E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëri kaotike

RUBRIKA RETRO

Nga Elisa Gjerani

elisa gjernaniHap sytë, shikoj shi të rrëmujshëm në xhamat e dritares sime, panoramë që ta ofron perdja gjysmë e hapur harruar qysh nga mbrëmë në çastin e fundit paragjumësor. Momenti i lutjes drejt qiellit dhe yjeve, aty ku thirret me gjithë fuqinë e shpirtit , edhe ligji i tërheqjes, për të sjell gjithnjë në jetët tona gjëra pozitive, për ti bërë realitet ëndrrat e dëshirat tona.
Bëhem gati të kryej ritualin e mëngjesit. Jam vonë. Asgjë nuk është gati. Më duhet të nxitoj, ashtu siç zakonisht nxitojnë të gjithë, jo vetëm mëngjeseve por edhe gjatë ditës. Të gjithë janë në rendjen e kahershme, në sfidën e të zhvendosurit në destinacione. Zhurma. Nga muri ngjitur vjen zënka që në orët e para të kësaj dite, nga një çift i ri. Përse vallë pyes e përgjumur veten? Nga dritarja ngjitur vjen një aroma omlete që Mira i bën zakonisht fëmijëve të saj mëngjeseve dhe ulëritjet e tyre lumturuese karshi këtij mëngjesi. Sa keq që jo të gjithë njerëzit kanë luksin e të ushqyerit. Kridhem në mëndime, një dejavu më vjen nga vendet e shumëlargëta të Afrikës, atje ku ujë e buka janë luks, pa harruar faktin se edhe në Shqipëri ndodh ky fenomen duke pasur disa zona të thella që ngjasojnë me këtë peizazh tronditës. Është e dhimbshme të shikosh fëmijë të uritur, që të gjorët nuk kanë as me çfarë të mbushin barkun e tyre të vogël. Dëgjoj lugë që kërcasin, gota që mbushen, feta bukësh që lyen, dyer që kyçen e shkyçen. Rrufis grimcën time të lumturisë së mëngjesit, kafen shqeto. Marr çantën në duar e vërshoj drejt derës sikur të kem marrë një alarm për dalje emergjente nga shtëpia, por në fakt kjo është kostoja e të qënurit vetëm dhe e të bërit të gjërave me përkushtim e ritëm në të njëjtën kohë. Shkallët qahen nga dy-tre kapërcimet që nuk harroj ti bëj kurrë, ritual që më ka mbetur qysh nga fëmijëria, kjo sepse gjithnjë do të më ndodhi diçka që do të më kthejë në një të vonuar të mëngjeseve. Njerëz që presin në zinxhirin e gjatë të makinave e që mallkojnë ditën e shiut, ato ditë të cilat gjithnjë krijojnë shumë trafik nëpër rrugët e Tiranës. E unë kam një dëshirë të pafundme, dua thjesht të arratisem. Të braktis gjithçka e çdokënd. Té shkoj larg e më larg atyre që më persekutojnë me inatet e mëritë e tyre ekstremiste, të zhdukem nga faqja e dheut me një abra-kadabra të thjeshtë, të mos jem pjesë e këtyre ngjarjeve të shëmtuara që po ndodhin.

