E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF-ja mbledh urgjentisht Komitetin Ekzekutiv për situatën

• Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit do të mblidhet nesër për të diskutuar rreth situatës së vështirë në të cilën ndodhet futbolli ynë në këto momente, pas pezullimit pa afat të FIFA-s.“Do të jetë një mbledhje ku do të diskutohet për gjendjen ku ndodhemi, ka thënë përgjegjësi i zyrës për shtyp të FSHF-së, Tritan Kokona. Jemi të shqetësuar për përjashtimin, por nuk mund të bëjmë asgjë, sepse gjërat nuk janë në dorën tonë, por në atë të MTKRS-së. Jemi në pritje të zhvillimeve të reja dhe shpresojmë që ato të jenë sa më pozitive, me qëllim që futbolli shqiptar të mos ketë probleme në të ardhmen”. Ndërkaq, qëndrimi i drejtuesve më të lartë të qeverisë, të cilët kanë theksuar se nuk do të ketë asnjë tërheqje, e tensionon edhe më shumë situatën në futbollin shqiptar. FIFA, përpos argumenteve të dhëna nga shteti shqiptar, kërkon që të plotësohen kërkesat e saj, sepse në të kundërt nuk do të ketë asnjë tolerim për Shqipërinë. Precedentët kanë treguar se FIFA i ka kthyer mbrapsht vendimet e saj, vetëm pasi janë plotësuar kërkesat dhe këtu vlen të përmendet Greqia, Federata e së cilës u përjashtua dy vjet më parë, megjithëse përfaqësuesja helene ishte kampionia në fuqi e Evropës. Pezullimi për Greqinë u hoq vetëm pasi shteti i këtij vendi plotësoi kërkesat e FIFA-s. Ndërkohë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, do të vijë nesër në Tiranë, ashtu siç e kishte planifikuar disa ditë më parë. Drejtuesit e Federatës kanë kontaktuar me të dhe ai ka shprehur keqardhjen për situatën e krijuar dhe për anulimin e dy ndeshjeve miqësore. Ari Han ka thënë se gjithsesi do të vijë në Shqipëri më 17 mars, pasi dëshiron që të flasë drejtpërdrejt me krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai ka qenë dje në Karlsruhe për të parë nga afër sulmuesin Edmond Kapllani, i cili luajti gjatë gjithë ndeshjes në takimin që skuadra e tij humbi në fushën e saj 1-0 përballë Eintrahtit të Frankfurtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›