E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat ndryshojne kushtet e kredisë për sektorin imobiliar

TIRANE- Në tremujorin e fundit të 2011-ës kërkesa për kredi nga ana e individëve për blerjen e një banese ka regjistruar rënie, e ndikuar nga zhvillimet në tregun imobiliar, por edhe shtrëngimet e kushteve të kredidhënies nga ana e bankave për shkak të nivelit të lartë të kredive të këqija.

Pikërisht për të mbajtur nën kontroll nivelin e këtyre kredive bankat kanë ndryshuar kushtet e kredisë për blerjen e një banese. Bankat në vend kanë vendosur të ofrojnë kredi për shtëpitë në lekë, ku interesat shkojnë në 8-9,7%.

Ndërkohë, lehtësia më e madhe është krijuar për ata individë që marrin pagën pikërisht në bankën që jep huanë. Në këtë rast banka është më e sigurt për dhënien e kredisë ndaj personit që ka më shumë se pesë vjet që tërheq pagën nga sportelet e saj. Për këtë kategori kushtet dhe interesat janë më të favorshme dhe nga ana tjetër koha e shlyerjes së kredisë është më e madhe.

Pavarësisht se tregu imobiliar vijon të funksionojë në euro, bankat janë më të prirura të kreditojnë në monedhën vendase lekë. Ekspertët e agjencive imobiliare shpjegojnë se në tremujorin e parë të vitit kërkesat për blerjen e një banese janë më të qëndrueshme për komplekset e banimit jashtë vijës së verdhë dhe kjo si pasojë e një ngopjeje të tregut. Si pasojë e uljes së normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë, si një formë për të rritur konsumin, interesat e kredive në lekë janë ulur, duke u mundësuar bankave të ofrojnë kredi me interesa për bonot e thesarit nga 1,3 në 2,8%, në varësi të klientëve.

Ndërkohë që për kreditë në euro interesat luhaten në euribor nga 6% deri në 8%. Ekspertët bankarë këshillojnë klientët që ta marrin huanë pikërisht në monedhën që marrin të ardhurat, duke u mbrojtur nga luhatja e kursit të këmbimit. Për pjesën e parë të 2012-ës parashikimet e BSH flasin për një përmirësim të kërkesës për kredi nga ana e individëve, ndërkohë që vlerëson se në lehtësimin e standardeve të kredisë do të ndikojë niveli i konkurrencës dhe gjendja e likuiditetit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›