E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panik në Poliçan, tre të tjerë preken nga epidemia

Epidemia në Poliçan shënon edhe tre raste. Dy burra dhe një grua u paraqitën dje në gjendje të rëndë në qendrën shëndetësore të qytetit, me të njëjtat simptoma si të 120 të prekurve të tjerë. 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

Me të vjella, temperaturë e diarre, ata kanë kërkuar ndihmën e bluzave të bardha.
RASTET
Të prekurit e djeshëm e çojnë në 123 numrin e personave, të cilët kanë marrë virusin gastro-enterit. Sipas mjekëve në Poliçan, pacientët janë dy 50-vjeçarë dhe një 35-vjeçare. Ata tashmë po trajtohen me medikamentet përkatëse, por paniku ka mbërthyer gjithë qytetin. Banorët nuk dinë se me kë të besojnë dhe si të veprojnë. Burime nga ujësjellësi i qytetit pohojnë se, virusi nuk është pasojë e ujit të papastër, ndërsa të kundërtën thekson Ministria e Shëndetësisë, e cila në rezultatet e saj nxori pikërisht ujin e Bogovës si shkaktare të kësaj epidemie. “Nuk dimë si të veprojmë. Një herë na thonë të mos e përdorim ujin, njëherë ta ziejmë... Ka përplasje deklaratash, por ne po vuajmë këtë sëmundje. Na ka ndarë për së gjalli nga njerëzit tanë. Janë vënë në karantinë e nuk na lejohet të kontaktojmë me ta”, thonë banorët. Ata tashmë janë konfuzë e nuk dinë nëse epidemia erdhi nga uji, apo nga ushqimet e skaduara që mund të kenë mbetur stok në dyqanet e qytetit. Të ndodhur në situatë të tillë, banorët e Poliçanit dje kanë shkuar në Berat për të blerë ushqime. Ata i kanë kërkuar pushtetit vendor që t’i drejtohet Ministrisë së Shëndetësisë për të dërguar sërish në Poliçan një grup ekspertësh ku të përcaktohet qartë shkaku i kësaj epidemie. Përhapja e lajmit se në qytet janë shënuar raste të reja, ka trembur tej mase banorët, të cilët duket se janë dorëzuar duke shpresuar vetëm tek “fati i mirë” që virusi të mos futet në shtëpitë e tyre.
UZINA
Përveç lajmit të keq, se tre të tjerë janë prekur nga epidemia, kryebashkiaku i Poliçanit ka komunikuar dhe një tjetër për banorët e qytetit të tij. Ministria e Mbrojtjes pasi dha “OK” që pushteti lokal të ndërhynte në zonën e uzinës së armëve për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit, një urdhër i dytë shfuqizon atë të parin. Pra, me një shkresë zyrtare, dikasteri i mbrojtjes nuk lejon bashkinë dhe ujësjellësin e qytetit që të ndërhyjnë, duke argumentuar se zona është ushtarake. Kryebashkiaku Adriatik Zotka i ka bërë kërkesë qeverisë për të anuluar këtë vendim të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas tij arbitrar. “Nuk e dimë nëse ky urdhër ka dalë nga zyra e ministrit Oketa apo të ndonjë zyrtari që kërkon të luajë me jetën e këtyre njerëzve, të cilët po kërkojnë ndihmë për të shpëtuar”, tha Zotka, duke shtuar se po pret një përgjigje nga qeveria për të ndryshuar këtë urdhër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›