E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur moda vihet në diskutim

Ndalohet veshja e xhinseve me shtat të shkurtër! Një senator demokrat amerikan u ka shpallur luftë pantallonave me bel të shkurtër, pasi tregojnë fundshpinën dhe mbathjet, gjë që është kundër dinjitetit njerëzor. Ndërkohë, janë ndezur debate të forta mes stilistëve dhe personave të cilët janë të detyruar t’i shohin të rinjtë nëpër rrugë të veshur me këto lloj pantallonash

Kur politika përzihet në çështjet e modës, ka diçka që vërtet nuk shkon. Mbulimi i flokëve, maskimi i fytyrës dhe formave të trupit: të gjitha këto detaje tregojnë qartë mungesën e lirisë personale dhe papastërtinë e trupit femëror. Këtë herë beteja është kundër xhinseve me shtat të shkurtër dhe kjo gjë nuk i përket vetëm islamit, por edhe Nju Jorkut modern. Xhinsi, duke filluar që prej 1968, u bë veshja më e përdorur në mbarë botën dhe akoma sot, në vitin 2010, është e vetmja veshje me të vërtetë e globalizuar, e përdorur me të njëjtën lehtësi nga yjet e spektaklit e kinemasë, profesorët, studentët dhe deri te punëtorët e thjeshtë. Shumë shpejt u shndërrua në një veshje të padiferencuar për sa i përket gjinisë, që sigurisht është veshja si për meshkujt ashtu edhe femrat. Madje, ka kaluar edhe kufijtë e shumëllojshmërisë së veshjeve për kultura dhe shoqëri të ndryshme, duke u shndërruar kështu në një veshje tepër të preferuar në çdo kohë. Edhe xhinset kanë filluar të evoluojnë dhe kanë pasur shumë ndryshime rrënjësore.

“Respekti lidhet drejtpërsëdrejti me gjatësinë e shtatit të xhinseve”. Me këtë justifikim senatori demokratik i Nju Jorku, Eric Adams, u ka shpallur luftë pantallonave me bel të shkurtër, të cilat lënë të duken qartë mbathjet, por në veçanti fundshpinën. Banorët e Bruklinit janë zgjuar të enjten e kaluar me rrugët e mbushura plot me njerëz, të cilët protestonin duke mbajtur në duar pankarta gjigante ku shkruhej “Mjaft më me pantallonat me bel të shkurtër!”. Në disa pankarta të tjera ishin vizatuar edhe dy djem ku kishin veshur xhinse dhe u dukeshin të brendshmet. Adams është vetëm njëri nga politikanët dhe personazhet e tjera publike që janë ngritur kundër këtij stili, i bërë popullor nga shumë reper dhe persona modernë të modës urbane.

Debatet e nxehta nëpër televizione, këshille bashkiake, shkolla, organe legjislative shtetërore dhe gjykata të ndryshme tregojnë se çështja është bërë më serioze nga ç’mund të imagjinohej, madje ka pasur konfrontime midis stilistëve të modës dhe atyre që janë kundër kësaj tendence.

Në vitin 2008 edhe vetë Presidenti Obama ishte deklaruar kundër pantallonave me bel të shkurtër: “Disa persona nuk dëshirojnë që të shohin mbathjet tona, unë jam njëri nga ata”, deklaroi ai për “MTV News”. Disa shkolla amerikane kanë hartuar një kod për mbajtjen e një veshjeje të caktuar gjatë orarit mësimor, ku rripi i pantallonave është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e uniformës. Vitin e kaluar dekani i Universitetit të Shën Petërburgut në Florida, urdhëroi të përdoreshin pantallona të gomuara nga femrat që të mos u rrëshqisnin deri te gjunjët. Disa komunitete janë përpjekur t’i ndalojnë pantallonat me bel të shkurtër, por të tilla rregulla kanë ngritur shumë pyetje në lidhje me legjitimitetin e tyre. Adams vendosi t’i jepte fund njëherë e mirë kësaj tendence kur dy muaj më parë pa dy djem të cilët kishin veshur pantallona me bel jashtëzakonisht të shkurtër: “Të gjithë në tren i shihnin me habi dhe tundnin kokën, por askush nuk kishte guxim t’u thoshte gjë”, tregon ai. Kështu senatori, ish-shef i policisë i zgjedhur për herë të parë në vitin 2006, vendosi të hidhte hapin e madh. Mblodhi dymijë dollarë, të cilët i investoi për reklama të mëdha dhe një video që e hodhi edhe në “YouTube”.

Në fillim moda ishte përhapur në rrugë mes miqve, pastaj filloi të përhapej edhe më shumë, veçanërisht nëpër shkolla, ku shpesh Adams shkonte për vizitë dhe shihte që beli i pantallonave ulej gjithnjë e më shumë. Nga i njëjti problem ka marrë shkas edhe Tracey L. Collins ish-dekan i një liceu që tani drejton “Fully Persuaded for Children and Families Inc.”, shoqata e cila ka për qëllim të inkurajojë përgjegjësitë sociale: “Pantallonat e rëna në fund të këmbëve janë shumë të përhapura mes të rinjve dhe të rejave. Ata paraqiten kudo me to, nëpër shkolla, në rrugë, nëpër institucione të rëndësishme. Duke i parë të veshur në këtë mënyrë njerëzit fillojnë t’i shohin me sy tjetër dhe të formojnë një opinion të gabuar për to, edhe pse mund të jenë shumë profesionistë”.

Ndërkohë, Collins po bashkëpunon me senatorin Adams për fushatën “Stop pantallonave me bel të shkurtër!”. Adams thotë se nuk ka për qëllim të miratojë ndonjë ligj lidhur me këtë problem, kërkon vetëm që të edukojë këtë brez të ri e të pabindur. “Nuk dua t’i kritikoj të rinjtë, pse janë të rinj. Po përpiqem të reduktoj në maksimum dëmet e kësaj mode”, ka thënë ai. Megjithatë, stilistët janë kundër kësaj gjëje dhe të gjithë pyesin njëzëri: “Vërtet nuk kanë diçka më urgjente me të cilën të merren? Vetëm kjo u ka mbetur pa rregulluar politikanëve?”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›