E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jemeni zbulon tokën e ëndërrave të arkitekturës

Autori i Lajmit: Nga ROBERT F. WORTH
SANA, Yemen — Kanë kaluar 800 vjet që kur u ndërtua shtëpia e Saleh Kaid Othaim në zemër të Qytetit të Vjetër me gurë të prerë me dorë dhe dekorime tradicionale alabastër. Në një prej mëngjeseve të fundit, z. Othaim vështronte me gëzim se si një grup burrash rinovuan vendin, duke përdorur të njëjtat metoda dhe materiale. Punonjësit përzjenë materialin ngjyrë kafe-çokollatë, ndërkohë që një ndërtues mjeshtër i supervizonte. Nuk kishte platforma ndërtimi, as helmeta, as zhurmë makinerish: Vetëm zhurmë të çarjes së gurëve, e ndërprerë nga thirrja e fundit për lutje e përhapur në ajër. “Nuk më intereson se sa kohë duhet”, - thotë z.Othaim, një punëtor që punon për qeverinë. “Gjëja më e rëndësishme është që të bëhet në formën tradicionale”. Qyteti i Vjetër i kryeqytetit është një nga vendet arkitekturore më të vlerësuara të botës, një grumbull kullash mesjetare të lara me flori dhe me dritare shumëngjyrëshe. Fakti që arti i të ndërtuarit tradicionalisht vazhdon të lulëzojë këtu, dhe kjo e bën më të veçantë se vetë mbijetesa e ndërtesave të vjetra. Në vende të tjera të Lindjes së Mesme, shumë shtëpi të vjetra po rrëzohen për të ndërtuar godina të larta me hekur dhe xham. Qiellgërvishtësit në Dubai, Emiratet e Bashkuara, të cilat duken sikur kanë ardhur në Gjirin Persik nga hapësira, po kopjohen në Bejrut dhe qytete të tjera. Jemeni është ndryshe. Për të gjitha vuajtjet e këtij vendi, luftërat, kriza e ujit dhe ngritjen e Al Kaedës, ruajtja e traditës së lashtë i bën të ndihen më të sigurt. Edhe jashtë qytetit të vjetër, ndërtesat e arkitekturës mesjetare, mund të shihen në shumë ndërtesa të reja apo shtëpi, me dritaret shumëngjyrëshe alabastri të njohura si gammarijas. Traditat kanë mbetur të gjalla për shkak të varfërisë së madhe dhe izolimit të gjatë të Jemenit. Deri më 1962, Jemeni i Veriut është qeverisur për më shumë se një mijëvjëcar nga imamët ksenofobë, të cilët u përpoqën të izolojnë vendin nga ndikimet e huaja. Vendi nuk e përjetoi fazën e rilindjes në historinë arabe, në të cilën mbretërit dhe presidentët prishën lagjet e lashta dhe tregjet në një përpjekje për t’i sjellë kombet e tyre në periudhën moderne. Rreth fillimit të viteve ‘80, kur Jemeni akoma po dilte nga ndikimi mesjetar, ruajtja ishte tashmë në modë. Në fakt, kishte shumë për të ruajtur. Vendi ishte i famshëm për arkitekturën unike që prej qeverisjes së Sabanëve, kur u ndërtua pallati i lartë i Ghumdan përpara 1800 vjetësh, i përshkruar kështu nga një nga poetët mesjetarë:

