Rregulla të reja për lojërat e fatit promocionale
Rregulla të reja për lojërat e fatit promocionale. Të gjitha lojërat promocionale, që zhvillohen përmes mesazheve apo telefonatave, tani do të zhvillohen vetëm pasi të marrin autorizimin nga Ministria e Financave. Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria, subjektet që kërkojnë të organizojnë këto lojëra duhet të paraqesin, bashkë me kërkesën dhe dokumentacionin e regjistrimit të tyre, si subjekte tatimore dhe shlyerjen e rregullt të detyrimeve, edhe rregulloren dhe mënyrën e organizimit të lojës. Ministria e Financave është e detyruar të lëshojë licencën, në përmbushje të rregullave të përcaktuara, brenda 20 ditëve pune nga bërja e kërkesës për këtë aktivitet, ose refuzimin për të. Për marrjen e një autorizimi, vendimi përcakton se subjekti duhet të derdhë më parë për llogari të Ministrisë së Financave shumën 200 mijë lekë. Vendimi përcakton se, në rast refuzimi të autorizimit, shuma e paguar është e kthyeshme nga autoriteti, pranë të cilit është arkëtuar, brenda 20 ditësh nga data e refuzimit të autorizimit. Për dy lojëra promocionale, si ajo me mesazhe dhe me anë të telefonatave, janë vendosur disa kushte. Në rastin e lojërave promocionale me anë të mesazheve sms, organizatori duhet të deklarojë koston e një mesazhi, me ose pa TVSH-së, e cila nuk mund të kalojë vlerën 60 lekë pa TVSH-ë. Numrin në të cilit duhet të dërgohet, si dhe operatorin që do të ofrojë shërbimin. Në rastin e lojës promocionale me anë të telefonatave, organizatori duhet të deklarojë koston e një telefonate me ose pa TVSH-ë, kjo kosto nuk mund të jetë më e lartë se 300 lekë pa TVSH-ë. Numrin drejt të cilit duhet të dërgohet si dhe operatorin që ofron shërbimin.