E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Mjeku urolog dyshohet për pastrim parash



Bashkëpunim me Hipotekën dhe Përmbarimin për pasuri të tjera të 66-vjeçarit

Dyshohet se paratë dhe pasuritë janë fituar nëpërmjet aktivitetit të paligjshëm

Mjeku urolog Kastriot Dautaj dyshohet edhe për pastrim parash. Ky dyshim i organit të akuzës është duke u hetuar dhe pritet që pas mbërritjes së konfirmimit nga organet përkatëse, të cilave u është drejtuar Prokuroria, të ngrihet ose jo kjo akuzë e dytë për mjekun e akuzuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Sipas burimeve nga akuza, denoncimet e personave të ndryshëm, shuma e madhe e parave e gjetur në dy banka të nivelit të dytë, si dhe dyshimi se këto para të fituara janë investuar në biznes të familjes Dautaj, kanë detyruar hetuesit të kërkojnë ndihmën e organeve të tjera, si Përmbarimi, Hipoteka dhe të tjera organeve ndihmëse për hetimin e mjekut. Nëse rezulton se përveç këtyre shumave të parave mjeku disponon edhe pasuri të paluajtshme të siguruar gjatë këtyre viteve të fundit, atëherë mbi të rëndojnë dyshime të arsyeshme se këto pasuri janë vënë nëpërmjet fitimit në mënyrë korruptive të parave, pra në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, shtojnë burimet nga akuza, mjeku mund të akuzohet për pastrim të parave të pista edhe nëse vërtetohet se copëzimi i parave në banka të ndryshme është bërë për t’i shpëtuar deklarimit të të ardhurave, një mënyrë për të shmangur deklarimin e fitimeve. Mjeku urolog Dautaj është arrestuar nga policia në kushtet e flagrancës, pasi iu gjetën në xhep 50 mijë lekë të reja, të cilat i ishin dhënë nga i afërmi i një pacienteje të sapooperuar. Mjeku e ka mohuar një fakt të tillë, duke deklaruar se nuk dinte gjë se çfarë i kishin futur në xhep, ndërkohë që babai i gruas së operuar u shpreh se persona të tjerë ia kishin bërë të ditur tarifën që donte mjeku për çdo ndërhyrje kirurgjikale. Pas arrestimit, mjekut iu gjetën të depozituara në dy llogari bankare të bankave të nivelit të dytë rreth 700 mijë USD, të cilat dyshohet të jenë fituar nga aktiviteti korruptiv pas çdo operacioni. Por, kësaj akuze, 66-vjeçari i ka gjetur një justifikim para togave të zeza, duke u shprehur se i kishte siguruar gjatë viteve të shumta të punës, punësimit në disa klinika, rrogës së gruas dhe të ardhurat nga dy djemtë që ka në Amerikë. Arrestimi i tij u bë pas 6 muajsh përgjime, të nisura nga policia fill pas denoncimeve të një pacienteje se doktori merrte shuma të konsiderueshme parash për një operacion të kryer. Madje, ndaj tij rëndon edhe një akuzë për shitjen në Kosovë të veshkës së një shtetaseje, e cila as që kishte dijeni për heqjen e saj. Mjekut urolog iu gjetën në momentin e arrestimit 50 mijë lekë të reja, të cilat i ishin dhënë me dëshirë nga babai i pacientes së sapooperuar.

Somario

“Copëzimi i parave në disa banka për të shmangur deklarimin e të ardhurave është një formë e pastrimit të parave”, sipas prokurorit

Detaj

2 ishin llogaritë bankare në valutë të mjekut urolog Dautaj, të cilat dyshohen të jenë siguruar nga aktiviteti i paligjshëm

