Vret gruan me sëpatë, arrestohet 45-vjeçari
Shkodër, Nikë Prozhmi vrau gruan e tij, Terezinën, me disa goditje sëpate në kokë, duke e lënë të vdekur në vend
Autori: Ishte e sëmurë mendore, e vrava aksidentalisht për vetëmbrojtje. Policia: Dëshmia, e dyshimtë
SHKODËR-Ka vrarë gruan me sëpatë në mes të natës, por është justifikuar se e ka bërë krimin në kushtet e vetëmbrojtjes. Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e së martës në Shkodër në familjen Prozhmi. Burri i shtëpisë, Nikë Prozhmi 45-vjeç, ka vrarë me disa goditje sëpate gruan e tij, Terezina Prozhmi, 42-vjeç, e cila ka mbetur e vdekur në vend. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bashkëshorti, i arrestuar pas krimit ka rrëfyer se gruaja e tij vuante nga probleme mendore dhe në mënyrë të beftë, në mes të natës ka nisur të godasë derën e shtëpisë me sëpatë. Në kohën që ai është munduar ta ndalë, janë përleshur dhe e ka qëlluar atë aksidentalisht, ndërkohë që mundohej të mbrohej. Por, këtë version policia e ka marrë me shumë rezerva, ndaj po heton për rrethanat e vërteta të krimit, sepse sipas saj, bashkëshortët kanë pasur edhe më parë grindje mes tyre.
Ngjarja
Ka qenë ora 02.00, duke u gdhirë dita e djeshme kur në familjen Prozhmi, në Shkodër është prishur qetësia. Sipas dëshmisë që autori ka dhënë në polici, bashkëshortja e tij Terezina ishte e sëmurë mendore, madje për këtë gëzonte dhe statusin e invalidit dhe merrte pensionin përkatës. "Këtë ai e ka mbështetur dhe në disa dokumente që ka paraqitur në policisë"- bëjnë të ditur burimet zyrtare. Sipas autorit, në mesnatë, gruaja e tij në një moment krize nervore është çuar nga krevati dhe ka dalë jashtë në oborrin e banesës së tyre njëkatëshe. "Aty ka marrë një sëpatë dhe ka filluar të godasë dyert e ambientet e shtëpisë",- ka thënë ai në polici. Bashkëshorti i saj në deponimin e tij ka theksuar se ai e ka ndjekur pas dhe është përpjekur t'i marrë sëpatën nga dora dhe janë përleshur tek pjesa e djathtë e shtëpisë, që shërbente si vend pune për kryefamiljarin, i cili punonte si marangoz dhe kryente punime druri. Aty, ai ka pretenduar se në përleshje e sipër aksidentalisht e ka goditur bashkëshorten në kokë, duke i sjellë asaj vdekjen. Në një prej dhomave të shtëpisë kanë qenë, duke fjetur tre fëmijët e çiftit Prozhmi, dy djem e një vajzë, përkatësisht 17, 7 dhe 13-vjeç. Mësohet se ata nuk e kanë dëgjuar zhurmën dhe për fat nuk e kanë parë skenën e krimit. Pas ngjarjes, autori i krimit ka shkuar në shtëpinë e një kushëriri të tij, aty pranë dhe i ka treguar për gjithë sa kishte ndodhur. Më pas, ka qenë kushëriri që ka bërë njoftimin e policisë, e cila ka prangosur autorin, bashkëshortin e viktimës.
Policia
Por përkundër dëshmisë së dhënë nga autori, policia ka konstatuar se gruaja ishte goditur disa herë me sëpatë në kokë. Ndërkohë ka këqyrur vendin e krimit, mjedisin e banesës që shërbente si punishte pune, ku ka ekzaminuar shenjat e përleshjes së dy bashkëshortëve. Sipas policisë, dëshmia e autorit të vrasjes është e dyshimtë, pasi në asnjë pjesë të banesës nuk janë konstatuar goditje me sëpatë të bëra nga viktima në moment krize, si pretendon autori. Burime pranë policisë theksojnë se do jenë hetimet e mëtejshme ato që do të zbardhin plotësisht ngjarjen. "Tre fëmijët e çiftit Prozhmi janë zgjuar nga gjumi dhe kanë marrë dijeni për atë që kishte ndodhur mes prindërve të tyre rreth 3 orë pas ngjarjes",- thonë burimet policore.
Familja me probleme
Familja e Nik Prozhmit ishte vendosur prej vitesh tek vendi i quajtur Mëhalla e Re në lagjen "Partizani", pas drejtorisë së policisë Shkodër. Aty ata kishin ndërtuar një shtëpi të re njëkatëshe, në të majtë të një prej rrugicave të shumta të kësaj lagjeje të re të krijuar në 15 vitet e fundit ku banojnë kryesisht familje të zhvendosura nga zonat malore. Një pjesë e banesës shërbente dhe si punishte për punim druri. Sipas policisë, kjo familje ka pasur dhe herë të tjera probleme dhe dy bashkëshortët, si pasojë e konflikteve dhe grindjeve të vazhdueshme janë shoqëruar disa herë në polici. Vrasja e Terezina Prozhmit është e shtata që ndodh në qarkun e Shkodrës që nga fillimi i këtij viti, ndërsa dy prej viktimave kanë qenë gra.
Krimi në familje
Shumica e viktimave, gra
Krimi në familje në qarkun e Shkodrës ka njohur rritje vitet e fundit dhe më së shumti viktimat e tij kanë qenë gratë. Më 17 nëntor të vitit të kaluar, Eleni Nikolli u ekzekutua me armë nga bashkëshorti i saj në qytetin e Shkodrës, i cili më pas vrau dhe veten. Më 10 nëntor 2004 në fshatin Berdicë, Lirije Frashëri ishte viktimë e plumbave të bashkëshortit të saj, ndërsa pesë vjet më parë, më 9.4.2003, në Gojan të Pukës, Marije Ndoci u ekzekutua nga bashkëshorti, në mënyrë të ngjashme me krimin e djeshëm. Vrasje që u realizua po me sëpatë.