E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta maratonë, Rama: Berisha 10 ditë afat për kutitë

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ka përfunduar mesditën e djeshme protesta maratonë e opozitës me ultimatumin ndaj kryeministrit Sali Berisha se nëse nuk hap kutitë e zgjedhjeve të 28 Qershorit për 10 ditë, opozita do të çojë popullin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë fjalës përmbyllëse të mitingut 3 ditor tha se nuk do të ketë kthim mbrapa në kërkesën për zbardhjen e së vërtetës që tashmë është kauza jo vetëm e selisë rozë. Rama shpjegoi strategjinë në vijim e cila do të ketë në qendër përshkallëzimin e protestave në gjithë vendin si reagim kundër indiferencës së Kryeministrit ndaj kërkesës për transparencë zgjedhjesh. Por kryetari i PS-së ka hedhur poshtë dhe variantin se pjesë e këtij përshkallëzimi do të jetë presioni nëpërmjet dhunës ndaj institucioneve. Përpara mbështetësve të cilët qëndruan tre ditë në sheshin përpara Kryeministrisë, Rama tha se nuk po kërkohet ndryshimi i rezultatit në tavolinë por thjesht verifikimi i së vërtetës që fshihet në kuti.

Mbyllja

“Një lëvizje e re popullore ka lindur në Shqipëri. Sot Shqipëria nuk është më ajo e 48 orëve më parë. Populli opozitar më i bashkuar për lirinë dhe më i shumtë në numër se asnjëherë për të drejtën sovrane, ka shkruar në formë ultimative kërkesën e tij për qeverinë: të hapen kutitë e votimit, ose vala e protestës do të hapet në gjithë Shqipërinë, deri në largimin e Qeverisë”, - tha Rama në fjalën përmbyllëse të protestës 3-ditore të opozitës. Sipas tij 100 mijë shqiptarët e mbledhur para Kryeministrisë i treguan botës mbarë imazhin e Shqipërisë reale të qytetarëve të shkelur në të drejtën e votës së lirë, qëndruan 2 net me radhë, duke treguar se beteja qytetare për të drejtë të panegociueshme hyri vendosmërisht në një fazë të re. Rama konfirmoi se beteja për hapjen e kutive të 28 qershorit do të vazhdoj më tej. “Do të vazhdojë një betejë e rezistencës aktive, politike e qytetare kudo, çdo ditë, e me çdo mjet të protestës, përballë një Qeverie, që brenda 10 ditësh duhet të zgjedhë përfundimisht: ose të hap kutitë, ose të pranoj rënien e saj. Rrugë të mesme mes lirisë dhe mungesës së lirisë nuk ka, rrugë të mesme mes të drejtës dhe padrejtësisë nuk ka, zgjedhje të lira ose jo të lira, edhe të drejta edhe të padrejta, edhe me apo standarde dhe pa standarde nuk ka”, - tha ai. Rama theksoi se PS nuk po kërkon pushtetin me dhunë por të drejtën tonë demokratike e ligjore për të parë votën nga ka dalë pushteti. “I mirëkuptoj plotësisht të gjithë ata ndër ju, që padrejtësia e 28 qershorit, por edhe të gjitha padrejtësitë dhe zullumet që pasojnë njëra-tjetrën, duke u nxirë jetën përditë e më shumë i shtyn drejt mendimit se ky pushtet horrash duhet shporrur me dhunë. Jo miqtë e mi. Forca jonë qëndron tek e drejta e madhe që kemi me vete. Fitorja jonë do të vij nga mbrojtja e kësaj të drejte me forcën e të gjitha arsyeve të rezistencën tonë, me një valë të ndashme dhe të pandalshme protestash, përpara të cilës Sali Berisha do të dorëzohet si çdo uzurpator. Por ne nuk jemi forca e verbër e së shkuarës që rikthehet në jetën shqiptare me dhunë, për të marrë pushtetin”, - tha ai. Rama ritheksoi se nëse brenda 10 ditësh Berisha nuk hap kutitë e votimit për të mbajtur me pahir Qeverinë e tij opozita do ta ngrejë në këmbë popullin shqiptar si një familje të vetme vlerash demokratike dhe do të ndalet vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme. “Uroj që kjo javë e fundit e nëntorit, java e festave të mëdha kombëtare dhe fetare, të sjell dritën e arsyes në tunelin e shembur të interesit të Sali Berishës për pushtetin personal. Sali Berisha ka 10 ditë kohë për tu menduar dhe për të reaguar ndaj apelit tonë: Zgjedhja është e tij, e drejta është e jona. Faleminderit të gjithëve ju, motra e vëllezërve që u gdhitë sot në shesh, ku sapo keni filluar të shkruani një histori të bukur shqiptare. Mirupafshim shumë së shpejti”,- e mbylli fjalën e tij Rama. Protesta maratone e opozitës e mbështetur dhe nga parti të djathta, nisi të premten në orën 16:00 nga sheshi "Skënderbej", drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit për të qëndruar më pas në sheshin përpara Kryeministrisë deri në mesditën e së dielës.

Ky lajm është publikuar: 23/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›