shkurte

Burgje

Shtohen kërkesat për leje nga të dënuarit, mbi 200 kërkesa në muaj

Dita-ditës në burgjet shqiptare shtohen kërkesat e të dënuarve për përfitim të lejes disaditore, duke pasur parasysh një nga kriteret, sjellja e mirë. Në burgjet e sigurisë së zakonshme kërkesat janë edhe më të shumta, shtojnë burimet, duke saktësuar se vetëm në një muaj janë mbi 200 të dënuar që kanë paraqitur kërkesë për të qenë pranë familjes për disa ditë. Falë edhe ndryshimeve në ligj, të dënuarit tashmë kanë mundësi që të parashtrojnë kërkesë te autoritetet e burgjeve për t’u pajisur me leje. Ndonëse shpesh ka pasur të dënuar që nuk janë kthyer në qelitë e burgut, të dënuarit janë shprehur se “gjithsecili e mban riskun vet. Nëse nuk kthehet, penalizohet dhe i shtohet një masë tjetër dënimi. Nuk ka përse të dënohemi kolektivisht për një ndodhi të tillë”. Qysh prej festave të fundvitit, në burgjet shqiptare janë dhënë leje për të dënuarit, aq sa e parashikon edhe ligji, si për ditë, ashtu dhe për kritere që duhen plotësuar. Përgjithësisht, ditët e lejeve janë respektuar nga të dënuarit, çka ka sjellë edhe dhënie lejesh më tepër se në fillim nga drejtuesit e burgjeve. Ndërkohë, burime nga burgjet shtojnë se një tjetër e re në këtë institucion është përafrimi i ditës kur do mbarojë burgu i Durrësit për të dënuarit e sëmurë, duke sjellë në këtë mënyrë transferimin e të dënuarve drejt qytetit bregdetar. Ndërkohë që, po sipas burimeve, godina e re do të përdoret për shërbime më të lehta, por në funksionin e një ambulance.

Gjykatë

Akuzohet për abuzim seksual me vajzën, nis gjyqi për Ramadan Isufajn

U akuzua nga vajza e tij se për disa vite kishte abuzuar seksualisht me të, në mënyrë sistematike. Kjo ka qenë arsyeja për të cilën i vunë prangat dhe pas përfundimit të hetimit, dje ka qenë seanca e parë në ngarkim të këtij të pandehuri. Seanca e parë është shtyrë, ndërkohë që togat e zeza kanë caktuar një seancë të afërt për parashtrimin e kërkesave paraprake nga ana e palëve në proces. I pandehuri e ka mohuar gjatë procesit hetimor një akuzë të tillë, madje dhe vetë vajza e tij e ka tërhequr denoncimin gjatë kohës që babai i saj ndodhej në qelitë e paraburgimit. Megjithatë, prokuroria vazhdoi hetimet dhe tashmë çështja ndodhet për gjykim në Gjykatën e Tiranës.

Procesi

Zhvillohet seanca e parë, Uzina e Gramshit përballë Albdemilit

Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar dje seanca e parë midis palëve, Uzina Mekanike e Gramshit dhe kompania Albdemil. Sipas burimeve nga gjykata, seanca e parë ka qenë përgatitore dhe palët janë njohur me kërkesë padinë dhe u është kërkuar që secila të sjellë provat përkatëse, duke e kaluar seancën e fazën e shqyrtimit gjyqësor. Albdemili është paditur nga përfaqësuesit ligjorë të kësaj uzine se nuk i është përmbajtur kontratës për demontimin e municioneve. Sipas kërkesëpadisë, kompania Albdemil e Delijorgjit paditet për prishjen e kontratës që kishte nënshkruar për demontimin e predhave të rënda. Konkretisht, firma Albdemil i ka borxh uzinës 2.1 milionë lekë të reja për një javë punë që punëtorët kanë kryer. Delijorgji ka paguar vetëm një javë punë demontimi, ndërkohë që pas ngjarjes së Gërdecit, kontrata është prishur.

Gjyqi

Më 29 korrik, seanca e parë për masakrën e Cërrikut

Caktohet jo vetëm gjyqtari, por edhe data kur do të fillojë seanca e parë gjyqësore në ngarkim të nëntë të pandehurve të akuzuar për masakrën e Cërrikut. Sipas burimeve, data e parë e këtij procesi gjyqësor do të jetë më 29 korrik, ku pritet legjitimimi i palëve dhe nisja e seancës me kërkesat paraprake të palëve. Të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen se në bashkëpunim edhe me të tjerë persona u kanë zënë pritë dhe kanë masakruar disa gardistë, të cilët kishin shkuar për të ndërhyrë për postën e policisë, e cila ishte marrë nga civilët. Dosja voluminoze u është vënë në dispozicion avokatëve të të pandehurve dhe gjykatës, ndërkohë që pritet që në këtë proces të thirren rreth 200 dëshmitarë, disa prej të cilëve të mbijetuar në këtë masakër dhe dëshmitarë okularë të ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›