Papa, dënon dy palët për dhunën në Gaza

Papa Benedikti XVI, në qëndrimin e tij për botën ditën e enjte, ka dënuar dhunën në Gaza nga të dyja palët e përfshira në konflikt, një ditë pasi njëri nga ndihmësit e tij të lartë zemëroi hebrenjtë, duke e quajtur Rripin e Gazës "një kamp të madh përqëndrimi". "Edhe njëherë e përsëris se veprimet ushtarake nuk janë zgjidhje dhe që dhuna, sido dhe ngado që të vijë duhet dënuar me vendosmëri", deklaroi Ati i Shenjtë në një fjalim për diplomatët e rreth 170 vendeve të akredituar në Vatikan. Duke folur në frëngjisht, Papa shprehu keqardhjen për shpërthimin e dhunës në Lindjen e Mesme që ka provokuar dëme të pamasa dhe vuajtjen e popullsisë civile. Papa bëri thirrje për shmangien e urrejtjes, akteve provokative dhe përdorimit të armëve. "Kam shpresë që me ndërhyrjen vendimtare të komunitetit ndërkombëtar, do të rivendoset armëpushimi në rripin e Gazës dhe që negociatat e paqes do të cojnë në shmangien e urrejtjes, akteve provokative dhe përdorimit të armëve", tha Papa Benedikti. Megjithëse Papa dukej i kujdesshëm me deklaratat e tij diplomatike, duke folur për respekt dhe aspirata legjitime si nga Hamasi, ashtu edhe Izraeli, njëri nga ndihmësit e tij kryesorë nuk u tregua edhe aq diplomat. Kardinali Renato Martino, presidenti i Këshillit të Drejtësisë dhe Paqes, në një koment për gazetën italiane on-line "Il Sussidiario" e quajti Rripin e Gazës 'Një kamp të madh përqëndrimi'. "Popullsia e pambrojtur është gjithmonë ajo që e pëson. Shikoni situatën në Gaza: gjithnjë e më shumë ajo ngjan me një kamp të madh përqëndrimi", është shprehur Martino. Ndërsa papa Benedikti XVI ka bërë thirrje për përfundimin e dhunës në Gaza, por nuk e ka kritikuar hapur Izraelin për veprimet ushtarake.