E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dervishi: Arroganca e shtetit na përjashtoi

• Ish-sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Dervishi, e ka cilësuar si të papranueshëm qëndrimin e qeverisë shqiptare pas përjashtimit të futbollit tonë nga FIFA.Jetmir Halilaj  Dervishi, i cili ka drejtuar për rreth gjashtë vjet FSHF-në në mesin e viteve ‘90, ka përjetuar në atë periudhë një situatë të ngjashme, pasi ai u shkarkua nga sekretaria e Shtetit në atë kohë, Marjeta Zaçe dhe FIFA përjashtoi automatikisht Shqipërinë, deri në momentin që ish-sekretari u kthye në pozicionin e tij. Në një intervistë për “Panorama”, Dervishi ka thënë se zgjidhja e vetme mbetet që shteti të plotësojë kërkesat e vëna nga FIFA, sepse në të kundërt futbolli shqiptar do t’i ketë të mbyllura dyert në arenën ndërkombëtare. Z. Dervishi, cili është komenti juaj për situatën aktuale që po kalon futbolli shqiptar?Së pari, shpreh keqardhjen time për rrethanat e vështira në të cilat ndodhet ky sport në Shqipëri. Unë jam njeri i futbollit dhe e di shumë mirë se çfarë pasojash ka përjashtimi nga organizatat ndërkombëtare të futbollit. Mendoj se duhet një reflektim i menjëhershëm i qeverisë shqiptare, pasi në të kundërt nuk do të ketë zgjidhje. Sipas jush, kush është përgjegjësi kryesor për përjashtimin e Shqipërisë nga FIFA?Unë mendoj se është konflikti mes shtetit shqiptar dhe FSHF-së. Pa dashur të bëhem avokat i asnjërës nga palët, mendoj se në këtë rast kemi të bëjmë me një sjellje arrogante të përfaqësuesve të shtetit shqiptar. Ata janë paralajmëruar se çfarë pasojash do të kishte në rast se nuk plotësonin kërkesat e bëra nga FIFA, kështu që nëse do të kishin pasur vullnetin për të bashkëpunuar, gjërat nuk do të shkonin deri në këtë pikë. Personalisht jam i bindur se gjërat mund t’i rikthehen normalitetit të tyre, vetëm nëse shteti reflekton dhe përmbush kërkesat e FIFA-s. Është në rregullat themelore të organizatave ndërkombëtare të futbollit që shteti të mos ndërhyjë në punët e brendshme të tyre dhe të kërkojë llogari vetëm për paratë që ai investon dhe jo për pjesën tjetër të të ardhurave. Të mos harrojmë se çdo federatë anëtarësohet me dëshirën e saj në këto organizata dhe nëse e bën një gjë të tillë, duhet t’i përshtatet rregullave të tyre. Një vend që nuk dëshiron që federata e tij të ketë probleme me FIFA-n apo UEFA-në, duhet të përpiqet që t’i përshtatë ligjet sipas statuteve të tyre. A mendoni se ka probleme në futbollin shqiptar?Sigurisht që ka probleme, madje edhe probleme nga ato që ngrenë drejtuesit e qeverisë, por të krijosh konflikte dhe të akuzosh Federatën tënde për shitje ndeshjesh nuk është zgjidhje. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë le të nxirren provat dhe të mbyllet gjithçka. Unë mendoj se shteti mund të kërkojë bashkëpunimin e FSHF-së për këtë gjë dhe të fillojë hetimet, pasi i ka të gjithë mekanizmat e nevojshëm për ta bërë një gjë të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›