E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, plagoset me thikë në mesnatë 28-vjeçari

 

SARANDE – Plagoset në mesnatë 28-vjeçari. Një sherr me thika ndodhi në qendër të qytetit të Sarandës, duke shënuar një person të lënduar rëndë dhe një tjetër të arrestuar. Halo Zhupa, 28 vjeç, nga një fshat i Delvinës është transportuar menjëherë në spitalin e Sarandës, për shkak të plagëve të marra. Sipas policisë, pak pas mesnatës së të mërkurës, Zhupa është përfshirë në një konflikt me 3 persona të tjera. Ata janë përleshur fizikisht e më pas dy prej të rinjve kanë nxjerrë thikat. Gjithçka ka ndodhur në afërsi të shatrivanit, në qendër të Sarandës. Kalimtarë të rastit kanë parë të shtrirë përtokë dhe të gjakosur 28-vjeçarin. Menjëherë ata e kanë transportuar drejt urgjencës “Stefan Mekshi” të qytetit, ndërsa agresorët ishin larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes pas krimit të kryer. Burime spitalore bëjnë të ditur se viktima i është nënshtruar menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi nga dy goditjet me thikë kishte pësuar dëmtime në mushkërinë e djathtë dhe në shpretkë. Gjendja e tij vazhdon të paraqitet e rënduar. Agjentët e policisë kriminale të Sarandës, kanë nisur operacionin për kapjen e autorëve dhe brenda 15 minutash, janë paraqitur në sallën e mjekimit intensiv në spitalin e qytetit ku mbahet edhe i plagosuri, me 3 shtetas të prangosur. Viktima Halo Zhupa, edhe pse në gjendje të rëndë u ka drejtuar gishtin dy prej tyre, duke thënë se ata e kishin goditur me thikë, ndërkohë që i treti e kishte goditur me grushte. Pas hetimit të ngjarjes u bë arrestimi i Bajram Memollës, 24 vjeç, nga Vlora, i dënuar 1 vit më parë për plagosje në të njëjtin vend. Ndërsa i plagosuri Zhupa njihet nga policia se vitin e shkuar u plagos në kufi nga një polic greke, në një tentativë trafiku.                                  sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›