E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristiano Ronaldo, flirt me bukuroshen e martuar ukrainase



Pasi mori Topin e Artë, Kristiano Ronaldo fillon të flasë për veten jashtë fushës së futbollit. Sipas mediave britanike, futbollisti i Mançester Junajtid është dashuruar me një grua të martuar. Ajo është Aljona Hajnes dhe pasioni i tyre ka nisur para disa muajsh. Ylli i futbollit shumë herë është përfolur për shoqëritë e tij me bukuroshe të ndryshme, por këtë radhë duket se është ndryshe. E dashura e fundit është bashkëshortja e milionerit ukrainas Xhon Hajnes. Bashkëshorti i bukuroshes mësohet se ka reaguar ashpër pasi ka zbuluar një celular sekret të së shoqes, e cila kishte shkëmbyer më shumë se 300 mesazhe me Ronaldon në më pak se katër muaj. Dhe kështu, burri “i tradhtuar” ka punësuar një fotograf për të pasur prova të mjaftueshme të tradhtisë së bashkëshortes nën shoqërinë e futbollistit. Në këtë mënyrë, fotografitë përfunduan në mediat më të njohura. Në një nga fotot, ata shfaqen të dy në daljen e restorantit “Piçolino”, në Bramhall të Çeshajër. Sipas “News of the World”, emri i bukuroshes Aljona është i njohur edhe në sajtin e internetit që ofron shoqërinë e femrave tërheqëse ruse për meshkujt anglezë. Lajmërimi në këtë faqe është: të ndërtojmë një urë mes vajzave të ish-Bashkimit Sovjetik beqare dhe të edukuara dhe meshkujve anglezë të dëshpëruar dhe të divorcuar.

Robi Uilliams, në ndjekje të alienëve

Shpreson t’i gjejë në ujërat e Kalifornisë

Më në fund, Robi Uilliams ka bërë të ditur projektet e tij për të ardhmen. Pasi ka studiuar imtësisht astronominë, shpreson se do të zbulojë diçka rreth alienëve. Për momentin, ish-anëtari i grupit britanik “Take That” ka vendosur të eksplorojë ujërat e Santa Katalinës, por jo vetëm: këngëtari 34-vjeçar do të përshkojë të gjithë bregun kalifornian në kërkim të jashtëtokësorëve. “Kam lexuar se shumë persona kanë parë objekte të ulen në ujërat e Malibusë”, - është shprehur Robi. Këngëtari shpreson se do të arrijë diçka nëpërmjet kërkimeve të tij dhe është tepër kurioz pasi beson se vërtet fshihet diçka në atë zonë. Duke iu përgjigjur sërish pyetjes rreth interesit për alienët, ish-anëtari i “Take That” ka deklaruar se është rritur “në një shtëpi ku fantazmat dhe legjendat ishin në rendin e ditës”, një atmosferë që i lejoi të mendonte se “në univers nuk jemi të vetëm”.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›