“Duka e shndërroi FSHF-në në çifligun e klanit të Zemunit”
• Qeveria shqiptare nuk tërhiqet nga akuzat për kreun e FSHF-së, madje i ashpërson ato.ADI SHKEMBI Një ditë pas vendimit të FIFA-s për përjashtimin e Shqipërisë nga të gjitha veprimtaritë futbollistike për një afat të caktuar, ka reaguar edhe Kryeministri Berisha. Kur pritej që pas vendimit të fundit, i ngjashëm me atë të vitit 1996, të kishte një lloj tërheqje nga ana e qeverisë, një gjë e tillë nuk ndodhi, duke e komplikuar akoma më shumë situatën për Kombëtaren tonë. ReagimiKreu i qeverisë bëri të ditur dje në një prononcim për mediat se çdo gjë do të bëhet transparente para shqiptarëve, por shtoi se kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, nuk mund ta shndërrojë këtë institucion në çifligun e klanit të Zemunit. Sipas kreut të qeverisë, shitja e ndeshjeve të fundit të Kombëtares nuk mund të përsëritet më, duke premtuar se do të zbardhen të gjitha kontrollet që do të bëhen në FSHF. “Ne do ta bëjmë çdo gjë transparente para qytetarëve shqiptarë, por situata është që Duka e shndërroi federatën në çifligun e klanit të Zenunit. Do përfundojnë të gjitha inspektimet, kontrollet me ligj dhe do bëhen publike për shqiptarët dhe për ndërkombëtarët. Kjo është e vërteta, por natyrisht gjithçka do bazohet mbi fakte konkrete. Ato që kanë ndodhur më parë me disa ndeshje të Kombëtares nuk mund të përsëriten më, po e përsëris nuk mund të përsëriten më. Nuk mund të jetë futbolli shqiptar çiflig i klanit të Zemunit”, bëri të ditur Kryeministri Berisha. Kreu i maxhorancës theksoi se po zbatohen me rigorozitet ligjet e vendit dhe po shqyrtohen të gjitha pasojat e mafies në Federatën Shqiptare të Futbollit. “Kjo qeveri qëndron plotësisht në mbështetje të sportit, por sportin, i cili zhvillohet sipas rregullave dhe ligjeve transparente, jo atë të shitjes së ndeshjeve dhe të tradhtisë së hapur ndaj mijëra e mijëra fansave dhe tifozëve. Kjo është e patolerueshme”, u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë, “Shqipëria do të luajë dhe do të shkëlqejë, por ata që kanë shitur ndeshjet dhe janë marrë me afera mafioze duke shfrytëzuar futbollin shqiptar nuk do të lejohen që të pengojnë Shqipërinë”. Në nëntor të vitit të kaluar ishte pikërisht Kryeministri Berisha ai që rinisi “luftën e ftohtë” mes qeverisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, duke akuzuar këtë të fundit për shitjen e dy ndeshjeve të Kombëtares me Bjellorusinë dhe Bullgarinë. “Turpi që kanë bërë, aty është flamuri kombëtar, ajo nuk do të mund të kapërcehet, ç’është ai grup mafioz që shkelmon mbi flamurin që bën një amoralitet të madh në mes të Evropës si përfaqësuesi i kombit. Kam pritur një reagim shumë më të madh nga mediat dhe shoqëria civile, ai ishte një poshtërim, fyerje për tifozët e Shqipërisë dhe shqiptarë, të cilët kanë ndjekur këtë futboll më me pasion se çdo gjë tjetër. Kanë skuqur me flamur kombëtar jo vetëm stadiumet e Shqipërisë, por edhe stadiumet e Evropës. Duhet të marrë përgjigjen më të rreptë”, deklaroi në atë kohë kryeministri Berisha.