Tani rrezikojmë edhe dy vjet përjashtim
• Shqipëria rrezikon një dënim dhe më të rëndë se sa ai i pezullimit pa afat, që mori FIFA kundrejt futbollit shqiptar të premten në mbrëmje. Nëse situata do të vazhdojë të mbetet e tillë deri në kongresin e ardhshëm të FIFA-s, i cili do të zhvillohet në Sidnei, nga data 30 maj deri në 2 qershor, atëherë Shqipëria rrezikon të marrë një vendim të formës së prerë. Pra, nëse çështja nuk do të jetë zgjidhur deri në atë periudhë dhe ajo do të kalojë më pas në rend dite në punimet e Kongresit, aty mund të marrë zhvillime të tjera, pasi nëse 3/4 e pjesëmarrësve kërkojnë që për Shqipërinë të merret nj vendim i formës së prerë, atëherë futbolli shqiptar rrezikon deri në dy vjet e gjysmë pezullim. Kjo do të ishte fatale për sportin e top-këmbës në vendin tonë, pasi do të kishte pasoja rrënuese për të. FIFA vendosi të premten ta përjashtojë Shqipërinë nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare, duke mos u lodhur më kot me ultimatume, pasi shteti shqiptar nuk bëri asnjë lëvizje për të plotësuar kërkesat e vëna nga organizmat ndërkombëtarë. Shqipëria për një kohë të papërcaktuar do të mbetet jashtë të gjitha aktiviteteve futbollistike ndërkombëtare. Në vendimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s shkruhet qartë se, përjashtimi erdhi për shkak të ndërhyrjes së shtetit në futboll. Një vendim, i cili kishte kohë që ishte lajmëruar, është dhënë vetëm sot duke vënë përpara përgjegjësisë shtetin, e konkretisht Ministrinë e Sporteve, për ndërhyrje të rënda në Federatën Shqiptare të Futbollit. Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s deklaron se ndërhyrjet e vazhdueshme të shtetit në FSHF, që kanë të bëjë me bërjen e auditimit në veprimtarinë financiare të Federatës, kanë vështirësuar situatën.