E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia i frikësohet “antiturkut” Herman Van Rompuy

Autori i Lajmit: Ibon Villelabeitia
Emërimi i Herman Von Rompuyit si president i parë i Bashkimit Evropian ka sjellë frikën në Turqi, se ai mund të pengojë shpresat e Ankarasë për anëtarësim në union, - me disa media, të cilat menjëherë theksuan se ai është antiturk. Gazetat turke nxorën me shpejtësi në sipërfaqe komentet e menjëhershme të Van Rompuyit, i cili ka theksuar se vlerat e krishtera të BE-së do të dobësohen, nëse Turqia myslimane anëtarësohet në union. Politikanët dhe akademikët turq reaguan me kujdes pas emërimit të tij si president i BE-së, por megjithatë, ata nuk fshehën pakënaqësinë e tyre për shkak të emërimit të Van Rompuyit. Një gazetë turke në faqen e saj të parë publikoi artikullin, me titullin “Presidenti i parë i BE-së është antiturk”. Zyrtarët turq, të cilët kanë preferuar që për president të BE-së të zgjidhet ndonjë figurë me qëndrim më pozitiv ndaj Turqisë, siç është kryeministri i Britanisë, Toni Bler, reaguan ftohtë. “Është e vështirë që ky emërim të interpretohet në mënyrë pozitive, por unë nuk shoh se ky vendim do të ketë ndonjë ndikim në periudhën afatshkurtër”, - deklaroi nënkryetari i partisë AKP për marrëdhënie me jashtë, Suat Kinklioglu. “Shpresoj që ai të heqë dorë nga qëndrimet e tij të dikurshme gjatë kësaj periudhe. Por nuk jam optimist”, - shtoi ai. Pikëpamjet e Turqisë për Van Rompuyin, një demokristian, bazohen tek komentet, për të cilat thuhet se ai i ka bërë gjatë kohës që ka qenë udhëheqës opozitar përpara pesë vitesh. “Turqia nuk është pjesë e Evropës dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e Evropës”, - është shprehur Rompuy në dhjetor të vitit 2004. “Vlerat universale, të cilat janë në fuqi në Evropë dhe të cilat janë vlerat thelbësore të krishterimit, do të dobësohen me anëtarësimin e një shteti islamik, siç është Turqia”, - ka deklaruar ai gjatë një takimi të Këshillit të Evropës. I pyetur në lidhje me pikëpamjet e veta për Turqinë në të kaluarën, Van Rompuy këtë javë theksoi se pikëpamjet e tij personale nuk janë të rëndësishme dhe shtoi se në rolin e tij të ri, ai do të angazhohet për konsensus mes shteteve anëtare të unionit. “Van Rompuy është kandidat i kompromisit, por ai mbështetet qartazi nga Franca dhe Gjermania dhe ky nuk është lajm i mirë për Turqinë”, - tha Huseyin Bagci, profesor për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Ankarasë. “Nuk është ky fundi i rrugës, por Turqia duhet të shënojë progres dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, - shtoi ai. Për sa i përket shefes së re të BE-së të Punëve të Jashtme, britanikes Katerine Ashton, vlerësimet për të në Turqi ishin më pozitive. Kinkliouglu theksoi se emërimi i Ashtonit, e cila konsiderohet si përkrahëse e anëtarësimit të Turqisë në union, mund të ndihmojë që të zbehet ndikimi i presidentit të BE-së. Megjithatë, sondazhet e opinionit publik po dëshmojnë se entuziazmi i turqve për anëtarësim në BE ka filluar të zbehet dukshëm. Partia në pushtet, “AKP”, është zotuar se do ta vazhdojë procesin e anëtarësimit të vendit në union. Sidoqoftë, disa diplomatë në Bruksel kanë theksuar se kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, si duket ka filluar të humbë interesimin dhe hapat e fundit, të cilat ka ndërmarrë Ankaraja në fushën e politikës së jashtme, kanë forcuar perceptimin se Turqia po largohet nga Perëndimi dhe se po angazhohet më shumë me shtetet fqinje myslimane. Amanda Akcakoca, analiste në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel, pret që Van Rompuy të jetë më pragmatist. “Gjëja e fundit që dëshiron të bësh është të dalësh në skenën globale dhe të përhapësh porosinë së Turqia nuk është e mirëseardhur në BE, për shkak se është një shtet mysliman”, - tha Akcakoca.
(Reuters)

Përse dy kandidatura “anonime”

