E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinushi: Objektivi kryesor i opozitës, bllokimi i qeverisë

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se opozita humbi shumë kohë me transparencën dhe se ka ardhur koha që të shkëputet çdo marrëdhënie me mazhorancën

TIRANË- Aleati tradicional i Partisë Socialiste, Skënder Gjinushi, deklaroi dje se objektivi kryesor i opozitës nuk do të jetë transparenca, por bllokimi i çdo marrëdhënie me mazhorancën deri në zgjedhjet lokale. Në një deklarim për mediat, kryetari i PSD-së, Gjinushi theksoi se opozita ka humbur shumë kohë duke besuar te transparenca ndërsa tha se e vetmja zgjidhje është largimi i qeverisë dhe bllokimi i saj në parlament. “Që nga shtatori, PS ka humbur kohë sepse hetimi i zgjedhjeve ka afat. Nuk duhet lejuar që të bëhen zgjedhje në këto kushte dhe duhet një zgjidhje politike. Zgjidhje politike do të thotë zgjedhje parti-qeveri, që çon vendin në zgjedhje të lira e të ndershme, që nuk ka konflikt interesi me drejtësinë, nuk ka konflikt interesi me votën e lirë. Në raportin e BE-së, Shqipëria del qartë, se nuk mund të ecë më përpara pa reforma”, - theksoi Gjinushi. Aleati i socialistëve tha se shqiptarët nuk kanë më besim tek kjo qeveri, ndërsa akuzoi këtë të fundit për paaftësi, keqqeverisje dhe korrupsion. “Nuk ka shqiptar që të besojë që me këtë qeveri luftohet korrupsioni, kur ajo ka vetëm skandale. Ministrat e saj dalin të implikuar, madje edhe deri në skenare të Serbisë për të implikuar Shqipërinë, UÇK-në deri në trafiqe absurde. Nuk është e rastit që njëri nga emrat e përmendur është Lul Basha dhe në kulmin e këtij diversioni të Serbisë, Ilir Meta shkon përshëndet kongresin e Tadiç”, - tha Gjinushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›