Vrasja në bilardo, 25 vjet burg për autorin
Pranohet gjykim i shkurtuar për Julian Isufin. Reagojnë familjarët: Është padrejtësi, do ta apelojmë vendimin
VLORË-Gjykata e Vlorës ka vendosur dje 25 vjet burg në ngarkim të Julian Isufit, 25-vjeçarit, i cili akuzohet për vrasjen e një 17-vjeçari dhe plagosjen e një 41-vjeçari në një bilardo të qytetit. Por familjarët e viktimës kërkojnë apelim të vendimit, duke kërkuar burgim të përjetshëm. Në seancën e djeshme, është lexuar vetëm vendimi për të pandehurin, ndërsa gjyqtarja, Klodjana Isufi, e cila ka kryesuar seancën ka sjellë edhe njëherë ngjarjen në retrospektivë, duke iu referuar dëshmive të personave të ndodhur në të si dhe dëshmisë së të pandehurit. Për 25-vjeçarin pala e akuzës, përfaqësuar nga prokurori Dritan Marku, kishte kërkuar burgim të përjetshëm, duke e vlerësuar vrasjen, të kryer në kushte rënduese, pasojë e së cilës ishte një viktimë dhe një i plagosur rëndë, por edhe persona të tjerë të ndodhur në vendngjarje, jeta e të cilëve u rrezikua. Ngjarja daton në gusht të vitit të kaluar, kur Isufi ka qëlluar me armë pranë bilardos që ndodhet në lagjen "1 Maji", nga breshëria e së cilës ka gjetur vdekjen Kletjon Lutaj, 17-vjeç, dhe është plagosur një 41-vjeçar. Dje u pranua gjykimi i shkurtuar për Isufin, duke u cilësuar si rrethanë lehtësuese vetëdorëzimi i të pandehurit. Para aktit të vendimit është cituar gjithashtu se ndaj personave që ndodheshin në bilardo është derdhur një breshëri prej 26 plumbash, personi ka qenë në gjendje të pirë, ndërkohë ka vlerësuar vrasjen, të kryer me dashje. Pas vendimitkanë reaguar familjarë të viktimës, sipas të cilëve, gjykata ka manipuluar që prej pranimit të gjykimit të shkurtuar për 25-vjeçarin Isufaj. Familjarë të Lutaj thanë se nuk ka qenë e vërtetë që Lutaj është vetëdorëzuar, pasi atë e kanë kapur falë rrethimit që i ka bërë policia. Të afërmit pohuan se do të apelojnë, duke kërkuar ndaj 25-vjeçarit dënim me burgim të përjetshëm. "Nëse do të ishte vrarë djali im pa dashje, nuk do të isha duke u endur në seanca të tilla, por fakti që ai kishte pirë nuk e çliron nga ajo që ka bërë, duke qëlluar pa ju dridhur dora ndaj një turme që ndodheshin aty në bilardo. Ka qëlluar një taksixhi, ka vrarë një djalë të pafajshëm, ka plagosur një tjetër, dhe në fund është rikthyer të qëllojë dhe një djalë 15-vjeç, që nuk u pohua fare",- tha Krenar Lutaj, i ati i viktimës, duke akuzuar gjyqtarët për korrupsion.