E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa kardinajve të rinj: “Kisha është katolike, sepse Jezusi rrok mbarë njerëzimin”

25-11-2012 / Gazeta 55

Dje Papa krijoi 6 kardinaj të rinj, në Koncistorin, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit solemn, Benedikti XVI theksoi përmasën katolike të Kishës, duke nënvizuar karakterin universal të misionit të Krishtit. Kardinajtë e rinj vijnë nga tre kontinente: Amerika, Afrika, Azia. Janë: imzot James Michael Harvey, prefekt i Shtëpisë Papnore, emëruar dje kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Palit jashtë Mureve të Romës; Fortlumturia e Tij, Béchara Boutros Raï, patrik i maronitëve të Antiokisë (Liban); Fortlumturia e Tij Baselios Cleemis Thottunkal, kryeipeshkëv i madh i siro-malankarezëve në Trivandrum (Indi); imzot John Olorunfemi Onaiyekan, kryeipeshkëv i Abuzhës (Nigeri); imzot Rubén Salazar Gómez, kryeipeshkëv i Bogotà-s (Kolumbi) e imzot Luis Antonio Tagle, kryeipeshkëv i Manilës (Filipine). Me Koncistorin e djeshëm, në Kolegjin Kardinalor bëjnë pjesë 211 kardinaj, nga të cilët, 120 me të drejtë zgjedhore, 91 me të drejtë këshillimore, me moshë mbi 80 vjeç.
Unitet dhe universalitet: ky ishte binomi, në qendër të Koncistorit të sotëm për krjijimin e 6 kardinajve të rinj. Ceremoni madhështore, prekëse, në të cilën çdo simbol, nga unaza, tek kapuçi kardinalor, theksoi kuptimin e misionit të ri, që po e fillonin këta gjashtë barinj. Në sa Benedikti XVI shkelte në prag të Bazilikës papnore, kori nisi himin e mirënjohur ‘Tu es Petrus”- “Ti je Pjetri”, duke nënvizuar, kështu, misionin që vetë Krishti ia besoi Pjetrit e pasardhësve të tij: “Mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time e dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë mbi të”. E në homelinë e rastit, Benedikti XVI u ndalua pikërisht tek misioni i Kishës, në mënyrë të posaçme, tek termi “katolike”, që thekson tiparin themelor. Kisha, tha Papa, është katolike, sepse Krishti përfshin në misionin e Tij të shëlbimit mbarë njerëzimin. E shpjegoi më pas se kjo perspektivë universalistike duket qartë kur Jezusi e paraqet veten si “Bir i njeriut”: “Jezusi përdor këtë shprehje të pasur e të ndërlikuar dhe e lidh me vetveten për të treguar karakterin e vërtetë të mesianizmit të Tij, si mision i caktuar për një njeri e për çdo njeri, duke i kapërcyer të gjitha sektarizmat etnike, kombëtare e fetare”.
E pikërisht duke ecur në gjurmët e Jezusit, shtoi Ati i Shenjtë, njeriu hyn në mbretërinë e re, që Kisha e kumton dhe e përafron e që fiton mbi copëzimin e mbi shkapërndamjen. Jezusi, vijoi Papa, nuk e dërgon Kishën e vet kah një grup, por kah mbarë njerëzimi, për ta bashkuar, përmes fesë, në një popull të vetëm e për ta shpëtuar:
“Universaliteti i Kishës buron nga universaliteti i planit të vetëm hyjnor për shëlbimin e botës. Ky karakter universal duket qartë në ditën e Rrëshajëve, kur Shpirti Shenjt e mbush përplot me praninë e tij bashkësinë e parë të krishterë, duke e nxitur t’ua kumtojë Ungjillin mbarë kombeve e t’i bashkojë mbarë popujt në një popull të vetëm, në Popullin e Zotit”. Kështu, vërejti në vijim Papa, Kisha, që nga zanafilla, përfshin mbarë universin. Misioni i saj është universal, pohoi më pas, nuk ngjitet nga poshtë, por zbret nga nalt, nga Shpirti Shenjt: “Nuk është si bashkësi lokale, që zgjerohet e shtrihet dalëngadalë, por si tharm, që thar e mbrun universalen, të tërën, që e ka universalen në vetvete”.
Jo rastësisht, prandaj, nënvizoi Papa, rreth Apostujve lulëzojnë bashkësitë e krishtera, që janë Kisha e cila, në Jeruzalem, në Antioki a në Romë, është gjithnjë e njëjtë, një e universale: “E kur Apostujt flasin për Kishën, nuk flasin për bashkësinë e tyre, por për Kishën e Krishtit, e ngulmojnë mbi këtë identitet të pashoq, universal e të plotë Katolik, që realizohet në çdo Kishë vendase. Kisha është një, shenjte katolike e apostolike, pasqyron në vetvete burimin e jetës së saj e të udhës së saj: njëninë dhe bashkimin e Trinisë Shenjte”.
