E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas turnit të tretë, qeveria kusht të ri për ndërtuesit

 

Fabiola Çela

Qeveria vendos ku-shte të reja për kompanitë e ndërtimit të rrugëve. Pak kohë më parë qeveria vendosi që kompanitë duhet të punojnë edhe me turne të treta, në mënyrë që të përfundohet në kohë ndërtimi i rrugëve. Ndërkohë në mbledhjen e djeshme, qeveria vendosi një kusht të ri. Asnjë kompani ndërtimi nuk do të ketë të drejtë të marrë pjesë në tenderët për punë publike, në rast se nuk ka përfunduar 70 për qind e kontratës së mëparshme.
Projektvendimi
“Kompanitë shqiptare të ndërtimit, gjatë këtyre viteve të fundit, pasi qeveria rriti nga 1 milion euro që kishin të drejtën e tenderit në 10 milionë euro, ato iu përgjigjën këtyre përgjegjësive me rritje të kapacitete dhe cilësisë. Por sërish konstatojmë se nuk janë në nivelin e potencialit financiar të qeverisë. Ndaj vendosim që nuk do të kenë të drejtë të marrin pjesë në tender kompanitë që nuk kanë përfunduar 70 për qind të kontratës së mëparshme. Ky vendim nuk synon ndëshkim, por një obligim të tyre për të investuar në të gjitha aspektet në kompanitë e tyre”, është shprehur dje gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, kompanitë duhet të fuqizojnë kapacitetet, të blejnë makineri, të fuqizojnë stafet dhe të zmadhohen. “Ne filluam ta ndajmë rrugën me lote dhe po marr rastin e rrugës Fushë Krujë-Milot, që u nda në 8 lote dhe sërish e njëjta situatë, pasi çojnë dy fadroma në një vend, tre makineri në një vend tjetër.  E studiuam praktikën e loteve dhe pamë që edhe kjo praktikë përfundoi në labirintet e plogështisë”, është shprehur kreu i qeverisë Berisha. Në këtë mënyrë, qeveria ka vendosur një kusht të ri për të nxitur kompanitë e ndërtimit të rrugëve, për t’i nxitur ato të përfundojnë sa më shpejt projektet. Projektvendimi i miratuar dje nga qeveria konsiston në “kufizimin e subjektit për t’u kualifikuar si fitues për punë publike, të prokuruar sipas ligjit të prokurimit publik nëse janë fitues apo kanë në proces në një njëjtën kohë në një njëjtin autoritet si kontraktor apo nënkontraktor, një investim sipas një kontrate të lidhur, apo në proces për t’u lidhur sipas ligjit për prokurimin publik me vlerë të përbashkët ose të veçantë që tejkalon 70 për qind të vlerës së kategorisë që mban subjekti”. Aktualisht kufiri është deri në vlerën 100 për qind të kategorisë së lejuar, por zbatimi në praktikë i këtij akti nënligjor ka dështuar. Gjithashtu në projektvendim parashikohet që kufizimi të jetë për një autoritet kontraktor dhe jo për të gjithë autoritet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›