Pango: Ju tregoj fytyrën e komunizmit
Në nderim të viktimave të sistemit komunist, çelet sot një ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar. Sot, 18 vjet më parë është rrëzuar busti i diktatorit Enver Hoxha, ditë kjo e shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave për nderimin e viktimave të sistemit komunist. Dje në një konferencë për shtyp, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka prezantuar disa prej elementëve që do të përmbajë kjo ekspozitë. Sipas tij, ekspozita është e mbështetur në katër elementë kryesorë si fotografi e një pjesë të mirë të viktimave të komunizmit, gardhi me tela me gjemba, filmimet në tre ekrane të mëdhenj dhe njëkohësisht edhe objekte të të burgosurve dhe persekutuarve. “Është një ekspozitë e veçantë që i kalon përmasat e zakonshme”, - shprehet ministri Ylli Pango, duke sqaruar se fillimet e saj i ka që në vitet ‘44 një vit ky, që sipas vetë udhëheqësve komunistë të asaj kohe filloi vrasja në masë, ndaj kundërshtarëve të regjimit të ardhshëm politik. Ai ka vijuara edhe me rastet e mbytjes së filizave të para të pluralizmit dhe demokracisë me grupin e deputetëve dhe vazhdimin e shkatërrimit të kundërshtarëve dhe të gjithë intelektualëve deri në aktin e paprecedent të luftës kundër fesë, klerit katolik dhe mysliman. Ministri i Kulturës sjell edhe rastin e vendimit të pazbatuar të Presidentit të asaj kohe, Ramiz Alia, pluralizmin në Shqipëri viti ’90, i cili shprehet se “kjo periudhë do të përfundonte në vitet
‘90 sipas demagogjisë së Ramiz Alisë, i cili nuk do të dënonte kalimin e kufirit, por që prapë në atë periudhë u shënohen viktimat e fundit të komunizmit, shumë djem të vrarë dhe të burgosur”. Ai shton statistikat e viktimave të diktaturës komuniste në këtë ekspozitë si mbi 5500 të pushkatuar, mes tyre rreth 100 gra, 15 mijë të burgosur, 450 prej tyre ishin gra, rreth një mijë të vdekur nëpër burgje, 22 mijë të internuar, 120 klerikë të pushkatuar dhe të vdekur në burgje, klerikë bektashinj 83, klerikë myslimanë 60, ndërsa ortodoksë 39, si dhe rreth 740 xhami të shkatërruara, 600 kisha dhe manastire ortodokse. “Këto janë shifra që dëshmojnë për një terror vërtetë të paparë”, - thotë ministri, duke shtuar se “kjo nuk është thjesht një ekspozitë, por jemi në rrugën midis ekspozitës dhe muzeut, i cili pas vendimit të Këshillit të Ministrave do të fillojë puna edhe për të”. Sipas tij, ekspozita do të jetë përkohësisht në Muzeun Historik Kombëtar dhe më pas do të kalojë veç.
Kjo ekspozitë organizohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Arkivin Qendror të shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Arkivin e Filmit Dokumentar të Televizionit Shqiptar, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, Institutin e të Përndjekurve Politikë, Komitetin e Kulteve, Galerinë Kombëtare të Arteve, Qendrën e Studimeve Albanologjike.
Suela Furriku