E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panterat gri 20-vjeçare

çmenduria e fundit e adoleshentëve për t’i bërë flokët në një ngjyrë që është e vështirë të harrohet ndryshe nga mamatë e tyre, sapo u dalin thinjat e para shpenzojnë shumë për t’u rikthyer brune apo kuqe

Mamatë e tyre, sapo u dalin thinjat e para shpenzojnë shumë për t’u rikthyer brune apo kuqe. Kështu, sipas vlerësimit të “Nielsen” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm për vitin 2009 u shpenzuan 1.3 milionë dollarë për bojërat e flokëve. Megjithatë, adoleshentet më trendi të Nju Jorkut dhe Londrës janë krejtësisht kundër këtij fenomeni: i kërkojnë gjithmonë parukierit t’i bëjnë flokët gri nën shembullin e Pixie, vajzës së Bob Geldof, të pop-star Pink, apo trashëgimtares Daphne Guinness. Madje, në këtë grackë ra edhe Kate Moss, por vetëm për disa ditë. Thjesht sa për të prezantuar një koleksion të ri çantash, pastaj iu rikthye ngjyrës së saj të preferuar: lajthisë. E fundit, sipas rendit kohor që vendosi t’i bënte flokët gri ishte Tari Gevinson, 13 vjeçe, një fashion blogger që gjatë sfilatave ulet në rreshtin e parë përkrah Anna Wintour të “Vogue America” apo Carine Roitfeld të “Vogue Paris”. Nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen një vajzë kaq e re me një ngjyrë të tillë flokësh. Megjithatë, fenomeni po përhapet me shpejtësi marramendëse dhe pyetjet që shtrohen mbi këtë çështje janë të shumta. Për shembull, mos ndoshta kanë dëshirë të duken më të mëdha dhe më të pjekura? Por për parukierët “më shumë se një gri që anon nga e bardha ajo duket një ngjyrë e çmendur, pak punk si në vitet ‘80. E keni parasysh kur dolën në modë flokët e verdhë, rozë apo bojëqielli, pastaj një bezhë shumë e veçantë. Ngjyrat shkojnë dhe vijnë sipas modës dhe asaj që marketingu është i aftë të bëjë”. Një meritë e veçantë i takon filmit të Sophia Coppola kushtuar jetës së Maria Antonietta-s. Flokët ngjyrë gri si ato të parukeve që anëtarët e familjes mbretërore vendosnin në kokë shumë kohë më parë janë kthyer sërish në modë.

Liza në botën e çudirave

Ikona më me influencë për momentin duket se është Anne Hathaway, ose ndryshe Mbretëresha e Bardhë në “Liza në botën e çudirave”. Por sipas “New York Times”, mesazhi i fshehur për zbardhjen e parakohshme të flokëve është i tillë: “Kam shumë para, shumë gusto dhe kurajë për të thyer tabutë”. Por megjithatë, sipas parukierëve, këto vajza duan flokë me një ngjyrë “të vështira për t’u bërë, për t’u mbajtur dhe të pamundur për t’u harruar”. Në të vërtetë, kjo ngjyrë është e vështirë për t’u realizuar në sensin teknik, sepse procesi i dekolorimit kërkon shumë orë kohë. Pastaj proceset kimike që zhvillohen gjatë dekolorimit kanë më shumë mundësi ta shkatërrojnë flokun në krahasim me një bojë të thjeshtë që nuk zgjat më shumë se një orë e pak. “Nëse ka klientë që vijnë kur hapet dhe ikin kur mbyllet dyqani janë sigurisht ato që kërkojnë flokët gri”, thonë parukierët. Pastaj janë të shumtë ato që preferojnë ta bëjnë këtë proces në shtëpi, por duke nënvleftësuar rreziqet e oksigjenit. Ndaj këtij procesi duhet pasur shumë kujdes, pasi një sasi më e madhe e tij se ajo e parashikuara mund të çojë në rënien e flokut me pasoja të pariparueshme.

