E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha më 5 Maj: Tani trojet shqiptare janë të lira

Share

Kryeministri deklaron se Shqipëria po vrapon për të kapur kohën e humbur në shekuj nga diktaturat

Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryebashkiaku Lulzim Basha, bënë homazhe sot tek Varrezat e Dëshmorëve. Më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, Berisha vendosi një kurorë me lule në shenjë homazhi dhe deklaroi se tani trojet shqiptare janë të lira. Ai tha se shqiptarët do bashkohen në BE.

100 vjet më parë, me mijëra e mijëra burra e gra shqiptare u flijuan që Shqipëria të bëhej e pavarur dhe e lirë. Në Luftën e Dytë Botërore, mijëra e mijëra shqiptarë, djem e vajza, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur. Derdhën gjak, luftuan me vendosmëri të madhe, çliruan vendin në kuadrin e një koalicioni anti-fashist botëror, tha Berisha.

Një diktaturë mizore u vendos në këtë vend dhe e këputi Shqipërinë nga trungu europian. Në gjysëm shekulli diktaturë, me dhjetëra e mijëra shqiptarë flijuan jetët e tyre, u burgosën dhe përjetuan kampet e përqendrimit për të mbrojtur ato vlera njerëzore dhe hyjnore: liritë themelore të njeriut, vijoi kryeministri.

Berisha tha se tani Shqipëria po vrapon për të kapur kohën e humbur për dekada, madje për shekuj.

Pas 100 vitesh ne përulemi me nderim të madh 100 herë përpara atyre që sakrifikuan jetën. Ne shprehim nderimin më të madh për më të dashurit që humbën jetën, tha Berisha.

Shqipëria po rend me shpejtësi për të kapur dekadat e pse jo, shekujt që iu grabitën nga diktaturat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›