E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e Qeverisë/“Censusi, dëshmia e modelit ekonomik më të suksesshëm”

29-12-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha flet në mbledhjen e Qeverisë për rezultatet e Censusit 2011, duke vlerësuar se Shqipëria renditet në grupin e vendeve të zhvilluara. Sipas tij, Censusi i fundit fakton se sot në Shqipëri janë 380 banesa për 1000 banorë. Krahasuar me cenususet e Bashkimit Evropian, në Republikën e Sllovakisë janë 317 banesa për 1000 banorë, në Poloni janë 335 banesa për 1000 banorë, në Maltë janë 349 banesa për 1000 banorë


Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka evidentuar faktin se në këto 10 vite në Shqipëri janë është ndërtuar më shumë se në 25 kombe të tjera. Modeli ekonomik ka qenë nga më të suksesshmit dhe integrimi evropian është një proces tërësisht i merituar. Berisha i kushtoi rëndësi rezultateve të Censusit 2011, i cili sipas tij, faktoi zhvillimin e Shqipërisë. “Censusi tregon djersën e madhe që kanë derdhur shqiptarët dhe shfrytëzimit që i kanë bërë iniciativës së lirë, për të ndërtuar banesat e tyre. Në pasurinë me themelore të njeriut, që është banesa, kanë vendosur Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara. Censusi fakton se në Shqipëri sot janë 380 banesa për 1 mijë banorë”, u shpreh Berisha. Në gjykimin e kreut të ekzekutivit, ky realitet është thelbësor në maturimin që dëshmojnë shqiptarët ndaj proceseve demokratike. “Flitet për 1 milion të varfër në këtë vend, me një matematikë fiks të 21 viteve më parë. E vërteta është se sot janë pronarë shtëpish, mbi 740 familje shqiptare. Sigurisht që ka dhe familje të varfra dhe të pastrehë, por ky është standardi i një vendi të zhvilluar, më i lartë se disa vende anëtare të OECD”, deklaroi kryeministri. Sipas tij, modeli ekonomik që ka ndjekur Shqipëria ka bërë që iniciativa e lirë qytetare të ketë rendimentin dhe eficencën më të lartë. “Nuk është e rastit që ky bum i papërmbajtur ka shoqëruar këtë model ekonomik, i cili ka bërë që iniciativa e lirë e qytetarëve të ketë rendimentin më të lartë, eficencën më të lartë. Edhe njëherë, shqiptarët kanë ndërtuar në këto 10 vite më shumë seç kanë ndërtuar në 30 vite banesa për frymë 25 kombe anëtare të OECD-së dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët kanë ndërtuar në këto 10 vite më shumë se të gjitha kombet anëtare të OECD-së në 20 vitet e fundit. Kjo është një arritje historike për këtë vend, i cili erdhi në vitin ’90 me 175 apo 204 dollarë për frymë, vendi i dytë më i varfër në botë, pas Angolës. Shqiptarët të tillë i kish bërë regjimi, sepse ata dëshmuan se çfarë force të madhe shpirtërore kanë, çfarë gjenie krijuese kanë dhe se sa të zotë janë ata, njerëz të lirë të ndërtojnë të ardhmen për familjen dhe vendin e tyre”, vuri në dukje kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›