Madona i ofron Riçit 64 milionë dollarë për divorcin
Liria për të vlen më shumë se gjithçka. Pas situatave të sikletshme, thashethemeve dhe ndarjes, Madona i ka ofruar ish-burrit të saj Gaj Riçi një shumë prej 64 milionë dollarësh me qëllim që ai të heqë dorë nga martesa pa procedura të tjera. Siç shkruan “News of The World”, Madona, e cila bëri të ditur divorcin në muajin tetor, do t’i japë regjisorit një shumë parash prej 24 milionë dollarësh dhe shtëpinë e saj të vlefshme prej 40 milionë dollarësh. Riçi po ashtu do të mbajë klubin e tij në Londër dhe raportohet se ka nënshkruar për të hequr dorë nga pasuria prej 600 milionë dollarësh e yllit të muzikës pop. Dyshja do të ndajë kujdestarinë ndaj fëmijëve: Lourdes 12-vjeçare, Roko 7-vjeçar dhe David Banda 3-vjeçar.
“Four Christmases”, në krye të kinemave në SHBA
Komedia e Krishtlindjeve “Four Christmases” ka arkëtuar më shumë të ardhura gjatë fundjavës në kinematë amerikane. Për të dytën javë me radhë, filmi, me protagonistë Ris Uithwrspun dhe Vins Vaug, qëndron në krye të klasifikimit me 18,2 milionë dollarë të grumbulluara nga shitja e biletave. Në vendin e dytë renditet filmi me vampirë, “Twilight”, me 13,2 milionë dollarë, i ndjekur nga filmi i animuar i Disney Land, “Bolt”. “Quantum of solace” me agjentin 007 ka zbritur në vendin e pestë. “Four Christmases” tregon historinë e një çifti, që kalojnë pushimet me secilin nga prindërit e divorcuar.
Rihana, vese për ushqimin
Ylli i hitit “Umbrella”, Rihana, e cila është e lidhur me këngëtarin Kris Braun, thotë se ajo është shumë me naze kur bëhet fjalë për ushqimin. “Gjëja më e vështirë e të qenit në udhëtim për mua është se çfarë do të ha. Për të gjithë të tjerët nuk është problem, por për mua po. Më pëlqen gjithçka që ka përzierje ushqimesh. Por ushqim japonez, meksikan ose indian, jO”, - ka thënë këngëtarja. “Jam një person shumë zgjedhës përsa i takon ushqimeve. Jam rritur me një lloj ushqimi dhe e kam ngrënë atë për 17 vjet. Është e vështirë për mua të provoj gjëra të reja”, - ka shtuar Rihana.
9 Dhjetor 2008