E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksploratorët e vegjël

Gjithmonë e më të shumtë në numër adoleshentët që ndërmarrin sfida ekstreme. Navigojnë rreth globit, madje ngjitin Everestin. Ja kush janë guximtarët e vegjël Oqeane, pole, shkretëtira, Ja sipërmarrjet e fëmijëve

Prej pak ditësh një djalosh 15-vjeçar, Parker Liautaud, u nis për të realizuar një projekt shumë ambicioz: të arrinte në Polin e Veriut duke përdorur vetëm skitë. Me të, një guidë alpine që do e ndihmojë të mos humbasë drejtimin. Parkerit i duhet t’u rezistojë erërave që e ulin temperaturën deri në -50 gradë. Por kur përballë tij të shfaqet uji i duhet të veshë kostumin dhe të notojë derisa të arrijë te copa pasardhëse e akullit. “Kur je në Arktik asgjë nuk mund të shkatërrojë ëndrrën tënde”, tha Liautaud para se të nisej. Nëse do të arrijë ta përmbushë këtë iniciativë do të bëhet personi më i ri në botë që ka shkuar në këmbë në Polin e Veriut. Por duhet të themi se sipërmarrje të tilla kaq të vështira gjithmonë e më shumë po ndërmerren nga adoleshentët. Janë me dhjetëra të rinjtë që kanë bërë ose janë duke bërë diçka të ngjashme. Për shembull, 17-vjeçari, Hector Turner është ndoshta më i riu që ka marrë pjesë në “marathon des sables”, 240 kilometra në shkretëtirën e Saharasë. Po ashtu, një student skocez i “St Andrews University”, Geordie Stewart u nis për ta festuar ditëlindjen e tij të 21-të në maj të Everestit. Megjithatë, synimi i tij nuk është vetëm Everesti po ngjitja e shtatë maleve më të larta të tokës (Kilimanxharos, Denalit, Elbrusit, Akoncagua, Cartstensz Pyramid, Vinson dhe në fund Everesti), një sipërmarrje e nisur në moshën 18-vjeçare. Por në vitin 2006, Rob Gauntlett arriti majën e Everestit kur ishte vetëm 19 vjeç. Një vit më pas ishte i pari që realizoi kalimin pol më pol duke përshkruar dy Amerikat dhe duke përdorur vetëm “forcën njerëzore”. Fatkeqësisht, pasioni i çmendur bëri që të humbiste jetën në janar të vitit 2009 si pasojë e një aksidenti në ngjitje. Po ashtu, nëntorin e kaluar 17-vjeçari skocez, Calum Macintyre, u bë më i riu që arriti majën e Ama Dablan, një pikë “thuajse e pamundur për t’u ngjitur”. Nga ana tjetër, nëpër oqeane disa vajza të reja po përpiqen të mbahen mend gjatë për aventurat e tyre. Dy 17-vjeçare, një amerikane Abby Sunderland dhe tjetra australiane, Jessica Watson, të ndara nga njëra-tjetra po përpiqen të kalojnë rekordin e më të riut që ka lundruar rreth botës i vetëm. Më i riu që kreu këtë sipërmarrje vitin e kaluar ishte 17-vjeçari Mike Perham, e që në moshën 14-vjeçare ishte i pari që kishte kaluar Atlantikun. Ndërkaq, 14-vjeçarja holandeze, Laura Dekker, dëshiron të niset për të disatën herë. Vitin e kaluar nuk u lejua nga gjykata për të miturit. Në të vërtetë nuk ka fjalë për këtë sipërmarrje që fëmijët kërkojnë të kryejnë. Aventura dhe rekordet që dikur dukeshin të pamundura, por që sot ndihmohen nga teknologjia. Robin Knox Johnston, eksploratori i parë dhe më i moshuar që kishte lundruar i vetëm rreth globit në moshën 67-vjeçare tregon: “Sot gjërat janë shumë më të lehta sesa dikur, sepse pajisjet teknologjike të ndihmojnë. Dikur nuk kishte satelitë për të komunikuar dhe shërbimet e emergjencës gjithmonë në gatishmëri. Në tre sekonda e di me përpikmëri se në cilin cep të botës ndodhesh”.

Ekstremi

Në moshën 77-vjeçare ka ngjitur Everestin. Njeriu më i moshuar në malin më të lartë të botës. Njeriu që ka vendosur këtë rekord të ri është Min Bahadur Sherchan, alpinisti nepalez, i cili ka thyer rekordin, që prej kohësh e mbante një ish-mësues pensionist japonez. Pasi kishte ngjitur 8848 metra, Katsusuke Yanagisawa kishte mbërritur në "majë të botës një vit më parë, në moshën 71- vjeçare. Më shumë se 3000 mijë njerëz kanë arritur të shkojnë deri atje. Për shembull, Appa Sherpa, në moshën 48-vjeçare e ka ngjitur plot 18 herë, ndërsa mes atyre që i kanë kaluar të 70-at në "Guinness" më parë ka qenë shkruar emri i japonezit, që tashmë u zëvendësua nga ai i nepalezit. Vetëm këta njerëz treguan se do t‘i sfidonin të gjitha vështirësitë për të arritur deri në fund. Plakja nuk është thjesht një proces i pandryshueshëm i qenieve njerëzore, sepse sot gjithmonë e më shumë njerëz të moshës së tretë marrin përsipër aventura të rrezikshme, si për shembull ata që hidhen nga aeroplanët me parashutë, kërcim së larti apo pjesëmarrja në maratona. Sigurisht që kushti i parë është të kesh një shëndet të mirë. Gjenerali Douglas MacArthur thoshte: "Rinia nuk është periudhë e jetës, është gjendja shpirtërore". E në fakt, duket se këtë thënie të tij e ka përvetësuar më së miri Michael Fournier, që kërkon të shkruajë emrin në histori në moshën 64-vjeçare. Fournier që mban mbi shpinë 8500 hedhje me parashutë, kërkon "të mundë" vetveten me një hedhje nga 40 mijë metra (12 mijë metra është rekordi i vendosur prej tij në vitin 1992). Dhe tani, me më shumë ambicie se më parë, kërkon të arrijë atë që nuk mundi në vitin 1993. Për parashutistin francez, kjo dëshirë është bërë "qëllim" i një jete të tërë dhe për të arritur këtë dëshirë të çmendur ka studiuar më shumë se njëzet vjet. Sot, në Kanada, nëse kushtet atmosferike e lejojnë një gjë të tillë, ka dëshirë që ta riprovojë sërish. Sigurisht që një rekordmeni i duhet stërvitje, por ka edhe nga ata që marrin përsipër të garojnë në gara të tilla pa hequr dorë nga veset. Kështu bën Buster Martin, 101-vjeçari që vrapon, këndon dhe pi vazhdimisht alkool. Në 13 prillin e kaluar mori pjesë, madje arriti deri në fund, në maratonën e Londrës. Objektivi i tij ishte që të bënte 42 kilometra vrap në më pak se 14 orë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›