E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mjedisit: Masa ndëshkuese ndaj atyre që dëmtojnë bimët mjekësore

Të gjithë personat, apo subjektet, që do të  dëmtojnë fondin e bimëve mjekësore eterovajore dhe tanifere natyrore, do të përballen me masa të rrepta administrative, të cilat ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave i ka përfshirë në një projektligj të ri, që u miratua së fundi nga Qeveria.  Projektligji "Për mbrojtjen e fondit të bimëve mjekësore eterovajore dhe tanifere natyrore" parashikon të gjitha masat ndaj shkeljeve, që në këto raste cilësohen administrative dhe dënohen me gjobë. Specialistët e mjedisit pohojnë se "vjelja dhe grumbullimi pa kontratë i llojeve të këtyre bimëve në fondin pyjor dhe kullosor publik, dënohet me gjobë nga 80-100 mijë lekë. Në rast të mbledhjes së bimëve të rralla, të kërcënuara, në rrezik zhdukjeje, të shpallura të tilla në listën përkatëse, personat që konsumojnë këtë do të përballen me gjobën nga 100-150 mijë lekë. "Vjelja dhe grumbullimi i llojeve të këtyre bimëve, që janë përkohësisht të ndaluara, dënohen me gjobë nga 50-100 mijë lekë", pohojnë specialistët, sipas të cilëve, me të njëjtën masë gjobe dënohet vjelja dhe grumbullimi i tyre jashtë kërkesave teknike për kohën e vjeljes. Në  p/ligj përcaktohet se dëmtimi i bimëve gjatë vjeljes dhe grumbullimit, por dhe transporti i bimëve nga qendrat e grumbullimit për në qendrat e përpunimit, apo për eksport, i pashoqëruar me vërtetimin e transportit dhe faturat përkatëse, dënohet me gjobë nga 30- 50 mijë lekë. P/ligji parashikon të njëjtën masë gjobe ndaj dëmtimit të bimëve nga hedhja dhe shkarkimi i ujërave të ndotura, industriale dhe urbane në sipërfaqet ku rriten, apo nga përdorimi i pamiratuar i plehrave kimike dhe i pesticideve, si dhe nga hedhja, braktisja e depozitimi i mbetjeve apo i inerteve, në to. MMPAU propozon vendosjen e gjobës 70-100 mijë lekë, shoqëruar me detyrimin për  pastrimin e sipërfaqeve të ndotura ndaj të gjithë dëmtueseve të bimëve nga hedhja, braktisja,  depozitimi i lëndëve dhe mbetjeve radioaktive, si dhe lëndëve e mbetjeve kimike, brenda sipërfaqeve ku ato rriten, bimët e vjela, etj. Për çdo rast kundërvajtjeje, do të vlerësohet edhe dëmi real, që i është shkaktuar fondit të bimëve, duke kërkuar zhdëmtimin nga personi përgjegjës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›