Shëndeti, kërkohet modernizim i mënyrës së jetesës
Ndërsa qytetet urbane janë në shënjestrën e ndotjes, fluksit të popullatës dhe problemeve që shkakton mbipopullimi, në vitin 2010, në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, kërkohet modernizim i mënyrë së jetesës. Dje, në rastin e kësaj dite, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë dhënë mesazhe të vlefshme për qytetarët shqiptarë, duke raportuar edhe statistika botërore për sa i takon sëmundjeve në vitet e ardhshme. Shëndeti i njerëzve në qytete është i ekspozuar ndaj shumë rreziqeve. Tirana, si rasti më tipik i vërshimit të popullsisë, ofron për banorët e saj një jetë jo të shëndetshme që lidhet me numrin e madh të popullsisë, nivelin e lartë të ndotjes dhe të faktorëve të tjerë socialë-ekonomikë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaron se varfëria dhe rreziqet në shëndet po zhvendosen nga zonat rurale në ato urbane. Shqipëria renditet ndër vendet më të ndotura krahasuar me ato të Bashkimit Europian. Në Tiranë, ndotja e ajrit nga pluhuri është 2-3 herë më e lartë se norma e lejuar e BE-së. Në Ditën Ndërkombëtarë të Shëndetit, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka këshilluar të gjithë popullatën për të dhënë secili kontributin e vet, duke ndihmuar në mbajtjen pastër të ambientit, në ruajtjen e mjedisit nga ndotja, si ajo e makinave, ecja në këmbë. Këtë vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon që në botë, një miliard njerëz të zgjohen në një lagje të varfër urbane dhe rreth 1.2 milionë njerëz do të vdesin nga ndotja e ajrit në zonat urbane. Në Ditën Botërore të Shëndetit, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ftoi aktorë të tjerë, të cilët luajnë rol të rëndësishëm në shëndetin e njerëzve.
“Shëndeti nuk është një komponent që mbrohet nga shëndetësia, po të gjithë bashkë duhet të evidentojmë rolin tonë në mbrojtjen e shëndetit”, u shpreh Vasili. Ndotja e mjedisit është përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit, asaj të transportit dhe pushtetit lokal të cilët duhet të ndikojnë në arritjen e parametrave të vendosur nga Bashkimi Europian. Sakaq, sipas raportit demografik të publikuar pak kohë më parë, në zonat urbane, kryesisht në Tiranë, kemi ulje të numrit të lindjeve. Sipas raportit, shqiptarët kanë dëshirë që të kenë nga 2-3 fëmijë, por faktikisht numri i lindjeve tregon se çiftet në këtë kohë po lindin nga një deri në dy fëmijë. Sipas studimit demografik, më shumë fëmijë lindin në zonat rurale dhe kryesisht numrin më të madh të lindjeve vazhdon ta kenë zonat malore.
#