E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papadhimos: Objektivi ynë qëndrimi në Euro, Barroso: Duhet konsensus

BRUKSEL - “Greqia në Euro, është objektivi kryesor". Kështu deklaroi kryeministri Lukas Papadhimos, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me presidentin e Komisionit Evropan Hoze Manuel Barroso, pas takimit që zhvilloi me të në Bruksel.

Papadhimos tha se qëndrimi i Greqisë në Euro, është rruga e vetme për qeverinë dhe popullin grek, dhe ky objektiv do të arrihet duke cuar përpara gjithë detyrat që dalin.

Kryeministri grek theksoi se qeveria e re do t’i arrijë qëllimet e saj, duke zbatuar vendimet e samitit të BE dhe nëpërmjet konsolidimit fiskal.

Papadhimos tha se qeveria greke do të ofrojë angazhimin me shkrim, të kërkuar nga Brukseli, duke shtuar se liderët e partive, përmes votëbesimit të dhënë respektojnë qeverinë dhe angazhimet e tyre afatgjata.. 

Papadhimos u deklarua optimist se ky angazhim do të shprehet në mënyrë të tillë, që të hiqen gjithë pasiguritë që ekzistojnë në gjirin e Bashkimit Europian dhe të FMN lidhur me vendosmërinë e Greqisë për të respektuar detyrimet e veta.

Nga ana e tij Presidenti Komisionit Evropan Hoze Manuel Barroso deklaroi se “do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar Greqinë “, por kërkoi që në vend të ketë konsensus kombëtar, vecanërisht në politikat kryesore. 

Barroso shprehu besim te kryeministri i qeverisë së përkohshme greke, Lukas Papadhimos.

Nesër Papadhimos do të shkojë në Luksemburg, ku do të takohet me presidentin e Eurogrupit, Jean Claude Juncker. 

Kryeministri grek do të ketë gjithashtu shansin të informohet me propozimet që pritet të paraqesë Komisioni Europian të mërkurën, lidhur me çështjen e emetimit të eurobondeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›