Papa: Koncili II i Vatikanit ka ripohuar vlerën e traditës për leximin e interpretimin e Biblës
Bibla duhet të interpretohet në dritën e Traditës kishtare. “Vetëm konteksti kishtar mundëson që Shkrimi Shenjtë (Bibla) të kuptohet si Fjalë e vërtetë e Hyjit” e “ kjo nënkupton refuzimin e çdo interpretimi subjektiv”. Kështu tha dje paradite, Ati i Shenjtë gjatë takimit që pati në Vatikan me anëtarët e Komisionit Biblik Papnor, të udhëhequr nga kardinali president William Joseph Levada, mbledhur në asamblenë plenare, që sivjet i është kushtuar temës “Frymëzimi dhe e vërteta e Biblës”. Tema e trajtuar nga asambleja plenare e Komisionit Biblik Papnor – pohoi Papa – i përgjigjet “një shqetësimi” të cilin “ e ka posaçërisht për zemër, pasi që interpretimi i Shkrimit Shenjtë është i një rëndësie themelore për fenë e krishterë e për jetën e Kishës”. Benedikti XVI, që lidhur me këtë argument citoi shumë herë Koncilin e II të Vatikanit, kujtoi se ekzegjetët katolikë janë të thirrur “të arrijnë deri te zgjidhja e të gjitha çështjeve në përkim të plotë me doktrinën e Kishës, duke pasur parasysh me doemos edhe ndihmesën pozitive të shkencave profane”. Kushtetuta konciliare ‘Dei Verbum’ ( Fjala e Zotit) nënvizon “para së gjithash se Hyji është Autori i Shkrimit të Shenjtë”: librat si ato të Besëlidhjes së Vjetër, po kështu edhe të ato Besëlidhjes së Re kanë qenë shkruar “nën frymëzimin e Shpirtit Shenjt” e këndej “mësojnë vendosmërisht, besnikërisht e pa gabim të vërtetën që Hyji për shpëtimin tonë deshi që të dorëzohej në Letrat e shenjta”. Në njëjtën kohë, dokumenti i Koncilit të II të Vatikanit, “na kujton se në Shkrimin Shenjt, Zoti i flet njeriut në mënyrë njerëzore”: “Për një interpretim të drejtë të Shkrimit Shenjt, duhet pra të kërkohet me vëmendje ajo që agjiografët patën dashur më të vërtetë të pohonin e atë çka Zotit i pëlqeu të shfaq përmes fjalës së tyre. “ Vërtetë, fjalët e Zotit, të shprehura me gjuhën njerëzore, janë bërë të ngjajshme me fjalorin e njerëzve, si Fjala e Atit të amshuar, që duke marr dobësinë e natyrës njerëzore, u bë i ngjashëm me njerëzit” (Dei Verbum, 13)”.
Këtyre udhëzimeve me karakter historiko-letrar, Papa vuri në pah një element të rëndësishëm: “Duke qenë Shkrimi Shenjt i frymëzuar, ekziston një parim tepër i madh dhe tejet i rëndësishëm i interpretimit të drejtë, pa të cilin shkrimet e shenjta do të mbesnin letra të vdekura: Shkrimi Shenjt duhet të “jetë i lexuar dhe i interpretuar me ndihmën e Shpirtit Shenjt përmes të cilit ka qenë shkruar” (Dei Verbum, 12)”. Në vijim Papa kujtoi tri kriteret që Koncili II i Vatikanit i propozon për një interpretim në kontekstin e traditës së gjallë të tërë Kishës. Së pari, thotë Papa Racinger, duhet “t’i kushtojmë vëmendje të madhe përmbajtjes dhe unitetit të tërë Shkrimit Shenjt”, në rend të dytë, “ekzegjetët katolikë duhet të jenë të kujdesshëm ta perceptojnë Fjalën e Zotit në këto tekste, brenda vet fesë së Kishës”, së fundi lypet të kujtohet se tekstet biblike “nuk i janë dhënë hulumtuesve e studiuesve individualisht, për të shuar kureshtjen e tyre apo për t’i furnizuar ata me argumente studimi apo kërkimi në mënyrë personale e individuale”, por “ i janë besuar bashkësisë së besimtarëve, Kishës së Krishtit, për të ushqyer fenë e udhëhequr jetën e dashurisë. Në mënyrë të veçantë “ respektimi i këtij qëllimi kushtëzon vlerëshmërinë dhe efikasitetin e hermeneutikës biblike”. Pra studiuesit duhet gjithmonë të konfrontohen e të jenë në përkim me Traditën e gjallë të Kishës.