Ndez radion e makinës dhe dëgjoj lajme makabre qysh në mëngjes. I gjithë vendi është pështjelluar me gjak femëror. Gra të mira, gra të pafajshme që vdesin, që vriten, që dhunohen, gjymtohen, përdhunohen nga meshkujt e tyre. Ndjej frymëmarrje femrash që mbahen pezull karshi këtij fenomeni gjakatar gjithnjë në rritje, që megjithë thirrjet e protestat e shoqërisë civile përsëri nuk po minimizohet a marri fund. E gjitha kjo krijon stres të jashtëzakonshëm, ulëritje çmendurake. Të ngrihesh e ti tregosh botës që femrat janë të brishta por edhe të forta. Kolonë makinash. Trafik kaotik. (Sa mirë, për të parën herë po më pëlqen kjo ditë trafiku se më lë më shumë mundësi të meditoj.) Shkoj në vende të pazbuluara, në adresa të paemërta, në histori të panjohura. E gjitha kjo mund të zgjidhej shumë thjesht nëse do të isha një zanë e të mbartja një fuqi mbinatyrore të lumturoja gra që nuk e njohin këtë koncept, të shfarosja burra vrastar që në genin e tyre kanë këtë sindromë e që herët a vonë do të shfaqin mbi gratë e tyre. Të bëja të lumtur këto gra, që lotët femërore të mos ekzistonin më, megjithëse thuhet se qarja bën mirë për shikimin. Mjafton qarja shekullore e tyre, mjafton vuajtja supreme, mjafton sakrifica që kanë pasur qysh prej lindjes e deri në vdekje, mjafton dashuria e pakufijshme që ato përcjellin, mjafton injektimi i koncepteve brez pas brezi.
Të gjithëve i vjen keq për situatën e krijuar ditëve të fundit, të gjithëve i vjen keq për këto humbje grash, mënyra se si ato zgjedhin për ta shfaqur ku me indiferentizëm e ku me pankarta është çështje tjetër, se sa sensibël jemi vetë ne shqiptarët për këto çështje kaq sensitive të kësaj shoqërie që kudo i dallohet qartazi patriakalizmi. Bota komenton e ironizon pikat tona nevralgjike jo vetëm politike por edhe sociale, ajo jep këshilla e direktiva me anë të përfaqësuesve të saj, ne bëjmë një sy qorr, e një vesh shurdhë për gjithë këtë, që na duket një broçkullimë e madhe nga ana e tyre, e ndjehemi të ofenduar se pse të tjerët fusin hundët në punët tona. Në momentin kur vetë qytetarët e strukturat shtetërore nuk merren me këtë trend ogurzi që ka nisur në vendin tonë, faktorit ndërkombëtar nuk i mbetet gjë tjetër veçse të na drejtoj aq sa mundet në rrugën e drejtë të rregullave e normave, aty ku kanuni nuk ekziston. Habitem me këtë indiferentizëm qytetar e nuk di çemër ti vë? Injorancë, mosdije, analfabetizëm, nënshtrim, pajtim me idenë e vrasjes, përkrahje, e një mijë nocione të tjera që qarkullojnë në mendjen time, që zien e vlon nga qindra ide. Atë që sot po e përjeton komshija, e afërmja a motra juaj, nesër në një rrethanë ose tjetër mund ta përjetosh edhe ti. Disa mendojnë që kështu ishte fat i tyre, disa të tjera jetojnë akoma me justifikimin mitik: Ai që të rreth, të do. Deri kur do vazhdohet kështu? Kur, është pyetja e madhe që na shoqëron në këto ditë kriminale. E të mos brymohemi më kot me fjalët që ne vetë i kemi dhënë kuptim mbi fatin a ku di gjë unë se çfarë? Për të gjithë ato që e besojnë këtë, një thënie thotë: Fati duhet kapur prej flokësh. E nëse vërtetë ekziston ky fat e ti beson realisht në të, atëherë bëj të mundur të besosh edhe në ndryshimin e tij, për të pasur ditë më të mira, për të mos jetuar me frikën e madhe të së nesërmes, për të mos u vrarë na dora që dikur të ka përkëdhelur, nga ai person që dikur të la shtatzënë, nga ai që ke me qindra kujtime të bukura e të hidhura kjo në varësi të situatave jetësore, nga ai që ka mbajtur në duar krijesën tënde engjëllore. Nuk meritojmë këtë që po na ndodh neve femrave, nuk meritojmë asnjë lot të shenjtë të dali nga sytë tanë .

Meritojmë shumë më shumë, por secila duhet të vërë ca rregulla për të mos lejuar kurrsesi dhunën e për të parandaluar momentin e gjaknxehtësisë që çon në vrasje e humbje fatale për të gjithë familjarët. Për të qenë më tepër human më të tjerët dhë dhimbjen e tyre, për të mos parë më nëna me të zeza e baballarë që qajnë për vdekjen e vajzës së tyre, për të mos dëgjuar më mallkime prindërish për vdekjen e tyre e cila pa atë të vajzës nuk ka më të njëjtin kuptim, për tu bërë njësh me dhimbjen e këtyre familjeve e gjithë shoqëria, për të kuptuar që është një problematikë e madhe që këto kohët e fundit ka lulëzuar si pa të keq e që po merr dalldinë , për të mos lejuar veten të heshtim se na qenkërka një ndodhi që ndodh jashtë derës së shtëpisë sonë, për të mos dëgjuar ditë për ditë në lajme njerëz që vriten e theren rrugëve si të ishin bagëti të një kasapi menefregistë, për tu ngritur të gjithë bashkë e për të luftuar, për të ngritur zërin kundër këtij fenomeni të shëmtuar e për të shpëtuar veten.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›