Kur bunkerët mbilleshin nëpër oborre
Në një moment çmendurie u duk se njerëzit kishin mësuar që ta “donin bombën”. Lidhja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe armës që planet-shkatërruese ka qenë historia e një dashurie të tmerrshme e shndërruar më pas në një helmim masiv prej të cilit dalëngadalë Amerika kërkon që të shërohet dhe pastrohet. Që nga korriku i vitit 1945, kur Manhattan Boys ndriçuan natën e New Meksikos me shpërthimin e Trinity dhe Robert Oppenheimer dëgjoi ta quanin “shkatërrimtar të botëve” e deri te firma e traktatit të ri mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që do të hidhet në Pragë në lidhje me reduktimin e arsenalit të armëve bërthamore, kanë kaluar 75 vjet tmerri dhe tërheqjeje fatale.
Nuk ka pasur pasion më gërryes, por as frikë më të madhe në historinë e njerëzimit se ajo që shkaktoi shpërthimi i Alamogordës. Bomba që shkatërroi nga themelet Hiroshimën e më pas edhe Nagasakin, një muaj pas testimit të Trinity u duk se u dha qeverive, gjeneralëve, fizikanëve të helmuar nga ëndrra e pushtetit absolut si Eduard Teller, babai i “superbombës” me hidrogjen, çelësin e pushtetit absolut. Ishte çelësi që do t’u jepte më pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës pozicionin e supremacisë ushtarake absolute të planetit. Ishte një iluzion që zgjati 4 vjet derisa doli bomba e parë sovjetike “Piervaja Molnya” “Shigjeta e parë” e quajtur nga amerikanët si Joey-1, që binte nga emri i Stalinit. Kjo bombë e parë shpërtheu në lokalitetin e fshehtë në Aramaz-16. Ky shpërthim ishte fillimi i shpërthimeve të tjera, nga vende të tjera që kanë dashur ta kenë një armë të tillë për ta çuar botën në atë pozicion që është edhe sot. Këto armë kanë qenë dhe janë një kërcënim i vazhdueshëm për çdolloj shenje jete në tokë, përjashtuar disa lloj brumbujsh të aftë të mbijetojnë në të gjitha kushtet.
Sikurse ndodh edhe me vetë teknologjinë e bombës, edhe përhapja e saj nga një vend në tjetrin i ngjante një reaksioni zinxhir. Parashikimi plot ankth i disa prej të ashtuquajturve Manhattan Boys, që shpërthimi bërthamor do të ishte i pandalshëm dhe do të shkatërronte gjithë atmosferën e planetit tonë, u realizua jo në natyrë, por për sa i takon politikës dhe arsenalit të dy fuqive kryesore ushtarake të botës. Që nga shpërthimet e para shkatërrimtare të vitit 1945 dhe 1949, gara e pamundur drejt armës finale “superbombës” e drejtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Ted Teller dhe në Bashkimin Sovjetik nga Andrej Sakharov, gjeneroi një metastazë kokësh bërthamore, të vogla e të mëdha, që në vitet ’60 arriti shifrën e jashtëzakonshme prej 60 mijë pjesësh, 25 mijë në Shtetet e Bashkuara dhe 35 mijë në Bashkimin Sovjetik, pjesë që ishin të adoptueshme për çdolloj tipi rakete, apo lëshuesi atomik. Mënyra e përdorimit të tyre sa vinte e bëhej gjithnjë e më e lehtë. Armët bërthamore të kësaj periudhe nuk u ngjanin më atyre të fillimit të kësaj aventure shkatërrimtare, që ishin të komplikuara e të rënda. Armët e mëvonshme ishin fare të thjeshta dhe mund të viheshin në përdorim edhe nga ushtari më i zakonshëm.
