Papa: Na falni për abuzimet seksuale në Irlandë
Dje, Papa Benedikti XVI u ka kërkuar ndjesë të gjitha viktimave të abuzimeve seksuale nga ana e priftërinjve në Irlandë dhe urdhëroi hapjen e hetimeve zyrtare në një tentativë për të qetësuar skandalin e plasur në disa vende të Europës për keqtrajtimet dhe abuzimet e kryera gjatë shumë vitesh nga ana e priftërinjve të Kishës Katolike. Prononcimi i Papës në lidhje me abuzimet në dioqezat irlandeze dhe seminaret ka qenë hapi më konkret i ndërmarrë prej tij që nga vala e akuzave që përfshiu shumë priftërinj në Irlandë, Gjermani, Austri dhe Holandë. Papa, në një letër drejtuar njerëzve në përgjithësi, priftërinjve dhe viktimave të abuzimeve në Irlandë nuk bëri referenca specifike për vendet e tjera, veçanërisht të Gjermanisë, vendit të tij të lindjes. “Ju keni vuajtur shumë dhe mua më vjen me të vërtetë keq… dhe hapur shpreh turpin dhe keqardhjen që ndiejmë të gjithë”, ka thënë Papa. “Unë mundem vetëm që të përjetoj sensin e tradhtisë që shumë prej jush kanë ndier kur kanë mësuar për këto akte mëkatare dhe kriminale dhe mënyrën me të cilën vepruan autoritetet e kishës në Irlandë”. Një raport i kërkuar nga qeveria britanike thotë se një prift i vetëm ka pranuar se ka abuzuar mbi 100 fëmijë. Në një pikë tjetër, një tjetër prift ka deklaruar se ka abuzuar çdo dy javë një fëmijë për një periudhë 25-vjeçare. Papa, në letër, nuk u bëri jehonë kërkesave të vazhdueshme në të gjithë Irlandën për një ristrukturim radikal të kishës. Ai nuk tha gjë as për dorëheqjen e mundshme të priftërinjve që janë përfshirë në skandale. Papa urdhëroi vetëm të ashtuquajturin “Vizitim apolistik” të disa dioqezave të caktuara, seminareve dhe urdhrave fetarë. Vizitimi apostolik është një hetim në të cilin inspektorët takohen me peshkopët, drejtorët e seminareve apo zyrtarë të kishës lokale për të parë se si janë menaxhuar gjërat në të shkuarën. Benedikti i kritikoi peshkopët irlandezë në lidhje me trajtimin në të shkuarën të rasteve të pedofilisë. “Duhet theksuar se janë bërë gabime të mëdha në gjykim dhe në drejtimin e punëve. E gjithë kjo e ka minuar në mënyrë serioze besueshmërinë dhe efektivitetin e kishës”, ka deklaruar ai. Ndërkaq, zëdhënësi i Vatikanit u tha gazetarëve që nëse do ta gjykonte të nevojshme, Papa do të gjente mënyrat e duhura për t’u marrë edhe me situatën në Gjermani. Raste të abuzimeve me të mitur janë raportuar në shumë vende të tjera gjatë viteve si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Britani e Madhe, Kanada dhe Francë.
#