Duro, me rastin e 8 Marsit, garanton më shumë barazi gjinore
Ministri i Punës, Anastas Duro, ka garantuar dje, një ditë para 8 Marsit, më shumë barazi gjinore. Në një takim me gra arsimtare, apo në poste drejtuese vendimmarrëse, Duro ka theksuar se ligji tashmë që ka vendi ynë plotëson gjithë kuadrin ligjor, për të mbrojtur të drejtat e gruas shqiptare. Ligji për barazinë gjinore në shoqëri i miratuar në 30 korrik të vitit të kaluar, sanksionon saktësimin e barazisë gjinore në mjaft fusha të rëndësishme të jetës, si në punësim dhe trajtim. Në takim ka qenë e pranishme dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila tha se gruaja po luan një rol dhe në politikat vendimmarrëse. Sipas saj, kuota 30 për qind e përfshirjes së grave në listat si kandidate për deputet është një hap drejt ndryshimit.
Paralajmërimi i romëve: “Do të bojkotojmë zgjedhjet”
Apeli i presidentit Bamir Topi për angazhimin e romëve në zhvillimet politike vjen në një moment kur ky komunitet ka paralajmëruar se do të bojkotojë zgjedhjet e 28 qershorit. Arsyet janë dy: një pjesë e tyre nuk kanë mundësi ekonomike të paguajnë kartat e identitetit, ndërsa shumë të tjerë nuk ekzistojnë në regjistrin e Gjendjes Civile. Shifrat e Ministrisë së Punës flasin për 80 mijë romë, ndërsa ato të shoqatave, për mbi 120 mijë, nga të cilët 40 për qind me të drejtë vote, janë pa dokumente identifikimi. Vendimin për të mos votuar, vetë pjesëtarët e këtij komuniteti, e argumentojnë me faktin se qeveria kujtohet për ta vetëm kur ka zgjedhje. Numri më i madh i romëve janë të vendosur në Tiranë, mbi 15 mijë. Sipas një llogaritjeje paraprake, votat e tyre zgjedhin të paktën një deputet në Parlamentin e ardhshëm të Shqipërisë.
9 Mars 2009