Në fakt, kishte lindur një epokë e re e “kulturës së bombës”. Ndërkohë që McCarthy ndiqte spiunët komunistë i bindur se “të kuqtë” të vetëm nuk do t’ia dilnin kurrë që të mundin Amerikën me armë bërthamore, fëmijëve të kopshteve u shfaqeshin filma përmes së cilëve u tregonin se si duhet të mbrohemi nga shpërthimet bërthamore në bunkerët e betontë. Nëpër ndërtesat publike kishte nisur që të shfaqej simboli i tri i trekëndëshave të brendashkruar rrethit që ishte shenja dalluese e strehimeve bërthamore. Frika e vdekjes nderej mbi qytete-shtete. Sipas atyre që dinin më shumë nga armët bërthamore dhe dëmi që ato shkaktonin, në rast goditjeje më fatlumët do të ishin ata që do të vdisnin të parët. Në këtë klimë lindi “moda e bunkerëve”. Shumë baballarë të frikësuar për ardhmërinë e bijve të tyre shkrinë pasuritë e tyre për të ndërtuar bunkerë mbrojtës antibërthamorë në oborret e shtëpive. Kjo dashuri e çuditshme, dashuri tragjike do të vazhdonte dhe do të rritej deri në ditët e tetorit të vitit 1963. Zgjimi ishte si ai i një pijaneci që zgjohet befas në një trotuar pa e ditur se ku ndodhej. Destinacioni ishte Kuba. Ishin netët kur në Shtëpinë e Bardhë, sipas rrëfimeve të Pierre Salinger, zëdhënësi i shtypit, punonjësve u shpërndaheshin fletëkalimet për t’u futur në bunkerët bërthamorë për funksionarët e lartë, gjeneralët. Pikërisht në momentet e tmerrit ekstrem kur bota ishte një hap larg katastrofës Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik i Hrushovit panë në sy monstrën që kishin krijuar. Në këtë moment ata hodhën edhe hapin e parë, të vogël, pas. “Nëse ne dhe jo do të vazhdojmë që të ndodhemi në dy krahët e kundërta të litarit dhe do ta tërheqim vazhdimisht atëherë herët a vonë ai do të këputet me pasoja që unë dhe ju i dimë shumë mirë“, i shkruante sekretari i Parë i Partisë Sovjetike, Hrushov, Presidentit amerikan, Kenedi, në një letër. Doktrina e “Shkatërrimit reciprok të sigurt” me akronimin famëkeq “Mad”, kishte arritur kulmin dhe që nga ai moment do të niste edhe zbritja e ngadaltë dhe e mundimshme nga ajo majë famëkeqe pas kalimit të së cilës bota mund të kalonte në katastrofë. Fillimisht erdhi kufizimi i provave bërthamore në atmosferë dhe testimi i bombave me 50 deri 100 megaton që Bashkimi Sovjetik prodhonte me shumicë. Ato ishin bomba me një fuqi shfarosëse e shkatërrimtare të jashtëzakonshme që dëmtonin gjithçka të gjallë në një rreze prej 100 kilometrash nga vatra e shpërthimit. Më pas erdhën marrëveshjet për raketat antiraketë, të cilat duheshin ndaluar. Më pas erdhën tentativat e Niksonit me Brezhnievin, Fordit sërish me Brezhnievin për të ndaluar metastazën bërthamore me marrëveshjet “Salt”. Por sigurisht që kulmi i realizimit të këtyre marrëveshjeve ndodhi në epokën e Reganit dhe Gorbaçovit dhe marrëveshjes “Start” që parashikonte një pakësim shumë të përcaktuar të tstatave bërthamore dhe e çonte këtë numër në 2500.