Më pas Papa iu drejtua Kolegjit Kardinalor i cili, theksoi, përbëhet nga një mori fytyrash, që shprehin fytyrën e Kishës universale. E thekson këtë edhe prejardhja e kardinajve të rinj, përfaqësues të tre kontinenteve e të gjashtë vendeve të ndryshme të botës: SHBA, Libani, India, Nigeria, Kolumbia, Filipinet: “Me këtë Koncistor, në mënyrë të veçantë, dëshiroj të vë në pah se Kisha është Kishë e të gjithë popujve e se shprehet në kulturat e ndryshme të kontinenteve të ndryshëm. Është Kisha e Rrëshajëve, që me polifoni zërash i larton një himn të vetëm, të harmonishëm, Hyjit të gjallë”.
Pas homelisë, Benedikti XVI kremtoi ritin e krijimit të gjashtë kardinajve, gjatë të cilit u dha edhe njoftimi për urdhërin presbiterial ose diakonal, që u është caktuar kardinajve, si dhe për titullin ose diakoninë e Kishës së Romës: Krijojmë, tha Papa duke shqiptuar formulën në gjuhën latine, e shpallim solemnisht kardinaj të Kishës Shenjte Romake këta vëllezër tanë…”. Pas ritit të krijimit, kardinajtë e rinj bënë betimin e morën në dorëzim unazën kardinalore. Pastaj Papa u vuri edhe kapuçin e kuq kardinalor, simbol i fuqizimit të dashurisë e besnikërisë ndaj Kishës.Benedikti XVI uroi, në mënyrë të veçantë, që kardinajtë e rinj të jenë bashkëpunëtorë të çmuar, edhe përmes lidhjes me dikasteret e Kuries Romake. E në përfundim, i nxiti të gjithë ta dëshmojnë me guxim Krishtin, në çdo rrethanë të jetës.
Kardinali i ri Onaiyekan: “T’i përgjigjemi dhunës kundër të krishterëve me dashuri e arsye”/Ndërmjet kardinajve të rinj, është edhe kryeipeshkvi nigerian i Abuzhës, John Olorunfemi Onaiyekan. Lidhur me pyetjen ç’ përfaqëson për të, kjo detyrë e lartë, ai përgjigjet: “Është e qartë se kjo për mua do të thotë më shumë përgjegjësi. Për vendin tim, Nigerinë, do të thotë nder i madh. Është lajm shumë i mirë për vendin: si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, janë shumë të kënaqur tani, që kanë një kardinal tjetër. Besoj se kjo është gjë e mirë”. Duke u ndalur tek përpjekjet e tij për pajtim në Nigeri, ai thotë: “Them se përpjekjet e mia, në të vërtetë, nuk kanë pasur qëllim kryesor të zgjidhin problemin e Boko Haram. Kanë synuar më shumë në përpjekjen që nigerianët të mbrojnë familjen e unitetin, në mënyrë që të mos e lejojnë as Boko Haramin t’i shkatërrojë këto vlera. Besoj se nuk është e vështirë t’i izolojmë këta pak njerëz, që përfaqësojnë një anomali, sepse myslimanët nigerianë nuk janë Boko Haram. Boko Haram përbëhet nga pak njerëz, ndërsa shumica e myslimanëve, me të cilët kemi të bëjmë ditë për ditë, nuk ka ide të tilla. Kështu ne, si të krishterë të bindur në fenë tonë, do të vijojmë ta kumtojmë Ungjillin, pa harruar kurrë se ka edhe të tjerë, që kanë fenë e tyre, fe, që duhet respektuar, pa e penguar bashkëpunimin, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, duke nisur nga disa vlera shpirtërore, të njëjta për katolikët e myslimanët; jemi qytetarë të të njëjtit vend, duhet të përballojmë të njëjtat probleme. Kështu nuk do të jemi kundërshtarë, as konkurentë, por aleatë. Jam i sigurtë se duke zgjedhur këtë rrugë, do t’i japim një hov të ri kumtimit të Ungjillit”. Duke komentuar shtrirjen e konfliktit edhe në Kenia, ai shtoi: “Me që po flasim për faqe... Nuk mund ta rishkruajmë Ungjillin, e njëkohësisht, duhet ta lexojmë me realizëm e t’u kujtojmë gjithnjë njerëzve tanë se Jezusi na kërkon përsëri ta kthejmë faqen tjetër. Por ama nuk duhet harruar edhe porosia tjetër e Jezusit, para se ta kthejmë faqen. Zoti na kujton se para shuplakës së dytë, duhet të pyesim: “ Në se gabova, më thuaj, ku bëra gabim. Që të ndreqem!” Prej këndej kam nxënë një mësim të çmuar: “Në se ndokush të bën keq, përgjigjja e duhur nuk është shuplaka, por pyetja: “ Pse po ma bën këtë?”. “Ç’të kam bërë?”. Gjithsesi të krishterët nuk duhet të thonë kurrë: “U lodha duke falur”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›