E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gabon Vllaznia, Tirana e vetme në krye

Tension në Peqin pas anulimit të golit të Shkumbinit. Sejdini ende nuk e ka shijuar fitoren e parë me Elbasanin

Tirana, e vetme në krye, me 44 pikë, me dy pikë më shumë se Vllaznia (42). Bardheblutë fituan me rezultatin e ngushtë 2-1 kundër Lushnjës në takimin e dytë midis tyre, në harkun e shtatë ditëve, por kësaj radhe në “Qemal Stafa” u luajt java e parë e fazës së tretë, që nisi me një shkëputje të bukur të 23 herë kampionëve.
Tirana e dominoi plotësisht takimin të zhvilluar në një kohë të bukur, por me pak shikues në impiantin ndërkombëtar.
Rasti i parë i rrezikshëm ishte i Lushnjës, por portieri veteran i Tiranës, 37-vjeçari Blendi Nallbani, shpëtoi portën e tij nga një gol i sigurt, kur ish-portieri i Kombëtares e “thithi” topin përpara se lushnjarët ta godisnin atë drejt portës kundërshtare.
Në minutën e 24-t, mbrojtësi Andi Lila harkoi nga e djathta e sulmit bardheblu brenda zonës së vogël të Lushnjës dhe aty Migen Memelli, me një kërcim të fuqishëm, realizoi me kokë golin e parë të Tiranës. Goli i 14-të sezonal për sulmuesin pogradecar, njëherësh edhe më i miri i kampionatit për momentin.
Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Memelli shpërdoroi një rast flagrant, kur i vetëm përballë portierit Bejte ia “dhuroi” topin në dorë. Disa sekonda më vonë, pas një harkimi të Daniel Xhafës, Memelli goditi me kokë, ndërkohë që Bejte e devijoi në goditje këndi.
Në pjesën e dytë Memelli dha një asist për Devi Mukën dhe kapiteni Muka shënoi nga afër golin e dytë në minutën e 64-t. Në minutën e 83-të kapiteni i Lushnjës, 28-vjeçari Gentian Çela, shkurtoi diferencën me një goditje perfekte nga pika e bardhë e penalltisë.

SHKUMBINI-FLAMURTARI 1-1
Gjyqtari Kridens Meta anuloi një gol në minutën e fundit për Shkumbinin, duke e tensionuar jo pak situatën në Peqin, në barazimin 1-1 me Flamurtarin.
Dy skuadrat ripërballeshin në harkun e një jave në fushën e Peqinit, por në ndeshjen e javës së 22-të, Shkumbini fitoi me rezultatin e ngushtë 2-1. 20-vjeçari Erjon Mustafaj, një nga prodhimet më cilësore të ekipeve zinxhir të Shkumbinit realizoi në minutën e 12-të golin për skuadrën e Gugash Maganit, me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Një tjetër 20-vjeçar, por kësaj radhe produkt i pastër i shkollës vlonjate, Franc Veliu, vendosi ekuilibrat në minutën e 82-të, duke i dhënë një pikë të çmuar vlonjateve në barazimin e dytë sezonal me peqinasit, pas atij të fazës së parë në Vlorë (0-0).

BESA-ELBASANI 1-1
Liridon Leci, me golin e tij të minutës së 65-të, i dhuroi një barazim me vlerë Besës së Kavajës kundrejt një Elbasanit që falë golit me kokë të Eleandro Pemës (asist i Ilir Qorrit) në minutën e 25-të, dukej se do t’i sillte trajnerit Faruk Sejdini fitoren e parë nën drejtimin e verdhebluve.
Të mërkurën për ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, Besa do të presë në shtëpi Shkumbini, ndërsa Elbasani në “Ruzhdi Bizhuta” do të ketë mysafire Tiranën, ndaj së cilës barazoi dy herë në kryeqytet 0-0, përfshirë edhe ndeshjen e vlefshme për kampionat.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 23
07.03.2009, ora 15:00

Tirana-Lushnja 2-1
Vllaznia-Bylis 0-0
Dinamo-Apolonia 3-1
Shkumbini-Flamurtari 1-1
Besa-Elbasani 1-1
Teuta-Partizani 3-2

RENDITJA
1.Tirana 44
2.Vllaznia 42
3.Dinamo 41
4.Shkumbini 37
5.Besa 33
6.Teuta 32
7.Elbasani 26
8.Flamurtari 26
9.Partizani 25
10.Apolonia 24
11.Bylis 22
12.Lushnja 19

Vllaznia, edhe “Deda” nuk ia gjen dot ilaçin

Në dhjetë ditë e në 3 ndeshjet e fundit, Vllaznia ka humbur shumë nga skuadra simpatike e 20 javëve të para të kampionatit. Humbja 1-2 me Dinamon në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, humbja 4-0 në Durrës me Teutën, dorëheqja e detyruar e Agim Canajt, rikthimi i një trajner kampion si malaziasi Dervish Haxhiosmanoviç, e që kulmoi me barazimin e zbehtë 0-0 me Bylisin e teknikut shkodran Hysen Dedja.
Edhe “Deda”, i cili deklaroi para ndeshjes se Vllaznia kishte probleme të karakterit psikologjik, nuk ka mundur të gjejë dot “ilaçin” për të shëruar klubin më të vjetër në Shqipëri. Vetëm një shtyllë e Xhevair Sukajt në minutat e fundit të takimit, ishte shumë pak për skuadrën që pretendojë për herë të 10-të Kampionatin Kombëtar të futbollit.
Dy pikë më pak se Tirana e vendit të parë dhe një pikë më shumë se Dinamo e vendit të tretë, e rrezikojnë shumë objektivin madhor të vendosur nga presidenti Valter Fushaj. Gjithsesi, gjithçka do të “sqarohet” pas ndeshjes së kthimit të Kupës së Shqipërisë, ku Vllaznia do të luajë në kryeqytet pikërisht kundër Dinamos, me të cilën ka disa “hesape bamirësie”.

Talenti Vila, dy gola për ditëlindje

“Djemtë e artë” të Teutës, dy sulmuesit 20-vjeçarë, Emiljano Vila (mbush 21 vjeç, më 12 mars) dhe Vilfor Hysa, i dhuruan fitoren e dytë radhazi të rëndësishme “Djemve të detit” të udhëhequr nga Sulejman Starova, në fitoren dramatike 3-2 ndaj Partizanit në “Niko Dovana”, pavarësisht se të kuqtë e Shpëtim Duros e udhëhoqën dy herë radhazi rezultatin.
Fantazisti Rezart Maho nxori të lirë Marius Ngjelën, i cili me një diagonale cinike shënoi një gol të denjë për t’u riparë disa herë në minutën e 36-të takimit. Pesë minuta nga fillimi i pjesës së dytë, skuadra durrsake barazoi rezultatin me një gol të realizuar nga talenti 20-vjeçar Emiljano Vila (50’), i cili mposhti me një goditje me kokë portierin durrsak të Partizanit, Orges Shehi.
Partizani rimori kryesimin e përkohshëm (1-2), falë penalltisë së realizuar me penallti nga Erando Karabeci në minutën e 71-të. Me të njëjtën mënyrë vendosi ekuilibrat (2-2), Emiljano Vila, i cili shndërroi në gol penalltinë të fituar po vetë. Kur dukej, se dy skuadrat do të shkonin drejt barazimit të tretë sezonal (dy të parat kishin përfunduar 0-0), Vilfor Hysa shënoi golin e fitores 3-2 në minutën e 93-të.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›