Ambasadori austriak: “Austria, investitori i tretë në Shqipëri”
Ambasadori austriak, Florian Rauning u shpreh dje në qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në 20-vjetorin e krijimit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Austri se, “politika dhe biznesi austriak kanë besim të plotë në bashkëpunimin me Shqipërinë, çka e tregojnë edhe investimet e shumta që ky vend ka bërë në Shqipëri dhe veçanërisht në qytetin e Shkodrës”.
20-vjetori i themelimit të Shoqatës së Miqësisë, Shqipëri- Austri me qendër në Shkodër, u përkujtua mbrëmjen e djeshme me një veprimtari të organizuar në mjediset e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, ku Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Mag Florian Rauning , ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tha se, “Austria, investitori i tretë në Shqipëri ka investuar në vend afro1 miliardë Euro”. Ndër investimet më të rëndësishme, diplomati i lartë austriak veçoi investimin në Hidrocentralin e Ashtës, një vepër që pritet të japë rezultatet e saj në fillim të vitit të ardhshëm. Ai u ndal në disa nga investimet e qeverisë austriake në qytetin e Shkodrës, ku si të rëndësishëm veçoi projektin e Ujësjellësit, të filluar në vitin 1994, investim i cili ka bërë të mundur që Shkodra të ishte qyteti i parë në Shqipëri që furnizohet 24 orë pa ndërprerje me ujë të pijshëm. Si një investimin tjetër të rëndësishëm ai veçoi investimin për shkollën e mesme austriake, një ndër gjashtë shkollat që Austria ka hapur në të gjithë botën. Pjesë të rëndësishme të këtij bashkëpunimi, diplomati vlerësoi rolin që ka luajtur dhe vazhdon të luajë Shoqata e Miqësisë, Shqipëri-Austri me qendër në qytetin e Shkodrës e krijuar 20 vite më përpara dhe që është më e vjetra ndër të gjitha shoqatat e tjera të karaktereve të ndryshme në Shqipëri. Aktiviteti vijoi me një program artistik të Orkestrës së Harqeve të Qendrës Kulturore të qytetit të Shkodrës me muzikë shqiptare dhe austriake. Në mbyllje, në ambientet e universitetit, pjesëmarrësit vizituan ekspozitën “Kontribute austriake në Shkodër në vitet e tranzicionit”.