E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa: Më shumë tolerancë ndaj emigrantëve

Papa Benedikti XVI ka dënuar ashpër sulmet ndaj të krishterëve dhe ka bërë thirrje për më shumë tolerancë ndaj emigrantëve, pasi pagëzoi edhe 14 fëmijë gjatë një ceremonie solemne në njërin prej ambienteve kishtarë në Vatikan. Duke iu referuar sulmit më të fundit kundër të krishterëve koptike në Egjipt, Papa tha se asnjë lloj dhune nuk duhet të kryhet në emër të fesë apo besimit fetar të cilit i përket. "Dhuna kundër të krishterëve në disa vende, ka shkaktuar indinjatë të thellë në shumë njerëz, kjo pasi një akt i tillë ndodhi gjatë njërës prej ditëve më të shenjta për traditën kristiane"- tha Papa pas meshës së përjavshme Angelus.
"Institucionet - si ato politike ashtu dhe ato fetare - duhet të marin përgjegjësitë e tyre. Nuk mund të ketë dhunë në emër të Zotit" , shtoi Papa në fjalën e tij. Benedikti gjatë fjalimit, përmendi edhe dhunën e kohëve të fundit midis emigrantëve të paligjshëm dhe qytetarëve vendas që shpërtheu në rajonin jugor italian të Kalabrisë. "Një emigrant është një qenie njerëzore, është ndryshe vetëm për shkak të origjinës, kulturës dhe traditës, por ai është një person që duhet të respektohet, një person që ka të drejtat dhe detyrime - veçanërisht në kontekstin e punës, ku tundimi i shfrytëzimit është më i fortë ", shtoi më tej Ati i Shenjtë. Më herët gjatë ditës së dielë, Papa Benedikti pagëzoi 14 fëmijë. Fjalimi zyrtar u përqendrua në rëndësinë e pagëzimit, që shënon edhe pranimin e një personi në komunitetin e krishterë. Benedikti ndoqi hapat e papa Gjon Palit duke kryer pagëzime në kishën Sistine, në ditën kur katolikët romanë përkujtojnë pagëzimin e krishtit në lumin Jordan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›