ëndrra e të ashtuquajturit “opsioni zero“ , ai i asgjësimit të arsenalit në tërësi që Regan ia propozoi Gorbaçovit në Rejkiavik të Islandës në vitin 1986, duke i detyruar të gjithë gjeneralët, ekspertët dhe diplomatët që të mblidheshin me urgjencë nëpër korridoret e Shtëpisë së Bardhë, mbetet edhe në epokën e Barak Obamës një ëndërr, një objektiv i paarritur. Xhindi që doli nga “shishja” e Oppenheimerit, Bethe, Fermit, Segre, Teller në vitin 1945, i nxitur nga sulmi i japonezëve në Paqësor dhe frika se mos shkencëtarët gjermanë ndodheshin në prag të zbulimit të bombës, vazhdon që të endet nëpër botë. Ky xhind ka ndjellë edhe diktatorin e Koresë së Veriut, po fluturon e endet në qiejt e Iranit që e mohon përmes fjalëve përdorimin e arsenalit bërthamor për çështje luftarake, rrezikon që të bjerë në duart e organizatave terroriste, apo kriminale që e konsiderojnë vetëvrasjen dhe vrasjen masive si “derën e artë” për të hyrë në parajsë, dhe po vërtitet edhe në qiejt e një vendi kaotik dhe të pakontrolluar si Pakistani. Vitet e dashurimit, narcizimit të marrë të kuriozëve që mblidheshin në tarracën e Atomic Cafe në Las Vegas me kokteje në duar për të parë kërpudhat bërthamore që ngriheshin në qiell nga shkretëtirat ku kryheshin provat, kanë marrë fund dhe shenjat e bunkerëve bërthamorë që ndodheshin në të gjitha ndërtesat publike janë hequr thuajse të tëra. Bota po mëson pak nga pak të mos dashurojë më atë që mund ta shkatërrojë dhe për fat këtë po përpiqen ta kuptojnë edhe disa krerë shtetesh.
Një marrëveshje nuk zgjidh përfundimisht probleminPër shumë funksionarë të lartë të administratës amerikane, për këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë, përveçse për vetë Presidentin Obama, bisedimet me rusët për traktatin e ri për reduktimin e armëve strategjike bërthamore, kanë qenë një lloj kalvari. Sot Obama dhe Medevedev do të firmosin marrëveshjen “Start”-in e ri në Pragë dhe sigurisht që dita e sotme do të jetë një ditë e mbushur me buzëqeshje e shtrëngime duarsh dhe optimizëm. Por për të mbërritur në këtë firmosje janë dashur shumë muaj dhe 34 takime mes delegacioneve të të dyja vendeve, përveç kontakteve të drejtpërdrejta mes dy presidentëve dhe bisedave të gjata telefonike. Shpesh kanë qenë rusët ata që kanë qenë në prag të tërheqjes, por dhe amerikanët ka pasur raste që janë treguar gjaknxehtë. Në momentet kur Obama dukej i dobësuar nga problemet brenda vendit, rusët menduan se ishte momenti për ta detyruar Amerikën që të nënshkruante një marrëveshje më në favor të tyre. Rusët kërkuan që traktati të përfshinte një dorëheqje përfundimtare të amerikanëve nga çdolloj sistemi mbrojtës antiraketë, koncesion që amerikanët e refuzuan që në fillim. Por më në fund në shkurt kur Obama e mori veten pas suksesit të reformës në shëndetësi, rusët u bënë më fleksibël.
Sipas ekspertëve, kjo marrëveshje nuk është diçka e jashtëzakonshme. Testatat bërthamore janë reduktuar nga 220 në 1500, vektorët fiks, apo të lëvizshëm nga 1400 në 700. Rëndësia e vërtetë e traktatit nuk është aq teknike, sesa politike. Për Rusinë është një rikthim në kohën kur ishte superfuqia e vetme që mund të trajtonte me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa për sa i takon Presidentit amerikan, kjo marrëveshje dyfishon suksesin e brendshëm me reformën shëndetësore me një sukses në sferën e politikës së jashtme. Me këtë rast rritet edhe prestigji i SHBA dhe i vetë Obamës që mori vitin e kaluar çmimin ”Nobel” për paqe. Jo rastësisht, dy ditë më parë, Shtëpia e Bardhë bëri të ditura pikat e strategjisë së re në të cilën shfaqet shumë e reduktuar mundësia e përdorimit të armëve bërthamore. Pyetja që do të bëhet tani është: Si do të vazhdojë të sillet Rusia në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare, pas këtij hapi përafrimi me SHBA? Për momentin është një pyetje pa përgjigje. Por shanset janë të mira.