E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papadhimos e Venizelos komunikojnë me presidentin e KE, Barroso

ATHINE - Kryeministri Lukas Papadhimos komunikoi dje në telefon me presidentin e Komisionit Evropian z.Jose Manuel Barroso. Komunikimi i përkiste çështjeve në lidhje me zhvillimin në Greqi dhe u bë në prag të një raporti që pritet të botojë Komisioni Europian gjatë kësaj jave. 

Ndërkohë, një letër drejtuar Presidentit të Komisionit Evropian z. Jose Manuel Barroso ka dërguar Kryetari i PASOK-ut, Evangjelos Venizelos, kur pas disa ditësh komisioni pritet të njoftojë një paketë të iniciativave për zhvillimin në Greqi. 

Z.Venizelos i thekson zotit Barroso se «më 26 tetor 2011, siç ju kujtohet, samiti i Bashkimit Europian mori një sërë vendimesh shumë të vështira për Greqinë. Por u vendos, edhe diçka tjetër që është shumë kritike: paketa e rritjes që duhet të avancojë Bashkimi Evropian, Komisioni Evropian për të mbështetur ekonominë reale greke, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, tregun dhe në fund të fundit punësimin dhe familjet». 

Kryetari i PASOK-ut në mënyrë specifike thekson se në këtë letër i fokuson vëmendjen z. Barroso «në pesë çështje shumë kritike:

- E para është papunësia e të rinjve. Duhet të disponohen më shumë fonde, që të luftohet papunësia e të rinjve, me politika aktive dhe veçanërisht me trajnimin e tij. 

- Pika e dytë është problemi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që nuk kanë likuiditet. Duhet të ndihmojmë bizneset greke të vogla e të mesme për të gjetur këtë likuiditet me qasje në sistemin bankar që riorganizohet dhe sidomos me ndihmën më të madhe të Fondit të Garancisë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme. 

- Çështja e tretë është bllokimi i projekteve të mëdha, të cilat janë bllokuar për shkak të dobësive në sistemin bankar evropian. Këto vepra duhet të çbllokohen nëpërmjet një funksionimi më të mirë të bankave në Evropë, por edhe nëpërmjet një mekanizmi për ndarjen e rrezikut financiar me paratë që kemi nga Fondet Strukturore. 

- Pika e katërt është ajo që i përket projekteve të mëdha në proces: projektet e investimeve, programet e privatizimit, të cilat nuk përparojnë për arsye ligjore dhe burokratike, për shkak se Komisioni Evropian shqyrton çështjet që lidhen me të ashtuquajturën «ndihmë shtetërore». Ne kërkojmë, sidomos tani në kohë krize, fleksibilitet më të madh të Komisionit Evropian, kurdoherë në kuadrin e rendit ligjor të Komunitetit Evropian. 

- Dhe sigurisht, pika e pestë dhe më e plotë: Duhet atë që kemi thënë në lidhje me disbursimin e fondeve të programit ESPA e të Fondeve Strukturore të bëhet realitet. 

Pres reagimin e Komisionit Evropian që unë shpresoj se do të jetë pozitiv. Asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk është e fatit. Nevojitet punë, plan dhe sistematikë. Grekët përpiqen dhe do të kenë sukses»përfundon z. Venizelos. 

ND reagoi ndaj letrës që kryetari i PASOK-ut i dërgoi kreut të Komisionit Europian për mbështetjen e zhvillimit në Greqi. Në deklaratën e zëdhënësit Janis Mihelakis theksohet se Venizelos u kujtua për këto çështje vetëm tani, në prag të zgjedhjeve dhe se tashmë ka adoptuar edhe ai tezat e ND dhe të Antonis Samaras.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›