E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron mësueset, kritikon Ramën për shkollat



Kryeministri i vendit, Sali Berisha, uroi të gjithë arsimtarët me rastin e festës së 7 Marsit. Kryeministri vlerësoi se shkolla është vatra e dytë e ngrohtë familjare, vatra e dijes dhe e formimit profesional të fëmijëve tanë. Berisha u shpreh se çdo mësues i këtij vendi është i sigurt se më 1 maj të vitit 2009 rroga e tij do të jetë dy herë më e lartë se në vitin 2005.
Shefi i qeverisë akuzoi kryetarin e Bashkisë se në këto vite ka ndërtuar vetëm dy shkolla dhe ka rikonstruktuar vetëm gjashtë palestra, që janë shumë pak nga ajo që ai duhet të realizonte. “Prisja më shumë nga Rama, por kjo nuk ndodhi sepse metamorfoza e ndërroi atë në mister 15 për qindëshin. Dhe si gjithnjë faturën e paguajnë fëmijët. I bëj thirrje që t’i japë fund babëzisë dhe me urgjencë të përcaktojë trojet për ndërtimin e shkollave të vendit”, - u shpreh Berisha.

Shalsi: “Bashkia ka ndërtuar 37 shkolla”

Nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi, reagoi pas akuzave të bëra nga kryeministri i vendit në Ditën e Festës së Mësuesit. Numri dy i Bashkisë deklaroi se nga ky institucion janë ndërtuar 37 shkolla, të cilat ishin të programuara nga Bashkia e Tiranës. Ai i konsideroi shpifje dhe të pabaza akuzat e kryeministrit, i cili nuk ka firmosur ende për shkollën e Bregut të Lumit. Kjo shkollë pritet të ndërtohet, por kryeministri nuk ka dhënë miratimin e tij për t’u hapur rrugë investimeve. “Bashkia ka ndërtuar 37 shkolla në 4 vjet dhe puna jonë ka qenë evidente. Problem mbetet bllokimi i punimeve për shkollën e Bregut të Lumit, e cila pret firmën e kryeministrit”, - u shpreh Shalsi.
Shalsi u shpreh se Berisha duhet japë arsyet se përse nuk firmos për këtë shkollë dhe pengon vazhdimisht punën e Bashkisë.

Meta: “Qeverisja e ardhshme e LSI-së do të dyfishojë pagat e arsimtarëve”

LSI-ja prezantoi programin e saj qeverisës për sistemin arsimor përpara një paneli me profesorë të universiteteve, pedagogë dhe mësues të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare. Prioritetet programore të reformës në arsim i paraqiti lideri i LSI-së, Ilir Meta. Meta tha se qeverisja e ardhshme e LSI-së do të dyfishojë pagat për arsimtarët në të gjithë Shqipërinë. “Në qendër të reformës tonë do të jetë rivlerësimi i figurës së nderuar e respektuar të mësuesit. Paga e tyre do të dyfishohet brenda mandatit të ardhshëm qeverisës. Por mësuesi do të respektohet në tërësinë e misionit së tij fisnik si edukator”, - tha Meta. Ai shtoi gjithashtu se prioritet i programit të qeverisë për arsimin është zhdukja e analfabetizmit në vend.

Shamku: “Mirënjohje për mësuesit që kanë kontribuar në arsimimin e brezave”

Kryetarja e Komisionit të Edukimit në selinë rozë, Ledia Shamku, uroi gjithë mësuesit me rastin e 7 Marsit. Ajo shprehu mirënjohjen për të gjithë mësuesit që kanë kontribuar për arsimimin e brezave të rinj. “Mësuesit, ata që prej shekujsh e mbajnë ndezur këtë dritë, meritojnë sot ta dëgjojnë sa mirënjohje mban në zemër ky komb për ta. I faleminderit kujtimit të të gjithë atyre mësonjësve që nuk e lanë kombin të humbë identitetin e vet kulturor europian. I faleminderit Mark Skurës për shkollën shqipe në Kurbin në 1632-shin e largët, arbëreshit Nilo Katalano për shkollën shqipe në Himarën tonë po në atë vit”, - theksoi Shamku.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›