E Diel, 1 Nëntor 2026

Papandreu: “Ballkani në BE nuk do të hyjë në bllok”

Autori i Lajmit: A.DKriza ekonomike ka ndalur hapat e shpejtë të integrimit të rajonit në BE, por ky proces do të shkojë deri në fund. Këtë e ka konfirmuar kryeministri grek, Jorogos Papandreu, në një intervistë për gazetën serbe “Vecernje Novosti”. Lidhur me angazhimin e Greqisë për të qenë lidere e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE, Papandreu tha se me planin e ri, progresi i Ballkanit Perëndimor do të vlerësohet mbi meritat e veta dhe kjo nuk do të bëhet në bllok, por në meritat e secilit vend. Ai përmendi se me planin greko-amerikan perspektiva evropiane e rajonit duhet të marrë një impuls të ri (prandaj ne kemi propozuar Axhenda 2014). Kryeministri grek e vlerësoi "Axhendën e Selanikut", e cila u themelua gjatë presidencës greke të BE, si një gur themeli i drejtimit evropian të Ballkanit Perëndimor. “Ne mendojmë se tani duhet të kemi një qëndrim më të vendosur, sidomos duke pasur parasysh rrethanat e tanishme të vështira, (kriza ekonomike), e cila mund të ketë një ndikim negativ në zgjerim. Dhe prandaj, ne kemi propozuar “Axhenda 2014”, - tha Papandreu. “Secili vend i Ballkanit Perëndimor do të vlerësohen mbi meritat e veta. Prandaj, procesi i reformës duhet të përmirësohet më tej. Rruga drejt integrimit evropian kërkon një sipërmarrje të konsiderueshme. Shumica dërrmuese e banorëve të Ballkanit Perëndimor kanë një vizion të përbashkët: Integrimin evropian si synim përfundimtar. Udhërrëfyesi që unë kam propozuar, "Axhenda 2014", është një vizion. Unë propozova një vit simbolik si 2014 si një qëllim të përbashkët për një epokë të re në Ballkanin Perëndimor. Greqia do që të jetë forca shtytëse e integrimit Evropian.

Qëndrimi ndaj Kosovës nuk ndryshon

“Qëndrimi i Greqisë është që të krijohet një ambient i sigurt dhe prosperues për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb”, - deklaroi kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Papandreu. I pyetur nëse është ushtruar presion mbi Greqinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe, nëse qëndrimi i Greqisë do të ndryshojë në këtë drejtim, Papandreu tha se stabiliteti i rajonit dhe e drejta ndërkombëtare janë baza e politikës greke. “Qëndrimi i Greqisë për këtë çështje është mirë i njohur dhe nuk do të ndryshojë. Stabiliteti i rajonit dhe e drejta ndërkombëtare janë bazë e politikës tonë. Jemi të përkushtuar në tentativat e krijimit të një ambienti të sigurt dhe prosperues për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb. Më lejoni të shtoj se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe religjioze në Kosovë, ka rëndësi të madhe për ne, dhe angazhimi ynë në rajon tregon përkushtimin tonë për këto qëllime. Kjo do të thotë se ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe është prioritet i lartë për të gjithë ne në BE”, - tha Papandreu për gazetën serbe.

Mbështetja për Serbinë

“Serbia e ka kapacitetin për të përshpejtuar përparimin drejt BE-së dhe meriton një vend të rëndësishëm në axhendën evropiane”. Papandreu theksoi edhe një herë tjetër marrëdhëniet e shkëlqyera mes Serbisë dhe Greqisë, ndërsa theksoi se vendi i tij do të jetë një mbështetje e fortë për qytetarët e Serbisë në procesin e integrimit evropian. Pyetjes se çfarë do të thotë në mënyrë specifike zhbllokimi përfundimtar i Marrëveshjes së Përkohshme ndërmjet Serbisë dhe BE-së, shefi i qeverisë greke iu përgjigj: “Greqia mirëpret vendimin e fundit të ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Përkohshme, si një hap drejt zhbllokimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit. Këshilli i Ministrave ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin e Hagës, si dhe progresin e arritur në përmbushjen e detyrimeve të veta shtetërore që rrjedhin nga axhenda evropiane.

Ky lajm është publikuar: 05/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›