Konfrontimi ndërmjet fesë e arsyes për të arritur në gjykimin e qetë për fundin e jetës. Në Romë zhvillohet “Dialog në katedrale”/“Kur përfundon jeta?”: ishte ky takimi i ciklit “Dialog në katedrale”, që u zhvillua këto ditë në Bazilikën e Shën Gjonit në Laterano të Romës. Një reflektim mbi fundin e jetës, në një moment kur në Itali e gjetiu në botën perëndimore, po miratohen ligje mbi testamentin biologjik, apo mbi mënyrën se si njerëzit duan të kurohen në rastet, kur nuk janë të përgjegjshëm, për shkak të sëmundjes. Debati që ngjallën këto qëndrime vazhdon e qëllimi i takimit në Lateran ishte të arrinte në një vizion të përbashkët, që të qetësojë zemrat e njerëzve. Presidenti i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Rino Fizikela vuri në dukje rolin aktiv të Kishës, e cila ka të drejtë të ngrejë zërin e të japë mendimin e vet për argumentin delikat: “Mbi këtë temë, feja e arësyeja mund e duhet të konfrontohen; e vërteta e njërës duhet të mbështesë atë që arrin tjetra, dhe sëbashku të arrihet në një gjykim, që të qetësojë ndërgjegjen, duke shmangur konflikte të tjera”. Për kardinalin-vikar të Romës, Agostino Valini, dy janë pikat mbi të cilat duhet diskutuar: “Nuk mund ta pranojmë eutanazinë e nuk mund ta pranojmë kurimin përtej kufijve. Në mes, ka një zonë gri, shumë delikate, mbi të cilën debatohet. Mendoj se shteti duhet të shprehë, në formën mohuese, një ligj minimal, që të thotë se ç’nuk duhet bërë”.
Debati mbi fundin e jetës ndan edhe bashkësinë shkencore, që me këtë term përmbledh një seri situatash klinike, të cilat shkojnë nga gjendja vegjetative e përhershme deri tek patologjitë degjenerative. Kur përfundon pra jeta për bioetikën? Flet kryetarja e Shoqatës “Shkenca dhe Jeta”, Maria Luiza Di Pietro: “Përgjigjja është të vazhdojmë të kujdesemi gjithnjë për të sëmurin, për personin në përgjithësi, edhe atëherë kur nuk është e mundur të shërohet më. E nuk duhet lënë vetëm familja, pasi ku ka vetmi, ku ka frikë, ku ka braktisje mund të përhapen idetë për të hequr dorë nga jeta”.
Ndryshimi ndërmjet jetës biografike të personit dhe asaj biologjike u vu në dukje nga presidenti i nderit i Komitetit kombëtar për Bioetikën, prof. Françesko D’Agostino. Kur ky dallim bëhet i padurueshëm kthehet në kërcënim për jetën e personit: “Kur biografia ka humbur çdo kuptim, mendohet se nuk duhet mbrojtur biologjia. Nëse një i sëmurë ka hyrë në fazën përfundimtare – pra, nga pikpamja biografike nuk mund të jetë më i pranishëm në botë – mendohet se është e kotë të luftojmë për t’ia siguruar jetën sa më gjatë. Gabimi antropologjik i kësaj perspektive është i pakufishëm, pasi niset nga ideja abstrakte se vetëm një subjekt me shëndet të mirë fizik mund të gëzojë një jetë të denjë për këtë emër, por e vërteta është krejtësisht e kundërt”. Imzot Rino Fizikela shpjegoi së fundi, se pyetjeve të vështira si këto nuk mund t’u gjendet përgjigjia thjesht duke eliminuar gjithçka që arësyeja nuk arrin ta shpjegojë: “Vetëm në masën me të cilën mund të japim një përgjigje ngarkuar me dashuri, vetëm atëherë do të jemi edhe në gjendje ta përballojmë pyetjen mbi kuptimin e dhimbjes e të vdekjes. Në të kundërt, çështja mbi kuptimin e jetës do t’i nënshtrohet gjithnjë shantazhit të absurditetit e nuk mund të takohet me njeriun në intimitetin e tij personal, që është i jetës, e jo i vdekjes”.
E fortë si vdekja, lexohen në Këngën e Këngëve, është në fakt dashuria: një ndjenjë tronditëse e shëlbuese.
Marrë nga Radio Vatikani