Udhëheqësit e BE-së emëruan të enjten vonë dy figura pak të njohura, të ashtuquajtura figura të kompromisit, për të mbuluar dy funksionet më të rëndësishme të unionit, duke zbehur shpresat e atyre, të cilët kanë synuar të forcojnë profilin global të kontinentit. Udhëheqësit e BE-së u pajtuan që komisionerja britanike e BE-së për tregti, Katerine Ashton, të ushtrojë funksionin e shefes së unionit për politikë të jashtme, ndërsa Kryeministri i Belgjikës, Herman Von Rompuy, të përzgjidhej si presidenti i parë i BE-së. Emërimi i tyre sugjeron se nevoja për kompromis kishte një peshë më të madhe se sa dëshira për emra të mëdhenj dhe me përvojë, siç ishte ai i ish-kryeministrit të Britanisë, Toni Bler, i cili në fillim është konsideruar si favorit për funksionin e presidentit të BE-së.
Dy zyrtarët e rinj pritet që t’i sigurojnë unionit një rol më të fuqishëm në çështjet e rëndësishme globale, siç janë ndryshimet klimatike, terrorizmi dhe tregtia, duke pasur parasysh ngritjen gjithnjë e më të madhe të Kinës, Brazilit dhe Indisë. Dy funksionet më të larta të unionit janë krijuar në përputhje me traktatin për reforma të BE-së, (Lisbonës) i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor.
Funksioni i presidentit fillimisht është vlerësuar si posti më i rëndësishëm, ndërkohë që shumë vëmendje dhe rëndësi i është kushtuar edhe funksionit të ministrit të Jashtëm, i cili do të ketë fjalën kryesore në lidhje me buxhetin vjetor prej 7 miliardë eurosh, i cili është parashikuar për ndihma të jashtme, e gjithashtu do të kryesojë edhe korpusin e ri diplomatik, i cili do të ketë 5 mijë anëtarë.
Ashton, e cila asnjëherë më parë nuk është zgjedhur në një funksion publik dhe që është e panjohur jashtë Britanisë, dukej si një kandidate, e cila kishte pak gjasa që të zgjidhet në këtë funksion. Ajo e siguroi funksionin e ministres së Jashtme, pasi Kryeministri i Britanisë, Gordon Braun dhe udhëheqësit e majtë nga Spanja, Greqia, Sllovakia, Sllovenia, Portugalia dhe Austria vendosën që të mbështesin kandidaturën e saj. Ashton, 53 vjeç, pothuajse asnjëherë nuk ka tërhequr vëmendjen gjatë një viti sa ka ushtruar funksionin e Komisioneres së BE-së për Tregti dhe nuk ka pothuajse fare përvojë në fushën e politikës së jashtme. Ajo ka nënshkruar një marrëveshje tregtare me Korenë e Jugut. Van Rompuy është propozuar nga kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfeldt. Para samitit në Bruksel, Van Rompuy është takuar me mbretin e Belgjikës, Albertin, për të diskutuar për emërimin e mundshëm të pasardhësit të tij në funksionin e kryeministrit. Van Rompuy, 62 vjeç, njihet si teknokrat dhe adhurues i poezisë. Si një demokristian flamand, ai është shumë pak i njohur në Evropë, e madje edhe në Belgjikë ka qëndruar në prapaskenë. Apo siç ka theksuar së fundi një komentator belg: “Van Rompuy e hap gojën vetëm sa për të marrë frymë”. Ai mori përsipër funksionin e Kryeministrit të Belgjikës në vitin 2008, pasi paraardhësi ishte pjesë e grindjes së ashpër gjuhësore mes politikanëve që flasin gjuhën franceze dhe atyre që flasin gjuhën holandeze. Udhëheqësit e BE-së ishin të detyruar që të siguronin baraspeshën mes shteteve të mëdha dhe të vogla, të pasura dhe të varfra, mes Lindjes dhe Perëndimit, mes konservatorëve dhe socialistëve. Britania që nga fillimi është angazhuar për një president me profil të fuqishëm. Shtetet e tjera, si Franca dhe Spanja, kanë favorizuar kandidat të profilit më të ulët, obligimet kryesore të së cilit do të jenë kryesimi i samiteve dhe përshëndetja e burrështetasve botërorë. Kryeministri i Britanisë, Braun, preferoi që të promovojë Ashtonin si shefe për politikë të jashtme, pasi kuptoi që kandidatura e Blerit për president nuk kishte mbështetjen e udhëheqësve të tjerë të BE-së. Shtetet më të vogla anëtare të BE-së nuk e mbështetën idenë që unioni të kryesohet nga Bleri, mbështetja e fuqishme e të cilit për luftën në Irak, në vitin 2003, kishte shqetësuar shumë evropianë. Këto shtete gjithashtu shprehen dëshirën që presidenti të jetë nga një shtet, i cili shfrytëzon valutën e përbashkët euro dhe që është anëtar i zonës së udhëtimit pa pasaporta. Siç dihet, Britania nuk është e përfshirë në këto dy projekte. Marrëveshja për emërimin e Van Rompuyit dhe të Ashtonit parandaloi dështimin e samitit, gjë që do të kishte nxjerrë në sipërfaqe përçarjet e bllokut, i cili përfaqëson gati 500 milionë njerëz dhe do të kishte minuar synimin e përmirësimit të imazhit të BE-së në botë. Duke mbështetur kandidaturën e Ashtonit, udhëheqësit e BE-së iu përgjigjën thirrjeve, që një prej dy funksioneve kryesore të BE-së të mbulohej nga një femër.

Ky lajm është publikuar: 22/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›