E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i BND-së gati të dorëhiqet, shkak edhe Kosova



Shefi i Shërbimit Informativ Gjerman, Ernst Uhrlau, ndodhet nën presion sidomos pas aferës së arrestimit të tre agjentëve të BND-së në Prishtinë, ku me sa duket janë bërë gabime në mënyrën e procedimit për lirimin sa më të shpejtë të tyre. Këtij fakti i shtohet edhe afera e përgjimit të një zyre të Organizatës Botërore kundër Urisë në Afganistan, që u bë e ditur në fundjavë.
Nga qarqet qeveritare nuk përjashtohet mundësia e dorëheqjes së shefit të BND-së, Uhrlau. Të dy rastet, si arrestimi i agjentëve në Kosovë, ashtu edhe përgjimi i zyrës së organizatës humanitare në Afganistan, pritet të diskutohen javën e ardhshme në Dhomën Parlamentare të Kontrollit të Bundestagut.

Obama: “Rimëkëmbja ekonomike, në plan të parë për administratën”

Presidenti i sapozgjedhur Barak Obama ka deklaruar se do të marrë masa të menjëhershme për të përmirësuar ekonominë amerikane dhe për të çuar përpara rritjen ekonomike afatgjatë në vend. Ai po kështu ripohoi gjatë një interviste televizive se ka ndërmend të tërheqë trupat luftarake amerikane nga Iraku pasi të fillojë punën si president. Gjatë gjithë fushatës presidenciale, zoti Obama premtoi se do të ndryshonte politikat ekonomike amerikane dhe se do të luftonte pasojat e krizës ekonomike. Që pas zgjedhjeve të nëntorit, gjendja ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm. Shtetet e Bashkuara kanë hyrë zyrtarisht në recesion, vendi ka pësuar humbje të mëdha të vendeve të punës, sekuestrimet e shtëpive kanë vazhduar dhe tregu financiar ka pësuar ulje-ngritje të shumta dhe ekstreme. Zoti Obama pranoi vështirësinë e situatës gjatë një interviste në emisionin “Takimi me shtypin” në kanalin televizic NBC. “Problemi që kemi përpara është i madh dhe do të thellohet më tej. Prioriteti im kryesor do të jetë që programi i shpëtimit ekonomik të jetë i përshtatshëm për gjendjen e krijuar”. Ditëve të fundit, presidenti i zgjedhur zbardhi një plan ambicioz për të kthyer amerikanët në vendet e punës, për të rindërtuar infrastrukturën e vendit dhe për të kursyer energjinë në Shtetet e Bashkuara.

Arrestohet personi i dyshuar për organizimin e sulmeve në Mumbai

Personi i dyshuar si organizatori i sulmeve vdekjeprurëse në Mumbai është arrestuar në Pakistan. Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar i qeverisë pakistaneze, i cili tha se policia pakistaneze ndaloi Zaki-ur-Rehman Lakhvin dhe disa të tjerë gjatë një bastisjeje të forcave të sigurisë në ambjentet e përdorura nga Xhamat-ud-davah, grupi që vepron publikisht në emër të organizatës së ndaluar Lashkar-e-Taiba, të cilën India e fajëson për sulmet në Mumbai.
Policia indiane thotë se autori i vetëm i mbijetuar i sulmeve kishte thënë se Lakhvi ishte një nga organizatorët e shpërthimeve të Mumbait. Policia i bëri bastisjet pranë Muzafarabadit, në Kashmirin Indian. Islamabadi mohon çdo lloj përfshirjeje në sulmet e Mumbait.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›