E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Nuk jap dorëheqjen,po zbatoj ligjet e vendit

• Ministri i Turizmit dhe Sporteve, Ylli Pango, tha dje se nuk do të japë dorëheqjen pas vendimit të fundit të FIFA-s, por do të presë deri në fund rezultatet e auditit.Duke reaguar në një konferencë për shtyp, kreu i këtij dikasteri i pyetur nëse do të japë dorëheqjen tha se, “kjo më duket një pyetje shumë pa kuptim në këto momente. Dorëheqja nuk mund të kërkohet kur unë kam zbatuar vetëm ligjet e shtetit tim dhe kam bërë madje edhe detyrën time si ministër”. Duke hyrë në detaje teknike të statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit, ministri theksoi se i vetmi ndryshim që ka bërë është pikërisht në nenin 60 të statutit, i cili ka të bëjë me të drejtën televizive, sipas të cilit të drejtat e FSHF-së janë të pakufizuara në përmbajtje, kohë dhe hapësirë. Pango bëri të ditur se në këtë nen është ndryshuar me togfjalëshin “janë konform ligjeve të shtetit shqiptar”. Lidhur me auditin që ka ndërmarrë qeveria ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, “Auditi është në përfundim. Rezultatet në fund të tij do t’i bëhen të ditura UEFA-s, FIFA-s dhe opinionit publik shqiptar. Nëse Duka del i pastër, atëherë ne kemi bërë vetëm detyrën. Dua të sqaroj se ne kemi sqaruar vetëm fondet e shtetit në këtë proces. Pra, s’kemi prekur ato të FIFA-s e UEFA-s, ato nuk mund të preken”. Ndërkohë, përsa i përket akuzave të Kryeministrit Berisha, por edhe të vetë Pangos për shitje ndeshjesh, ky i fundit theksoi se qeveria shqiptare i është drejtuar seksionit që merret me hetimin e shitjes së ndeshjeve në FIFA dhe i ka kërkuar asaj të hetojë. Sipas Pangos, qeveria nuk ka thënë që do të çojë prova. I pyetur nëse do të ketë një tjetër tërheqje të shtetit si në vitin 1996, Pango e hodhi poshtë një gjë të tillë. “E thashë, që konflikti nuk zgjidhet gjithmonë duke u tërhequr njëra palë. Megjithatë, nëse doni mendimin tim personal, nuk do të ketë një 1996 të dytë. Ne jemi të vendosur për zbatimin e ligjeve. Ky është mendimi im personal”, theksoi Pango.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›