Prerja

Prerja në këtë lloj ngjyre merr një rëndësi shumë të madhe. Por nëse gratë 50-vjeçare preferojnë t’i shkurtojnë sa më shumë të jetë e mundur, vajzat e reja janë më tepër pro mendimit për t’i lënë të gjata dhe shpesh me onde. Ndoshta një tendencë e kopjuar nga stilistët Karl Lagerfeld dhe D&G ku një pjesë e mirë e modeleve në pasarelë kishin flokë me këtë ngjyrë të lëshuara mbi supe. Por në një ngjyrë të tillë dyshimi për paruke apo extension ekziston gjithmonë. E sigurt është se në veprime të tilla, duhet patjetër dora e një eksperti. Tashmë është bërë një legjendë urbane eksperienca e Faran Krentcil, 29-vjeçarja drejtoreshë e sajtit të revistës “Nylon”, që vendosi ta bënte këtë proces në shtëpi me shpresën se do të dilte si një princeshë roku, por në fund doli me një ngjyrë flokësh mes lejlasë dhe ngjyrës së plumbit. Në të tilla momente duhet patjetër një mikeshë e ngushtë që të ngushëllojë në pamjen e parë që të del para syve në pasqyrë. Sepse kjo eksperiencë mund të jetë shokuese.

Të bardhë në mënyrë natyrale

Për thinjat janë thënë, menduar dhe shkruar shumë gjëra. Janë hedhur hipoteza se shfaqja e tyre është pasojë e stresit, përdorimit të dietave të ndryshme, pagjumësisë, frikës, përdorimit të drogave, ndotjes së ambientit, apo janë gjenetike. Ka të tjerë që theksojnë se nëse këput një, të mbijnë dhjetë të tjera. Për t‘u dhënë fund të gjitha këtyre hipotezave, një grup studiuesish europianë kanë bërë një studim të detajuar mbi armikun numër një të flokëve të njeriut: thinjat. Sipas studimit, është peroksidi i hidrogjenit që prodhohet nga trupi ynë dhe përbërësi kryesor i ujit të oksigjenuar, ai që na i bën flokët e bardhë. Sipas studiuesve, ekziston mundësia për t‘i analizuar thinjat si në nivelin biokimik, ashtu edhe në atë molekular. "Ky zbulim hap dritare të reja mbi parandalimin dhe mundësitë e anasjella të procesit të plakjes", shpjegon një studiues.

Lëkura e kokës është favorizuesi kryesor për daljen e thinjave. Grumbullimi masiv i radikaleve të lira ndodh si pasojë e ushqimeve që konsumojmë dhe procesit të përditshëm të larjes e të tharjes së folikulave, faktorë që mund të bllokojnë prodhimin e melaninës, pigmentit tonë natyror. Thinja nuk ka melaninë dhe kjo është gjithçka që mund të thuhet për të. Sasia e pamjaftueshme e melaninës gjithashtu kontribuon në mungesën e lagështisë së flokut. Prandaj, nëse floku juaj është më i zbardhur, përmbajtja e tij bëhet më e thatë dhe më e ashpër. Një tjetër shkak është mungesa e antioksidantëve, që gjendet me pakicë te pacientët e prekur nga vitiligo (ato që kanë njolla të bardha në lëkurë), një sëmundje që shkakton shpigmentimin e lëkurës.

Sipas studiuesve, kombinimi i këtyre dy faktorëve, ose më saktë rritja e radikaleve të lira dhe pakësimi i enzimës së katalasë (catalase) mund të çojë në zbardhjen e flokëve. Nga ana natyrore, metabolizmi ynë prodhon radikale të lira, siç është edhe peroksidi. Ata që rrisin sasinë mund të jenë faktorë të tjerë, duke filluar nga stresi e deri tek ushqimi. Të gjitha qelizat që përbëjnë flokët tanë prodhojnë një sasi të vogël peroksidi hidrogjeni, që rritet kur plakemi. Jemi ne ata që e çngjyrosim pigmentin e flokëve tanë së brendshmi dhe kështu pak nga pak ato bëhen gri e më pas të bardhë”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›