeve të Al Kaedës në Gadishullin e Arabisë për të sulmuar interesat amerikane në Jemen. “Jemeni nuk do të bëhet një tjetër front ushtarak si ai në Afganistan për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit islamik. Me këto fjalë u shpreh këshilltari për antiterrorizëm në Shtëpinë e Bardhë, Xhon Brennan, në një intervistë për FoxNeës pas vendimit të administratës amerikane. “Qeveria e Jemenit, duke dhënë prova se po lufton terrorizmin, është e gatshme të pranojë ndihmën tonë”, - theksoi Brennan. Por SHBA-ja nuk do të dërgojë asnjë ushtar në Jemen në kuadër të luftës kundër terrorizmit. Për këtë nuk është diskutuar fare, tha eksperti për çështje të sigurisë dhe antiterror i qeverisë amerikane. Kryeministri britanik, Gordon Braun, kishte njoftuar se do të financojë një njësi të përbashkët speciale të policisë për të luftuar terrorizmin në Jemen. Edhe ambasada gjermane ka ashpërsuar masat e sigurimit. Kërcënime kundër përfaqësisë nuk ka, bëri të ditur Ministria e Jashtme në Berlin. Edhe Britania ndoqi këtë shembull, me një zëdhënëse të Ministrisë së Jashtme në Londër, e cila theksoi se ambasada britanike është mbyllur për shkaqe të sigurisë. Presidenti amerikan, Barak Obama, ka akuzuar degën e Al Kaedës në Jemen për trajnimin dhe armatosjen e shtetasit nigerian, i cili ditën e Krishtlindjeve tentoi që të shpërthejë në ajër një aeroplan, i cili ishte nisur nga Amsterdami dhe si destinacion kishte Detroitin.
Ky lajm është publikuar: 05/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›