E Diel, 1 Nëntor 2026

Patrik, vjen fitorja në "Indy Car"

Danika Patrik u bë e para femër në historinë e "Indy Car", që arrin të fitojë një garë, pasi arriti të mposhtë kolegët e saj në garën e zhvilluar në Japoni. Falë një strategjie të përkryer dhe një parakalimi spektakolar ndaj Helio Kastroneves, Patrik e preu e para vijën e finishit pas 200 xhirove të zhvilluara në pistën ovale të Motegit. "E prisja prej shumë kohësh këtë fitore. Ishte një garë që u vendos nga strategjia e rifurnizimit, por skuadra bëri maksimumin. E dija që kisha të njëjtën strategji me Kastroneves dhe kur e parakalova duke marrë kreun e garës, nuk mund ta besoja. Kjo është një ndjenjë e shkëlqyer", u shpreh 26- vjeçarja, e cila merrte pjesë në garën e saj të 50-të në "Indy Car", por që u tregua një "veterane" e vërtetë kur parakaloi Kastroneves vetëm dy xhiro para fundit. Strategjia e Danika Patrik u përgëzua edhe nga kolegët e saj, pasi pilotja ishte në vendin e 8 kur kishin mbetur edhe 11 xhiro nga fundi. Por hyrja në bokse e kundërshtarëve të saj për rifurnizim, i dha mundësinë asaj të luftonte për vendin e parë dhe fitoren. "E ndjeja që duhej të merrja pjesë në garën e Japonisë, ndërsa tani më duhet të falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar gjatë karrierës sime", deklaroi Patrik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›