TË NDIHMOSH? APO TË NDIHMOSH NJË PERSON?
çështja se si duhet dhënë një ndihmë nuk është kurrsesi në rend të ditës, nuk është as një problem i ri. Shumica mendon, madje, që as duhet shtruar në ditët që jetojmë. Ajo që kanë shtruar dikur psikologët në Amerikë në vitet ‘80, konkretisht e kam parë me sytë e mi në Beratin e vitit 1997, kur një nga aksionerët e fuqishëm të rrugës dhe të fatit hodhi një mëngjes maji, herët, mbi dhjetë milionë lekë të vjetra. Le të merrte kush të mundte! Dhe ashtu ndodhi, mori kush mundi. Por ky akt kishte një ndryshim me Amerikën e vitit 1987, sepse në autostradë nga makina e blinduar që transportonte para, ranë mbi 2 milionë dollarë dhe fare pak prej tyre u kthyen në polici! Këtë fakt do ta përshkruante Xhon MekKinder (1987) si psikolog i njohur dhe do të shtronte pyetjen: “Të ndihmosh? Po kë? Apo të ndihmosh një person të vetëm”? Ndërsa Berati i vitit 1997, pas dhjetë vjetësh në Amerikë, ishte pa shtet, pa gjë prej gjëje, ishte bosh, vetëm me vetveten. Dhe paratë do të mblidheshin me duart e atyre që vinin pas makinës që mbillte para...
Por le t’i largohemi paksa kësaj çështjeje që duket e nxehtë. Dhe le të shtrojmë rishtas pyetjen e MekKinderit: Kë duhet të ndihmojmë? Dikë, një institucion, një person, një fatkeqësi, një njeri që kërkon lëmoshë, një njeri që shpall në televizion kërkesën se i duhen kaq lekë për t’iu operuar vajza apo djali! Përgjigjja më duket e thjeshtë: duhet ndihmuar, ashtu si thotë fjala e urtë “Merre të mirën dhe hidhe në det (lumë)!” Ai që e gjen e merr. është një filozofi fare e thjeshtë. E mira del kurdoherë në breg! Qëlloi që i falëm një institucioni fëmijësh jetimë një sasi librash (jo një sasi të vogël) dhe institucioni kërkonte faturën shoqëruese etj. Sigurisht që do t’ia jepnim. Por derisa dikush fal, nuk ka nevojë për reklamë dhe për burokraci. Vetë institucioni le të mbajë shënimet e domosdoshme dhe të mos abuzojë, duke ua lënë librat fëmijëve jetimë. Kaq besoj, mjafton.
Kujtdo mund t’i ketë ndodhur që ta shohë veten në situata jo të lakmuara dhe sigurisht asaj kohe ka nevojë për ndihmë. “Kërkesa për ndihmë - shkruan MekKinder - është një gjë, kurse dhënia e saj, ndarja në pjesë është diçka që i përket dobësisë njerëzore. Kjo merr një pamje të plotë kur ndihma mbetet një organizim krejt i panjohur nga të tjerët, të tretët...”. Edhe Artur Shlezinger do të përshkruante situata të tilla në librin e tij “Njëmijë ditët”, kushtuar Xhon Kenedit. Dhe ai këmbëngul: duhen kanalizuar që ndihmat të shkojnë tek institucionet që mbajnë jetimët, pleqtë, të sëmurët pa përkrahje etj. Pra, nuk bëhet fjalë për lëmoshë, por për ndihmë. Një OJQ nuk ka nevojë të bredhë kaq shumë nëpër libraritë dhe kioskat me libra për të blerë shtrenjtë atë që mund ta gjejë lirë ose falur nga shtëpitë botuese të vërteta. Nëse ti jep ndihma, për shembull i dhuron libra azilit të pleqve diku dhe njofton të gjitha televizionet që të transmetojnë kronikën tënde, mos harro, nuk ke dhënë kurrfarë ndihme, ti ke bërë një punë të rëndomtë dhe me egoizmin më të madh, duke shitur mend e duke propaganduar me hile atë që menaxhon vetë!
Përpjekja për të ndihmuar dikë duket thjesht. Megjithatë i qëndroj tezës së Shlezingerit që të jepet ndihma vetëm institucionalisht dhe pa lajm, pa kumt, pa faturë, pa dijeni. Thjesht. Sepse ashtu e ka elegancën, bukurinë, aty qëndron mirë brenda stofit të vet “e mira”. Por nuk do të ndiheshin keq edhe ata që pranonin ndihmën tënde. Sepse, nga ana tjetër, këtë nuk e shohim që të zgjidhet si kërkesë institucionale. Dhe kjo do të qe më se e drejtë. Biznesi shqiptar, edhe pse është ende në përmasa të vogla dhe ecën me pasiguri, prapëseprapë ka mundësi ta kanalizojë ndihmën e vet në mirëmbajtjen e azileve dhe të jetimoreve. Më duket se pos reklamës kjo do të kishte duk dhe mund të njihej si “faturë” edhe nga shteti. Të mos harrojmë se në këtë mes do të ndihej mirë shpirtërisht e gjithë shoqëria.
“Shoqëria merr frymë lirisht, shkruan MekKinder, kur mban mirë dhe me elegancë brilante pleqtë e saj, si dhe jetimët që i ka sjellë në këtë botë krejt aksidentalisht”...
#