E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përuron mbikalimin e Kamzës

Tirana ka një tjetër mbikalim të ndërtuar në Kthesën e Kamzës, në përurimin e të cilit Kryeministri Sali Berisha kërkoi dhe pjesëmarrjen e kryebashkiakut Edi Rama. Berisha përuroi dje paradite mbikalimin e Kamzës, në hyrje të Tiranës. Rruga me 6 korsi përfaqëson portën kryesore për të hyrë në Tiranë nga pjesa perëndimore në aksin rrugor Tiranë - Durrës. Për kreun e qeverisë, mbikalimi i Kamzës është një tjetër premtim i mbajtur. “Tirana bëhet me hyrje evropiane”, - tha Kryeministri, duke theksuar se kjo vepër do të lehtësojë shumë trafikun e automjeteve në këtë zonë të Tiranës. Por Kryeministri theksoi se pavarësisht se kjo vepër e bën kryeqytetin e Shqipërisë me hyrjen e tij evropiane, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk merr pjesë në ceremoninë e përurimit të saj. Ky projekt cilësohet si një nga veprat më të rëndësishme, pasi do të ndihmojë në lehtësimin e lëvizjes së automjeteve, si në drejtim të Durrësit, ashtu dhe në drejtim të veriut të vendit. Duke vënë theksin tek premtimet e mbajtura të qeverisë, kreu i saj nënvizoi se “në një hark kohor të shkurtër ne kemi inauguruar një seri veprash publike shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe ju siguroj se zinxhiri i inaugurimeve të kësaj qeverie do të mbyllet me ndërtimin e plotë në Shqipëri të një rrjeti rrugor modern evropian”. Projekti është financim në vlerë 7 milionë euro i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe punimet që u zbatuan nga firma austriake "Alpine Mayreder Bau" nisën në qershor të 2007-ës. Me ndërtimin e këtij mbikalimi harmonizohet lëvizja e trafikut hyrës dhe dalës nga Tirana në drejtim të Durrësit, trafiku që i drejtohet veriut në drejtim të Kamzës, si dhe ndërlidhja funksionale me rrugët paralele Tiranë - Vorë. Mbikalimi në Kthesën e Kamzës përbën portën kryesore për të hyrë në Tiranë. Punimet në këtë vepër publike përfshinë ndërtimin e një aksi kryesor me një gjatësi 1040 m, i ndarë në 6 korsi me 3.75 m secila, një rrethrrotullim me gjatësi 700 m, si dhe rrugë shërbimi me gjatësi 2 km.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›