Ajo ngrihet, duke u ngjitur në mes të qiellit

Njëzetë kate me lartësi të pashoqe

Të plagosura me një tyrbe resh të bardha

Dhe zbukuruar në alabastër

Arkitektët që rizbuluan Qytetin e Vjetër vunë re se atje nuk ishte tipar vetëm bukuria. Shtëpitë tradicionale ishin dhe më të forta dhe efektive sesa shtëpitë prej çimentoje moderne, dhe i përshtateshin më mirë klimës. “Shtëpitë tradicionale kanë shumë avantazhe për mjedisin”, - shprehet Abdulla Zaid Aissa, drejtori i zyrës që kujdeset për ndërtesat dhe rinovimet në Qytetin e Vjetër. Gipsi tradicional nuk e shkatërron gurin gjatë kohës siç bën çimentoja, dhe është më e fortë, - thotë z.Aisa. Kadadi, një material izolimi i bërë nga guri i përdorur në banjo dhe çati, është shumë më i fortë se materialet moderne ekuivalente. Gurët e vjetër dhe teknikat e izolimit janë krijuar për ndryshimet e menjëhershme të temperaturës së ditës dhe natës në klimën e shkretëtirës në Sana, dhe në këtë mënyrë ngrohtësia e diellit depërton në muret e shtëpive vetëm në fund të ditës, dhe mbahet gjatë gjithë natës. Gjithashtu, ato janë rezistente ndaj zhurmave më shumë sesa betoni. ”Kanë eksperimentuar për qindra vjet për të zbuluar këto teknika”, - shprehet Aissa. ”Në ditët tona, ne ndërtojmë shtëpi me një koncept të trashë”. Jemeni nuk ka ruajtur çdo gjë. Vetëm disa dekada më parë, ekzistonin 10 ose 12 porta masive në hyrje të Qytetit të Vjetër; tani ka mbetur vetëm një. Disa republikanë e kanë krahasuar arkitekturën e vjetër me mbretërinë e imamëve, dhe për këtë arsye duheshin shkatërruar. Por Jemeni e ka ruajtur Qytetin e Vjetër dhe në këtë mënyrë në vitin 1986, UNESCO dhe Kombet e Bashkuara e shpallën atë Trashëgimi Botërore të Kulturës, duke i mbështetur financiarisht për ruajtjen e saj. Zyra e z.Aisa ndihmon për përdorimin e metodave dhe materialeve të vjetra, të cilat zakonisht kushtojnë më shumë se ato moderne. Për të parandaluar që Qyteti i Vjetër të mbetet thjesht një muze, qeveria ndërtoi një sistem kanalizimi në 1980. Ai shtroi me gurë të vegjël rrugët e pashtruara, që e kishin bërë një shkrimtar italian ta quante qytetin “Venecia e pluhurit”. Tashmë ajo është e mbipopulluar dhe autoritetet po përpiqen për të përshtatur arkitekturën e qytetit me mënyrat e reja të jetesës. Katet e nëndheshme, të përdorura dikur për devetë dhe dhitë, janë rregulluar si dyqane. Këto dyqane përbëjnë tregun qëndror, zemrën kulturore dhe sociale të Qytetit të Vjetër. Akoma, banorët e zonës janë më të prirur ndaj arkitekturës tradicionale dhe ritualeve të saj. ”Çdo gjë po ndryshon në qytet, por akoma, brez pas brezi vazhdon e njëjta arkitekturë”, - thotë Mahmud Kais al Arusi, një ndërtues 65-vjeçar, duke parë punëtorët e tij të përziejnë materialin jashtë shtëpisë së z.Othaim. Ndërtesa, tregon ai, ka akoma shenja në shtyllat e saj të karrocave që kalonin dikur. Njëherë e një kohë ajo banohej nga Naser Salahudin, një figurë e njohur që vdiq përpara 720 vjetësh. Me z.Arusi, janë dhe tre djemtë, të cilët po mësojnë prej tij. Ndërtimi sipas mënyrës së vjetër është i trashëguar në familjen e tyre dhe ai planifikon për ta vazhduar. ”Unë mësova të ndjek çdo hap të babait tim, gurët dhe hizamët”, - thotë z.Arusi, duke iu referuar rripave horizontale të njohur që ndodhen rreth shtëpive të Jemenit. ”Djemtë e mi po bëjnë të njëjtën gjë”.
(The New York Times)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 22/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›