Edison Konomi merr mandatin e Rudina Seserit
Tiranë- Kandiati i Partisë Socialiste, Edison Konomi ka marrë sot zyrtarisht mandatin e Rudina Seserit, pas dorëheqjes së kësaj të fundit tre muaj më parë nga posti i deputetes së Kuvendit të Shqipërisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme i ka dorezuar mandatin Edison Konomit pas votimit me 6 vota pro.
Konomi ishte i shtati në listën e PS- në zgjedhjet e fundit, por pas refuzimit të Gjon Bardhit (i gjashti në listë, menjëherë pas Rudina Seserit) i cili deshironte të mbante postin e kryetarit të Bashkisë së Fushë Krujës vendi i takonte socialistit durrsak.
Çështja e mandatit të lënë vakant pas dorëheqjes së Rudina Seserit duket se mori zgjidhjen konsensuale më 12 Prill, kur Kuvendi miratoi raportin e Këshillit të Rregullores. Sipas raportit të përgatitur nga deputeti socialist Damian Gjinkuri dhe ai demokrat Viktor Gumi ai do ti drejtohej KQZ-së për ti dhënë mundësinë kandidatit Edison Konomit të marrë mandatin e PS-së në Kuvend.
Kështu që u shmang përfundimi i çështjes në dyert e gjykates siç pretendonin palët në ‘duelin’ me njëra-tjetrën në të ashtuquajturin nga media ‘Ngërçi Seseri’.
Vonesa në zëvendësimin e mandatit të Rudina Seserit ka sjellë përplasje dhe akuza të ndërsjellta PS-PD gjatë këtyre tre muajve që vendi mbeti vakant.
Kryesocialisti, Edi Rama deklaroi se qeveria po mbante peng mamdatin e tyre duke kërkuar se ‘i takon Kuvendit të lajmërojnë KQZ-në se Bardhi e refuzoi mandatin dhe të ulet në vendin e mbetur bosh personi tjetër në listë. Thirrja për PS-së që t’i drejtohet gjykatës është shprehja më kuptimplotë e degradimit me vetë pushtetin me gjithë pushtetin demokratik. Nuk ka asnjë lidhje në këtë rast mandati i mbajtur peng me ndonjë proces që përfshin gjykata- tha pak ditë më parë Rama.
Ndërkohë përmes një deklarate për shtyp, pas akuzave ndaj institucionit që drejton, kryeparlamentarja Jozefina Topalli tha më herët se personi që do të zëvendesojë Seserin ‘do të futet në Parlament sipas Kushtetutës së vendit’. Duke nënvizuar se ‘nuk është në tagrin e Kuvendit për të dhënë apo hequr mandate deputetësh’.
Kësisoj merr fund sot debati ‘Seseri’ dhe Edison Konomi është deputeti që do të hyjë së shpejti në sallen e Parlamentit Shqiptar si deputeti i 66 i Partisë Socialiste.
Dorina Bilbili/IDEA/