E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Benedikti XVI pret presidentin Topi. Ati i Shenjtë: Mbështesim Shqipërinë në rrugëtimin integrues

Share

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe në krye të delegacionit zyrtar, u nis dje drejt Shtetit të Vatikanit, me ftesë të Atit të Shenjtë, Papa Benediktit XVI.

Sot presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta, janë pritur në audiencë nga Papa Benedikti XVI. Presidenti Topi vlerësoi rolin e Kishës Katolike dhe shprehu bindjen se: Vatikani do të jetë gjithmonë në krah të përpjekjeve dhe aspiratave të popullit shqiptar për tu bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Ati i Shenjtë tha se mbështet integrimin e Shqipërisë.

Mbështesim Shqipërinë në rrugëtimin e saj integrues në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, tha Papa.

Shqipëria dhe populli shqiptar me bashkëjetesën, harmoninë dhe tolerancën fetare, është shembulli unik i evidentimit të vlerave më të mira paqedashëse dhe njerëzore, vijoi Ati i Shenjtë.

Ndërkohë dje pasdite Topi pati një takim me përfaqësuesin e Komunitetit të Sant Exhidios, Imzot Vinçenco Palia dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie të njohur fetare.

Zhvillimet e fundit dhe rivendosja e një klime bashkëpunimi si dhe gjetja e mirëkuptimit mes pozitës dhe opozitës për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në Parlament, po i shërbejnë përmbushjes së aspiratës së qytetarëve shqiptarë për integrim evropian, tha Topi. Kryetari i Shtetit theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e shtetit ligjor dhe respektimit të institucioneve të pavarura kushtetuese në mënyrë që Shqipëria ti japë fund tranzicionit të stërzgjatur që po kalon duke u shndërruar në një shtet me demokraci dhe institucione të konsoliduara.

Imzot Vinçenco Palia dhe drejtues të tjerë të bashkësisë vlerësuan rolin e ekuilibruar e të moderuar të Presidentit Topi duke vënë në dukje rëndësinë e një Presidenti të Republikës, i cili përfaqëson vërtet bashkimin e popullit dhe mbron interesat e qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›