E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, masa për dhunën ndaj 49-vjeçarit

 

GJIROKASTER - Policia e Gjirokastrës ka marrë masat e para ndëshkimore për protagonistët e dhunës së ushtruar ndaj Bexhet Serjanit një javë më parë në Komisariatin e Policisë së Tepelenës. Ato janë marrë pas një pune investigative nga ana e organeve të SHKB-së dhe vetë administratës së Drejtorisë së Policisë Rajonale të Gjirokastrës. I akuzuari kryesor i rrahjes shtazarake të 49-vjeçarit Bexhet Serjani, komandanti i policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë së Tepelenës Argjir Cela, është pezulluar me urdhër të drejtorit të Policisë së Qarkut, Arben Hyseni, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë organeve të drejtësisë të hetojnë rastin e dhunës së ushtruar nga ai në dëm të Serjanit. Pa masë ndëshkimore nuk ka ngelur as edhe shefi i Komisariatit të Policisë së Tepelenës Enver Meçe, i cili pas raportimeve nga vendngjarja, dëshmive të vetë të dhunuarit dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë, doli se ai ka qëndruar indiferent ndaj këtij akti të dhunshëm. Paralajmërim për përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit është masa e dhënë për të. Mosveprimi i Meçes në momentet e dhunës dhe aq më tepër kur kjo dhunë u ushtrua në ambientet e policisë ka sjellë reagimin më të ashpër karshi një funksionari të policisë së Gjirokastrës gjatë dy viteve të fundit. Ndërkaq, edhe dy policët e shërbimit të gjendur në ditën e ushtrimit të dhunës, kanë marrë masa administrative, duke u hequr rrogën e dy muajve. Reagimi i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, vjen në një kohë kur organizmat të akredituara në Gjirokastër si KSHH, apo dhe përfaqësitë ndërkombëtare kanë reaguar për këtë çështje të paprecedentë.               p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›