E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Kompjuterizimi i regjistrit kombëtar civil është një proces i rëndësishëm për vendin

Zëvendëskryeministri Genc Pollo vlerësoi të se "me një Regjistër Kombëtar Civil unik e të kompjuterizuar, Shqipëria hyn realisht në një periudhë moderne". Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Hotel Rogner, për prezantimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, zv.Kryeministri Pollo vuri në dukje rëndësinë e këtij projekti, i cili realizohet në bashkëpunim me qeverinë austriake, OSBE-në dhe Këshillin e Europës. Me Regjistrin Kombëtar Civil, sipas zotit Pollo, "shteti shqiptar për herë të parë ka të dhënat për çdo qytetar të tij, në mënyrë të plotë dhe të organizuar. Një shtet pa një Regjistër Kombëtar Civil unik e të kompjuterizuar i ngjan një magazine pa inventar. Ndaj dhe me një regjistër të tillë Shqipëria hyn realisht në një periudhë moderne, të duhur për shek. 21", tha zv.Kryeministri. Gjithashtu, ai vuri në dukje rëndësinë e lidhjes së Regjistrit Kombëtar Civil me databasat e tjera si Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit, Zyra e Tatimeve, ISKSH, etj. "Koordinimi i këtyre sistemeve është një projekt shumë i rëndësishëm i qeverisë që do të bëjë të mundur që kushdo të marrë atë që i takon dhe që paraja publike të shpenzohet në mënyrë efikase dhe të drejtë", tha zoti Pollo. Zv. Kryeministri vlerësoi gjithashtu se "është shumë pozitive për procesin zgjedhor, fakti se nga 120 mijë persona që kanë aplikuar deri tani për letërnjoftimet elektronike, gjysma e tyre i përkasin kontigjentit të qytetarëve pa pasaportë".  

Nishani: Ky projekt është një arritje e madhe

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani vlerësoi rolin mbështetës të partnerëve ndërkombëtarë dhe misionit të OSBE-së në Tiranë për krijimin e Regjistrit të ri të Gjendjes Civile në Shqipëri.  Gjatë një ceremonie që u organizua në Hotel “Rogner”, ku u prezanta Regjistri i ri i Gjendjes Civile, ministri Nishani u shpreh se tashmë është finalizuar realizimi i një projekti të përbashkët midis qeverisë shqiptare dhe asaj të Austrisë, me ndihmën financiare të delegacionit të Komisionit Europian, tha mes të tjerave. "Veç tyre, ky proçes përfshiu dhe angazhimin e gjithë partnerëve tanë ndërkombëtar", theksoi ministri Nishani, duke i falenderuar të gjithë për ndihmën financiare dhe infrastrukturën ligjore. Ministri Nishani e vlerësoi këtë projekt, një arritje të madhe, pasi më parë, të dhënat e shtetasve shqiptarë ruheshin në zyrat e gjendjes civile në mënyrë manuale në libra, ku ekzistonin mjaft parregullsi dhe gabime. Të pasaktë, e cilësoi ministri Nishani mënyrën e funksionimit të regjistrit të mëparshëm, që  ishte jashtë kontrollit ligjor dhe proçedurial të punonjësve të zyrave civile, ç'ka përbënte një bazë të pasigurtë dhe të pasaktë për gjenerimin e informacioneve, si në rastin e prodhimit të listave të votuesve, si dhe për të gjitha shërbimet e tjera që kërkonin identifikimin e qytetarëve shqiptarëve. “Krahasuar me modelin e ri që kemi përpara, tashmë kemi një regjistër, që është i ndërlidhur me zyrën Qendrore të Drejtorisë së Përgjithëshme të Gjendjes Civile dhe me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, i pastruar nga të gjitha dublikimet, që komunikon në mënyrë elektronike me të gjitha shërbimet që ndërlidhen me të", tha ministri Nishani. Ambasadori i Austriak Klaus Derkoëitch, shprehu vlerësimet për punën e bërë, duke veçuar faktin e prezantimit të këtij regjistri,që sipas tij, "është një nga regjistrat më të sofistikuar dhe më modernët". Ai siguroi vazhdimësinë e mbështetjes së qeverisë Austriake për integrimin e këtij regjistri në të gjitha regjistrat e tjerë që lidhen me shërbimet e shtetasve shqiptarë dhe ndihmën për  organizimin e zgjedhjeve të ardhëshme, që të jenë të lira dhe sipas standarteve. Që nga muaji tetor i vitit 2008, qytetarëve shqiptarë i'u është ofruar Regjistri të ri elektronik, duke bërë të mundur transmetimin on- line të të dhënave të shtetasve në të gjithë vendin dhe ruajtjen në mënyrë të sigurtë të tyre. Krijimi i Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile të shtetasve, është bërë sipas disa standardeve, ku çdo ndërhyrje, qoftë edhe zyrtare, e bërë nga punonjësit e zyrave civile, evidentohet dhe ruhet nga vetë sistemi. Siguria e të dhënave të shtetasve shqiptarë në këtë regjistër është e mbrojtur me ligj, mbi bazën e të cilit ekziston një Komisioner për mbrojtjen e këtyre të dhënave. Zyra e Komisionerit për mbrojtjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë, është një zyrë e pavarur, e cila do të mbikëqyrë të gjithë këtë veprimtari, do të ketë të drejtën e kontrollit si dhe të kompetencën e sugjerimit për plotësimin e bazës ligjore, praktikave të punës, përmirësimin e politikave, etj. Ngritja e zyrës së Komisionerit do të japë kontribut thelbësor në përmbushjen e qëllimeve, objektivave dhe strategjive, në respektim të të drejtave të njeriut dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Me vendim të Këshillit të Ministrave është ngritur Agjencia e Firmës Elektronike, e cila ka për detyrë të bëjë çertifikimin e të gjithë numrave të identitetit të letërnjoftimeve elektronike të lëshuara nga koncesionari.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›